Jete & Stil

Pse është e vështirë të parashikosh ndjenjat e të ardhmes

Ka shumë biseda për momentin sesi mund të ndjehemi kur të kthehemi në zyrë dhe çdo gjë të kthehet në normalitet. Disa thonë se ka shumë gjëra që nuk mund të imagjinojnë t’i bëjnë si më parë. Por, a mund ta dimë ne se si do të ndihemi në të ardhmen? Jo dhe aq!
Kjo mund të thotë që ne jo gjithmonë marrim vendimet më të mira për jetën tonë. Kur përpiqemi të parashikojmë se si do të ndihemi në të ardhmen, natyrshëm përpiqemi të përdorim të kaluarën si një udhëzues. Kjo mund të funksionojë mirë, përveç që kemi një paragjykim në të menduarit ndaj të kaluarës së afërt.
Por, nëse imagjinojmë se si mund të jetë një udhëtim me tren vitin e ardhshëm, të përqendrohemi në qindra udhëtime treni që kemi bërë ndër vite, nuk ndihmon aq sa të mendojmë udhëtimin tonë më të fundit dhe nëse ky ishte në një tren, ku njerëzit me maskë po shikonin pak nervozë, kjo do të jetë thelbësore për mendjen tonë kur të mendojmë për një udhëtim në të ardhmen, edhe pse nuk e kemi idenë se sa kohë do të na duhet të vendosim maska. Kur pacientët me dhimbje koke kronike përshkruajnë intensitetin e dhimbjes së tyre, përshkrimet e tyre marrin në konsideratë më shumë intensitetin e dhimbjes së kokës një ditë më parë sesa në përgjithësi. Nëse i pyetni njerëzit se sa do të kënaqeshin po të hanin ushqimin e preferuar nesër, përgjigja e tyre do të vinte duke llogaritur urinë e momentit.

Ne parashikojmë ndjesitë e të ardhmes përmes të tashmes dhe kjo na pengon ti parashikojmë me saktësi ato ndjesi

Dan Gilbert, psikolog në Universitetin e Harvard ka zbuluar se kur mendojmë për ngjarjet, ne marrim parasysh dy ekstremet, përvojën e parë dhe të fundit.
Kjo bën që ne të përqëndrohemi në tiparet kryesore të një ngjarje, kështu që nëse po shkojmë për një drekë në fshat, mund ta imagjinojmë momentin kur jemi ulur në diell në një kopsht të bukur duke ngrënë ushqimin tonë duke anashkaluar gjithë udhëtimin për të arritur atje, dëshirën për të arritur sa më parë, faktin se mund të ketë trafik.
Kur presim që një ngjarje në të ardhmen të jetë pozitive, ne priremi të përqendrohemi në pjesët e mira por nëse diçka e shohim që në fillim si të keqe, mendimet e këqija i lënë totalisht në hije ato të mirat.
Përshembull, nëse ju keni takim me dentistin, gjithçka e lidhni me dhimbjen dhe anashkaloni faktin që rrugës mund të takoni dikë apo momentin që do të mbaroni punë dhe dhëmbët tuaj do të jenë në rregull, ngjarje që zgjasin më shumë se ato minuta dhimbjeje por gjithsesi mendimi për dhimbjen triumfon.

Imazh ilustrues

Në një studim, studentëve në Amerikë i’u kërkua të parashikonin se si do të ndjeheshin nëse skuadra e tyre fitonte ose humbte ndeshjen e radhës dhe më pas u pyetën përsëri mbas disa ditësh. Doli që ata kishin mbivlerësuar lumturinë e tyre nëse fitonin dhe zhgënjimin e tyre nga humbja. Kjo për shkak se ata harruan të gjitha gjërat e tjera që gjithashtu do të ndodhin brenda një dite që do të ndikonin në gjendjen shpirtërore të tyre për mirë ose për keq.
Kur studiuesit bënë të njëjtin eksperiment, por u kërkuan studentëve të përshkruanin një ditë tipike pak përpara se të bënin parashikimet e tyre, përgjigjet ndryshuan dhe ishin më të sakta.
Me shumë mundësi kjo mund të ndodhë edhe me ngjarje shumë më ekstreme sesa të hani pasta ose të fitoni një ndeshje.

Në librin e tij “Stumbling on Happiness”, Daniel Gilbert demonstron se ne gjithashtu mbivlerësojmë gëzimin dhe trishtimin e përvojave që na ndryshojnë jetën.

Një fitues i lotarisë, për shembull, nuk do të kalojë çdo moment duke festuar me shampanjë, duke pozuar me një karton që ka të shkruara milionat ose duke marrë miqtë e tij me pushime. Askush që ka pasur një aksident nuk do të kalojë tërë kohën e tij në shok për atë që ka ndodhur ose duke menduar se si ka ndryshuar jeta e tyre.
Kur imagjinoni secilën situatë njerëzit kanë tendencë të përqëndrohen në ndikimin fillestar, supozojnë se këto ndjenja do të jenë afatgjata dhe harrojnë se çdo gjë ndryshon dhe disa nga këto ndjesi fillestare të gëzimit ose dëshpërimit do të zhduken.
Në përgjithësi kjo është një gjë e mirë. Ashtu siç kemi një sistem imunitar fiziologjik, sistemi imunitar psikologjik na mbron. Kjo bën që ne t’i kushtojmë më shumë vëmendje ekstremeve në mënyrë që ne të marrim vendime që na mbajnë të sigurt, por duhet të kujtojmë se gjithashtu na lejon të përshtatemi, të vazhdojmë më tej kur gjërat nuk shkojnë siç i planifikojmë.
Paul Dolan, profesor i shkencës së sjelljes në Shkollën e Ekonomisë në Londër tha se ne mësohemi me pjesën më të madhe të asaj që jeta hedh tek ne dhe mësohemi relativisht shpejt, shumë më shpejt se do ta parashikonim. Ndërse tendenca jonë për t’u përqëndruar në përvojat ekstreme, të parat ose të fundit, sesa ato tipike, na pengon të parashikojmë me saktësi se si do të ndihemi në të ardhmen, si mund të marrim vendime të mira. Për këtë, Dolan rekomandon të mendojmë më gjatë për diçka dhe të shmangim një përvojë të vetme.
“Është e rëndësishme të bëni pyetjen e duhur, jo “a duhet ta pranoj punën e re?” por “si mund të jetë jeta ime e përditshme në qoftë se unë e  pranoj atë?” Në të ardhmen shumë prej nesh do të përjetojnë një seri ndryshimesh nga e tanishmja, duke shkuar përsëri në zyrë mbase, ose ndoshta duke udhëtuar me avion. Nga kërkimet psikologjike e dimë që hera e parë do të ndjehet më e çuditshme, sidomos gjatë atyre 10 minutave të para por njerëzit janë gjithnjë të përshtatshëm dhe ne shpejt do të mësohemi me mënyrën e re të jetesës dhe herën e dytë që do të udhëtoni me avion nuk do të jetë aq e çuditshme.
Burimi: BBC. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë