Ecja ka ndryshuar botën. Nga Mahatma Gandhi deri tek Martin Luther King, Jr. dhe lëvizja për të drejtat civile, ecja dhe protesta janë bërë një e vetme.
Më 1930, Gandhi dhe 80 njerëzit që e ndiqnin u nisën nga Ahmadabad Ashram, duke shkuar drejt Jugut, drejt Detit Arabik. Në kohën kur arritën në bregdet, 24 ditë më vonë, numri i njerëzve që e ndiqnin ishte rritur në disa mijëra. Ata vëzhguan ndërsa Gandhi mblodhi një grusht kripë nga depozitat natyrore, për të kundërshtuar ligjit britanik. Ky marsh shënoi një pikë kthese në rrugën drejt pavarësisë.

Vite më vonë, King, një admirues i Gandhit që kishte udhëtuar në Indi, e bëri protestën në këmbë pjesë të lëvizjes së të drejtave civile. Fushata e Birminghamit e vitit 1963 filloi me një seri marshimesh, duke arritur kulmin në marshimin historik në Uashington në gusht të atij viti. Këto marshime ishin paqësore, por jo pasive dhe aktivisti John Lewis e dinte aq mirë, ecja mund të jetë një akt i fuqishëm i kundërshtimit dhe mund të çojë në “telashe të mira”.

E keqja është se jo çdo njeri që do të bëjë shëtitje, ka mundësi për diçka të tillë.
Sipas hulumtimeve të Fondit për Hapësirat Publike, rreth 100 milion banorë në Amerikë nuk kanë një park rreth e rrotull shtëpisë.
Ecja është më shumë sesa thjeshtë të ecësh dhe kështu ka qenë gjithmonë. Të shëtisësh është mirë për mendjen dhe të frymëzon. Ecja është një e drejtë që çdokush duhet ta ketë edhe pse një ecje e sigurt nuk i sigurohet kujtdo, sidomos komuniteteve të ndryshme. Liria është thelbi i ecjes dhe të gjithë duhet të jenë në gjendje ta provojnë atë liri për t'u nisur dhe për t'u kthyer kur dëshirojnë dhe, siç e ka thënë shkrimtari Robert Louis Stevenson, “të ndjekin atë rrugë ose këtë rrugë, si të kenë dëshirë”.
Nga ana tjetër, pandemia ka marrë shumë gjëra nga jeta jonë. Ne ndjehemi të bllokuar, të pafuqishëm. Ka shumë gjëra që nuk mund të bëjmë por prap ne mund të ecim.

Nëse e mendojmë mirë, edhe ecja nga njëra dhomë në tjetrën është pelegrinazh, ecja teksa hedhim njërën këmbë pastaj tjetrën, është një largim nga problemet dhe ecje drejt zgjidhjeve.
Ndërsa punonte në një dyqan krishtlindjesh, Charles Dickens do të shëtiste 15 ose 20 milje nëpër rrugët e Londrës, duke e kthyer në shtëpi kur qyteti flinte dhe ky ishte momenti më i bukur i ditës për të. Beethoven gjeti frymëzim ndërsa ishte në natyrë, larg Vjenës. “Mos besoni asnjë ide që nuk lind në ajër të pastër ku mund të ecësh duke u mbushur me frymë lirisht.” tha Nietzsche teksa ndodhej në Alpet Zvicerane.
Shkrimtarja Louisa May Alcott filloi rregullisht të bënte shëtitje të gjata nëpër fshat afër shtëpisë së saj në Concord. Ndonjëherë asaj i bashkohej dhe bashkëautori Henry David Thoreau. Ata kalonin orë të tëra duke shëtitur dhe duke qëndruar në livadhe dhe fusha, duke u bërë pjesë e natyrës me anë të ecjes.
Përfitimet e një shëtitjeje
Studimet e fundit thonë se mendja jonë është më produktive nëse ne thjesht ecim dhe nuk vrapojmë. Në një studim, psikologët e Universitetit Stanford, Marily Oppezzo dhe Daniel Schwartz i ndanë pjesëmarrësit në dy grupe: ato që ecnin dhe ato që rrinin ulur në një vend. Më pas ata bënë një test për të matur krijimtarinë e tyre dhe doli që grupi që ecën ishin më produktivë dhe krijues në krahasim me grupin që ndejtën ulur dhe ecja ishte vetëm për 5-16 minuta. Kaq pak dhe u pa një ndryshim i madh.
Njerëzit që ecin rregullisht janë më të shëndetshëm dhe jetojnë më gjatë se ata që nuk ecin, kanë gjetur disa studime dhe nuk duhet të ecësh shumë shpejt ose për një kohë të gjatë për të shijuar këtë përfitim.
Një studim i kohëve të fundit, botuar në “JAMA Medical Medicine”, e vendosi kufirin në 10,000 hapësh. Është një numër i duhur pasi çdokush mund ti bëjë aq hapa në ditë.
Gjithashtu, ecja është një mënyrë për të humbur peshë, jo vetëm duke djegur kalori, por edhe duke ulur oreksin tonë.
Një studim nga Universiteti i Exeter zbuloi se një shëtitje 15-minutëshe “djeg çokollatën” dhe ul dëshirën për të hëngër. Ecja gjithashtu është vërtetuar se lehtëson dhimbjen e nyjeve, forcon imunitetin dhe zvogëlon rrezikun e kancerit të gjirit.
Gandhi ecte gjatë gjithë jetës së tij dhe i'a atribuoi gjallërinë e tij, pjesërisht, këtij zakoni.

Lëvizja evolucionare
Ne mund të kuptojmë shumë nga një person duke parë mënyrën sesi ecën.
Ecja, forma më e ngadaltë e udhëtimit, është rruga më e shpejtë për të kuptuar veten tonë. Ndërsa autoria Cheryl Strayed rrëfen pas udhëtimit epik të saj prej 1.000 milje përgjatë Bregut të Paqësorit tregon se gjatë ecjes së saj humbi gjashtë thonjë nga gishtat e këmbëve por fitoi çdo gjë tjetër.
Ecja, e bërë si duhet, është thelbësore për ne, është një nga aktivitetet e pakta që sido të shkoje puna me pandeminë, askush nuk na e heq të drejtën për të ecur.
Rreth gjashtë milion vjet më parë, hominidët e hershëm u ngritën dhe ecën në dy këmbë. Kjo sjellje e re kishte shumë përfitime të papritura. Ajo la duart të lira për të bërë mjete si dhe për të treguar, përkëdhelur, lëkundur apo çdo gjë tjetër.
Ishte një lëvizje e mrekullueshme por jo pa kosto. Ne ecim në dy këmbë, por veprojmë kështu në një skelet të krijuar për katër. Kjo ka sjellë problemet që ne shohim sot siç janë problemet me shtyllën kurrizore, këmbët e ënjtura, flluskat, apo dhe shumë të tjera por gjithsesi kjo është një kosto që ne e paguajmë me kënaqësi.
Gazetari Paul Salopek është duke ndjekur hapat e ndërmarrë nga njerëzit e parë që lëvizën jashtë Afrikës gjatë epokës së gurit dhe u vendosën përtej kontinentit. Ai po e bën këtë ngadalë, hap pas hapi. Aventura e tij prej një dekade është fisnike, megjithëse jo pa dhimbje por, sipas tij, i’a vlen.
Për shumë njerëz, ecja është aktiviteti i përsosur në periudhë pandemie. Distancuar nga shoqëria, por jo të izoluar, me mundësi pafund për të bërë një shëtitje në park apo kudo ku ke dëshirë. Me mundësinë për të udhëtuar në zona jo të populluara dhe për të shijuar një ecje.
Në fund, pandemia na mori shumë gjëra ama jo ecjen dhe me ecjen mund të kuptojmë qetësinë mendore, ç’ka është më e rëndësishmja.
Burimi: NationalGeographic. Përktheu:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



