Luka Donçiç nuk duhej të luante, por në fakt ai përjetoi një ndeshje legjendare, më emocionuesen në karrierën e tij në NBA. Luan sezonin e dytë në basketbollin amerikan, megjithatë që tani është një legjendë, sepse slloveni 21-vjeçar bën gjëra që askush tjetër nuk i bën dhe as i imagjinon. Si koshi që shtangu Klipersat në shtesën e ndeshjes më të bukur të vitit, në mbrëmjen magjike të Lukës. Dallas Maveriks dhe Klipersat tani janë barazim, 2-2, në “Play-off”.
“Po mendoja thjesht të bëja kosh, – tregon pas ndeshjes slloveni me modestinë e tij. – Kur pashë topin që hyri në kosh dhe shokët që po festonin me mua, ishte një nga ndjenjat më të bukura të karrierës”. Luka nuk duhej të luante, sepse kishte ndrydhur kaviljen e këmbës së majtë, kur kishin mbetur më pak se 48 orë nga ndeshja e katërt. Një problem serioz, por Donçiç filloi terapinë të shtunën, nga mëngjesi në mbrëmje, duke bërë edhe një rezonancë manjetike gjatë pasdites.

“Vendosëm në momentin e fundit, – tha trajneri Karlisle. – Do të shihnim si do të shkonte, a do ta përballonte dhimbjen. Luka është shumë i fortë”. Donçiç e dashuron basketbollin dhe ka një dëshirë të çmendur për të luajtur. Të dielën u zgjua shpejt për të punuar në pishinë për një rikuperim sa më të shpejtë. “Nuk ndihesha mirë në mëngjes, por sapo vura këmbën në parket, gjithçka ndryshoi”, – pohon slloveni. Një orë e gjysmë para ndeshjes, trajneri nuk e dinte ende, nëse do ta kishte gati lojtarin më të mirë, për të cilin thotë: “ka një zemër të jashtëzakonshme dhe një talent 6G, jo 5G”. Më pas u vendos që Luka të luante dhe legjenda nisi.
Klipersat e mbulojnë më fort Lukën, më shumë se në ndeshjet e tjera. Ai është rreziku numër 1, sepse Maveriksat humbën Kristaps Porzingis, partnerin e sllovenit, për shkak të një dëmtimi në gju. “Mori shumë goditje, shtyrje dhe gjëra të tilla, kushdo tjetër nuk do të kishte qëndruar në fushë, – tha trajneri Karlisle. – Por ai nuk gjeti asnjëherë një motiv për të dalë. As që e mendova ta hiqja dhe as t’i jepja pak pushim që të çlodhej. E dija që ishte një betejë që nuk mund ta fitoja”. Jo, sepse për Lukën basketbolli është energji, gëzim, jetë. Nuk u dorëzua as kur Klipersat shkuan +21, përkundrazi, e rriti nivelin dhe udhëhoqi shokët. “Gjithmonë ia del të bëjë veprimin e duhur, – thotë për të Trei Bërk. – Nuk tërhiqet kurrë, pavarësisht se kë ka përballë”.

Dhe Luka u ngrit në nivelin e një legjende, duke regjistruar shifra të jashtëzakonshme: 43 pikë, 17 ribaunde dhe 13 asiste, për ta mbyllur me një gjuajtje fituese fantastike. Vetëm një tjetër në histori e ka bërë një ndeshje të tillë. Ishte prilli i 1989-ës, kur Majkëll Xhordan në ndeshjen e 5-të të “Play –off”-it udhëhiqte Bullsat dhe e mbyllte me një gjuajtje perlë, një nga të parat e karrierës së tij legjendare. Por Xhordan nuk ishte 21 vjeç si Luka, nuk luante sezonin e dytë në NBA dhe as ndeshjen e katërt në “Play–off”.
“Shumë njerëz më krahasojnë me të, por unë luaj me mënyrën time”, – shprehet shkurt Luka. “Ka të njëjtin nivel si Lerri Bërd dhe Xhezon Kid, – pohon trajneri Karlisle, – ka të njëjtën dëshirë për fitore, për të gjetur një mënyrë unike për të bërë diferencën dhe nuk flas vetëm për të bërë koshin. Kam parasysh se sa besim u jep shokëve dhe mënyrën si kontrollon emocionet. E kupton ndeshjen në mënyrë të pabesueshme, i sheh gjërat para se të ndodhin dhe e bën punën time më të lehtë, sepse gjithçka që duhet të bëj është ta çoj topin në duart e tij”.
Trajneri i Maveriksave e kuptoi se ishte lojtari i duhur 10 ndeshje para se slloveni të vinte në NBA, në fillim të sezonit 2018-19. Ishte një talent europian, për të cilin në Amerikë dinin pak, edhe pse ishte vlerësuar me shumë çmime në Europë. Tani e thërrasin me emër, siç ndodh me të mëdhenjtë. Luka kundër Klipersave shkroi një tjetër faqe të legjendës së tij, luajti një ndeshje epike, shënoi një kosh të jashtëzakonshëm që do kujtohet nga të gjithë. Klipersat e dinë mirë forcën e tij. Edhe pse i vunë kundër disa nga mbrojtësit më të mirë në NBA, nuk e ndalën dot. Të gjithë janë të çmendur pas asaj gjuajtje fituese në ndeshjen e dominuar prej tij. Në atë ndeshje ku nuk duhej të luante, por që e mbylli me një dush të ftohtë në dhomat e zhveshjes nga shokët e tij, siç ndodh me heronjtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje