Fituesit më të mëdhenj të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut duket se nuk ka ish-kryeministri Zoran Zaev, apo opozita maqedonase, por shqiptarët. Pas 99% të votave të numëruara, shqiptarët do të kenë për herë të parë në historinë e vendit fqinj 33 deputetë, numër më i madh i përfaqësuesve që kanë marrë ndonjëherë partitë shqiptare, por që fatkeqësisht të ndarë në disa parti.
Sipas rezultateve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, koalicioni LSDM – BESA ka fituar 46 deputetë, VMRO DPMNE 44 deputetë, BDI 15 deputetë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12 deputetë, E Majta 2 deputetë dhe PDSH 1 deputet. Po ashtu, brenda koalicionit LSDM dhe Lëvizjes Besa, janë 5 deputetë shqiptarë.
Megjtihatë, rezultatet e para nëpër njësitë zgjedhore, tregojnë se ka një garë shumë të ngushtë mes tre partive kryesore, e cila do ta bëjë edhe shumë të vështirë formimin e qeverisë. Mandatar për formimin e qeverisë do të jetë kryeministri i deritanishëm Zoran Zaev, i cili ka marrë deri më tani 46 deputetë, por do t’i nevojiten së paku edhe 15 deputetë për të marrë një mandat të dytë si kryeministër. Koalicioni me BDI-në, si fitues i partia shqiptarët do të jetë me i lehtë për t’u realizuar në bazë të shifrave, por kushti kryesor i BDI-së është që ata të marrin pozitën e kryeministrit, për të cilën Zaev kishte theksuar disa herë se nuk do të lejojë një gjë të tillë.

Nëse Zaev do të kërkojë të bëjë qeveri me partitë tjera, atëherë do të duhet të marrë 12 deputetët e ASHA-së, 1 të PDSH-së dhe 2 deputetë të së Majtës. Por “E Majta” është partia shqiptare që ka dëmtuar më së shumti e ka dëmtuar LSDM-në sepse ka qenë përkrahëse e Zaevit në zgjedhjet e kaluara, por u formua si parti pas mosmarrëveshjeve dhe pakënaqësive me të dhe nuk dihet nëse do të pranojë të bëhet pjesë e qeverisjes së Zaevit.
Në këtë lojë të formimit të qeverisë, e rëndësishme do të jetë edhe vota e Menduh Thaçit, i cili nuk dihet nëse do të pranojë të gjendet në të njëjtën qeveri me Zijadin Selën, i cili ishte zyrtari që i përçau partinë.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti i dërgoi një mesazh dy partive të mëdha maqedonase, LSDM-së dhe VRMO DPMNE-së duke thënë se pas publikimit të rezultateve, çdo parti duhet të matet mirë nëse të vendosë nëse do të guxojë të formojë qeveri pa BDI-në, si fituese më e madhe e shqiptarëve.

Analisët politikë në Shkup shkruajnë se kërkesa për kryeministrin shqiptarë mbetet e vlefshme, por pritet të shihet nëse shqiptarët do të dinë të kthejnë ujin në mulli të tyre, sepse e kanë momentin historik për të fituar barazinë që kërkojnë prej vitesh të tëra.
Me këtë fitore të BDI-së kanë fituar shqiptarët dhe nuk ka humbur askush sepse ne u kemi dalë për zot. Jemi fitues absolut të zgjedhjeve”, ka deklaruar Ahmeti.
Sekretari Organizativ i BDI-së, Artan Grubi tha për Euronews Albania se kjo parti i qëndron zotimit për të zgjedhur kryeministrin e parë shqiptar në RMV, që sipas tij do të jetë Naser Ziberi, por shtoi se këtij zotimi duhet t’i përmbahen edhe partitë e tjera shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, BDI do të jetë çelësi absolut për formimin e qeverisë së re në RMV.
“Mandati i kryeministrit i shkon atij që arrin të mbledhë 61 mandate. ne po shpresojmë që të rikthejmë deputetin tonë të 16 dhe me këto numra, BDI do të jetë çelësi absolut për formimin e qeverisë në RMV”, tha z. Grubi.
I pyetu lidhur me koalicioni që BDI kishte me LSDM e Zoran Zaev, ai e cilësoi ‘një koalicion joparimor’ atë të viti 2016 edhe pse LSDM i kishin humbur zgjedhjet, ndërsa renditi një sërë marrëveshjesh shumë të rëndësishme të arritura gjatë këtij koalicioni, që nga barazia gjuhësore e deri tek ndryshimi i emrit.
Z. Grubi tha se BDI nuk e përjashton mundësinë e koalicionit me një parti maqedonase, por edhe me partitë shqiptare, me kusht që kryeministri të jetë shqiptar.
“Ne jemi gati për koalicion me partitë shqiptare, por ato nuk pranuan duke bërë koalicion me një parti maqedonase.
Kemi një numër rekord deputetësh shqiptarë 32 mandate, në kuvendin me 120 deputetë, gjë që nuk ka ndodhur më parë. Ky është një sinjal shumë i fuqishëm në drejtim në partive shqiptare”, tha ai.
Fitore në disa qytete ka shpallur edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, por ato kanë akuzuar pushtetin për parregullsi të shumta zgjedhore, në disa fshatra të Shkupit dhe në rajonin e Likovës.
“Por përkundër presioneve të shumta dhe frikësimit të votuesve, ne presim fitore nga këto zgjedhje”, ka deklaruar Zijadin Sela.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




