Arsim

Një përgjigje për Besa Shahinin: Pse kemi 1.2 milionë të rinj analfabetë në histori

Paskal Milo thotë se ndërhyrjet në tekste kanë qenë për arsye politike. "Shkruhen tekste nga autorë tradicionalisht të paaftë dhe lejohen që tekstet shkollore të shërbejnë si një burim i madh fitimi për disa shtëpi botuese që lobojnë pafundësisht dhe financiarisht që të mos u preket terreni i fitimit të tyre", thotë Milo.

Rreth 2 javë më parë Ministrja e Arsimit e interpelancë në Kuvend, shokoi publikun kur deklaroi se 1.2 milion fëmijë dhe të rinj të lindur pas vitit 1995, kanë defiçit të madh për njohuritë të fakteve historike të Shqipërisë dhe Kosovë
Vërtetësinë e këtij fakti nuk e vënë në diskutim as historianët. Profesor Paskal Milo, i cili jo vetëm është pedagog në Fakultetin e Historisë, por është edhe historian i mirënjohur thotë se historia e kombit nuk trajtohet në mënyrë të thelluar. Historiani shpjegon se ka konstatuar tek studentët universitar dhe pas universitar një injorancë tmerruese historike deri në habi.
“Unë kam ndeshur studentë që nuk dinë se kur është shpallur pavarësia e Shqipërisë, që ngatërrojnë themeluesin e shtetit shqiptar Ismail Qemalin me Ismail Kadarenë dhe Enver Hoxhën, kam ndeshur studentë pas universitar që nuk dinë ngjarjet kryesore historike të shteti shqiptar, që nuk dinë gjeografinë, që nuk dinë se ku është ishulli Sazanit që nuk dinë se cili është kufiri jugor i Shqipërisë, pra ka një injorancë të madhe për historinë. Imagjinoni që kur këta studentë nuk dinë deri në këtë moshë që janë aktiv në nxënie, çfarë mund të ndodh më pas mbarimit të studimeve,” shprehet Milo.

Mirëpo deklarata e Ministres së Arsimit në Kuvend tingëlloi sikur barra e përgjegjësisë për këtë situatë të trishtë nuk i takon qeverisjes, ndërsa Paskal Milo thotë se ndërhyrjet në tekste kanë qenë për arsye politike.“Është folur vazhdimisht dhe flitet edhe sot e kësaj dite për rëndësinë e pasqyrimit të historisë tonë kombëtarë për këto tekste, por për fat të keq histori shkuarja është kthyer shpesh herë në një barometër të jetës politike, të rrotacioneve politike dhe kjo ka shkaktuar që tekstet shkollore të historisë të marrin ngjyra sipas këndvështrimeve politike për historinë”.
Në vitin 2013 kur në qeverisje erdhi partia socialiste u premtua edhe një reformë serioze për rishkrimin e teksteve të historisë për arsimin para universitar. Kryeministri aktual Edi Rama dhe Ministrja e atëhershme zonja Lindita Nikolla i kërkuan zotit Milo që të kryesonte një komision të posaçëm ekspertësh, për të rishkruar këto tekste të historisë të shkollave, të tre niveleve si fillore, 9 vjeçare dhe të mesme. Për këtë qëllim u ngrit një grup me profesorë të njohur, historianë të njohur shqiptarë dhe 2 historianë të njohur njëri amerikan Benard Fischer dhe tjetri Michael Schmidt-Neke gjerman. “U fillua nga puna, u punua rreth një vit dhe në kohën kur grupi i punës thuajse po e mbaronte projektin e hartimit të këtyre teksteve pa pritur dhe pa pandehur Ministria e Arsimit, zonja Nikolla, e ndërpreu këtë proces të hartimit të teksteve pa dhënë asnjë herë përgjigje se për se u bë një veprim i tillë,” – deklaron paskal Milo.
Zoti Milo i thotë gazetës “Si” se qëndrimi i Ministrisë së Arsimit për të anuluar këtë proces ishte i paprecedentë dhe i gjithë grupi i profesorëve që u angazhuar u trajtuan si shërbëtorë ordinerë dhe jo njerëz me integritet shkencor dhe moral që nuk morën asnjëherë shpjegime zyrtare për sa i përket anulimit të projektit.

“Edhe përpjekjet tona për të kërkuar sqarime dështuan sepse gjetëm përballë një mur heshtje por lajmet qarkullojnë jo zyrtarisht dhe në atë kohë u fol për një lobim të fuqishëm të autorëve që kishin shkruar më parë tekstet e historisë dhe në mënyrë të veçantë të shtëpive botuese që nxirrnin fitime kolosale nga botimi dhe shitja e atyre teksteve të historisë. Ndërhyn në Ministrinë e Arsimit dhe e sabotuan projektin, kështu që kjo përpjeke dështoi dhe jo për fajin e grupit të punës por totalisht për shkak të Ministrisë së Arsimit e jo vetëm që nuk kishte një vizion të qartë për misionin e teksteve të historisë së shkollave tona, por edhe që ju nënshtrua gjykimeve amatorske dhe ndërhyrjeve preferenciale të autorëve të veçantë, të cilët si ju thashë bën një fushatë intensive të ministrja e Arsimit për ta sabotuar këtë proces,” shpjegoi Milo për Gazetën “Si”.
Një nga arsyet që cilësia e teksteve të historisë është e dobët sipas profesorë Milos lidhet me cilësinë e hartuesve të tyre “Autorët që janë marrë me hartimin e këtyre teksteve veçanërisht deri në vitin 2013 kanë qenë më tepër zëdhënës të interesave politike të partive të caktuara që kanë qenë në pushtet se sa e kanë trajtuar historinë në këto tekste me objektivitet. “ thotë zoti Milo.

Çfarë duhet bërë për të anashkaluar deficitin historik në brezat e ardhshëm?
Milo shpjegon se edukimi i brezit të ri të shqiptarëve me ndjenjën kombëtare përmes studimit të historisë kombëtare nuk është një çështje as politike as dhe elektorale, por është detyrim sa kombëtar aq edhe moral.
Mirëpo zoti Milo vëren se hartimi i teksteve nuk po bëhet nga profesionistë por sipas interesave të shtëpive botuese ‘Është detyrë më se urgjente rishkrimi i historisë mbi baza shkencore, pa dyshim didaktike, por nga njerëz me integritet shkencor dhe moral dhe jo të shkruhen tekste nga autorë tradicionalisht të paaftë dhe as të lejohen që tekstet shkollore të shërbejnë si një burim i madh fitimi për disa shtëpi botuese që lobojnë pafundësisht dhe financiarisht që të mos iu preket terreni i fitimit të tyre,” thotë Milo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë