Lajme

Ikja e tenorit legjendar Gaqo Çako

“Degën e dafinës e lëkundi Fllad i veriut, erë e jugut”, me këto vargje të kësaj kënge Gaqo Çako na ka mbajtur gjallë shpirtin në ditë të zymta.

Tenori legjendar me një jetë të tërë në skenë çdo gjë që ka dashur ta thotë, e ka thënë përmes këngës. Por, pamja e tij e ngrohtë dhe zëri brilant u shuan përgjithmonë, ndërsa këngët e tij u rikthyen në rrjetet sociale.

Në këngë ai zbuloi tematika, lajtmotive kaq të bukura sa arriti të bëhej tenori  kryesor për tri dekada me radhë, duke krijuar art në kohë dhe epoka shumë të vështira.

Me artin e vet, me të folurën shqip dhe me këngën shqip, ai vuri gurë në themelet e muzikës sonë.

Bota e kulturës e grishi që kur studioi në Liceun Artistik, e më tej u zgjerua me studimet në Moskë. Pas tij atje shkoi edhe artistja Luiza Papa, ku shumë shpejt gjetën dashurinë te njëri-tjetri. Dy artistë që i kushtohen jo vetëm artit, por edhe jetës së njëri-tjetrit.

Pasi u kthye në Shqipëri më 1961 u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës. Dhe sigurisht nisën edhe rolet e para të repertorit operistik. Por, shumë shpejt karriera e tij nisi të shkëlqejë. Me operat  “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma”, etj, si dhe operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, u kthye në një mjeshtër të skenës lirike.

Ashtu dalëngadalë zëri i tij tashmë ishte kthyer në objekt kënaqësie kudo që dëgjohej e shfaqej, në opera, në televizion, në radio, në salla të mëdha a të vogla koncertesh.

Por, Gaqo Çako nuk qëndroi vetëm në opera. Ai u popullarizua nëpërmjet këngës, veçanërisht atyre të Festivaleve të Radios dhe televizionit shqiptar dhe interpretoi disa nga këngët më të mira të muzikës shqiptare.

E një jetë e tillë në përmasat e legjendares vjen e përmbledhur edhe në librin “Legjenda e gjallë e tenorit” nga miku i tij, artisti Eno Koço.

Ikja e tij solli trishtim të madh tek artdashësit. Homazhet u mbajtën paraditen e së enjtes në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë