Një faturues dritash pretendon se është përzënë me gurë e është goditur me grushte, nga një familje e pakënaqur pasi ai ka lexuar vlerën në aparatin matës. Fjala e tij është kundër fjalës së familjes në Paskuqan, ndërkohë që policia ka urdhëruar kryerjen e ekspertimit të aparatit matës, që vlerësohet se është dëmtuar dhe që do jetë e vetmja provë në investigimin policor. Sipas një burimi policor të gazetës “Si”, Agim Gjergjndreaj është punonjës i OSHEE dhe këmbënguli para oficerëve se ai punon si lexues i energjisë elektrike në zonën e Paskuqanit dhe të Babrrusë.
Sipas qëndrimit të 55-vjeçarit, ditën që u gjend nën sulmin e familjes, ai kreu të njëjtin veprim si përherë. “Trokita tri herë, doli një grua, i tregova se kisha ardhur të lexoja matësin që gjendej brenda murit të shtëpisë”, rrëfehet mes të tjerash faturisti i OSHEE. Por pasi ka lexuar aparatin matës të energjisë elektrike, i zoti i shtëpisë F. Gjinaj ka kërkuar që ai ta rilexojë, pasi nuk e besonte që kishte harxhuar aq shumë drita.
“Shife, shife dhe njëherë, pasi nuk është në rregull. Edhe muajin e kaluar më hodhe shumë drita”. Denoncuesi insiston se është përgjigjur se ai hidhte aq sa ishte harxhuar, por fjalë pas fjale sipas punonjësit ai u tregua aq i duruar, sa u udhëzoi të paraqitej në zyrat e ankesave. “Por kryefamiljari ngriti zërin e më tha, është shtëpia ime e do bësh si them unë, se paratë i paguaj unë”, vijon në pretendimin e tij denoncuesi. Policia shton për gazetën “Si” se faturuesi është larguar në tentativë për të njoftuar shefin e grupit dhe kolegët, duke u zhvendosur disa metra, dhe në kohën kur po bisedonte në telefon, ai është gjendur nën breshërinë e gurëve. “Babë e bir u varën në qafën time, më shqyen këmishën, pastaj më goditën me gurë”, kujton punonjësi i OSHEE. Sipas tij burrat e shtëpisë, në nerva e sipër shkatërruan edhe aparatin matës të energjisë. Policia evidenton se kur grupi i gatshëm shkoi në banesë për verifikim për aparatin e dëmtuar, familja në fjalë ka mbyllur portën dhe nuk ka pranuar të hyjë askush.
Rezulton se policia ka thërritur për të pyetur tre familjarët rebelë. Secili prej tyre ka mohuar versionin e punonjësit të OSHEE. Madje, kryefamiljari ka dhënë një version që bie ndesh me qëndrimin e denoncuesit. Sipas tij, kur i kërkoi faturuesit ta rilexonte mirë aparatin matës, punonjësi e kishte sharë në shtëpinë e tij. Për këtë shkak kur të dyja palët janë qëndrime që kundërshtohen, policia ka vendosur të kryejë ekspertizën në aparatin matës, si dhe ka regjistruar hetimin për dyshimet e goditjes për shkak të detyrës dhe shkatërrim prone.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




