Analize

Vendet europiane hapin kufijtë, platformë e veçantë për turistët

Vendet e Bashkimit Europian kanë hapur sot kufijtë me njëra-tjetrën, duke i dhënë një impuls ta fuqishëm sektorit të turizmit.

Komisioi Europian u kërkoi vendeve anëtare të hapnin kufijtë me njëra-tjetrën, por kjo nuk do të thotë që Shengeni do të hapet plotësisht. Kontinenti i vjetër hyri si rrallëherë në izolim në mars kur vendet europiane vendosën në mënyrë kaotike kufizime kufijsh për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Komisioni Europian kërkoi që rihapja e kufijve të të merrej për çdo vend anëtar por kjo duket se nuk do të ndodhë.

Me afrimin e shpejtë të sezonit të pushimeve verore, njerëzit në të gjithë Evropën kanë filluar të pyesin nëse do të jenë në gjendje të largohen nga vendi i tyrë këtë verë dhe deri ku do të jenë në gjendje të shkojnë. Por pavarësisht thirrjeve të KE-së, hapja e kufirit vazhdon të jetë një proces kaotik në të gjithë Europën, me secilin vend që imponon rregullat e veta dhe orarin e vet të ri-hapjes.

KE platformë për turistët

Për t’u ardhur në ndihmë turistëve dhe për ta bërë më të unifikuar, KE paraqiti sot një platformë të re në internet, “Re-open EU, e cila përmban njoftime thelbësore për të mundësuar rinisjen e sigurt të udhëtimeve në vendet e Bashkimit Europian. Qëllimi është të ndihmojë turistët apo udhëtarët që të planifikojnë siç duhet pushimet apo udhëtimet e tyre gjatë muajve të verës dhe më tej.

Platforma do të sjellë njoftime të përditësuara dhe në kohë reale për kufijtë, për mjetet e mundshme të transportit, për kufizimet e udhëtimeve aty ku janë ende në fuqi, për masat e shëndetit publik dhe ato të mbrojtjes, si distancimi social, vendet ku duhen vënë maskat, si dhe informacione të tjera praktike për udhëtarët.

Platforma përbën një prej masave të njoftuara nga Komisioni Evropian në paketën e tij të Turizmit dhe të Transportit që me 13 maj, për të ndihmuar në kthimin e shpejtë të udhëtimeve dhe të aktivitetit të turizmit në të gjitha vendet e BE-së, duke respektuar njëkohësisht të gjitha masat e nevojshme shëndetësore.

Kjo platformë do të shërbejë si një pikë referimi për të gjithë ata që udhëtojnë drejt vendeve të BE-së, pasi informacionet dërgohen nga të gjitha vendet anëtare. Platforma është e aksesueshme nëpërmjet kompjuterit dhe telefonit dhe përmban një hartë me të gjitha vendet dhe situatën dhe masat specifike për secilin.

Ndërsa udhëtarët brenda BE-së mund të përfitojnë nga lëvizja e lirë në pjesën më të madhe të vende duke nisur që sot, për vendet e Ballkanit hapja e kufijve të zonës Shengen është propozuar të ndodhë më 1 korrik, por për ta konfirmuar pritet vendimi i vendeve anëtare.

Rregulla të veçanta për vende të veçanta

Pallati i Versajës gati për turistët

Kontrollet kufitare në disa vende tashmë janë zhdukur. Italia hapi kufijtë e saj në 3 qershor dhe qytetet në kufirin gjermano-polak festuan në orët e para të së shtunës ndërsa Polonia hapi portat. Në mesnatë, kryetarët e komunave Goerlitz, Gjermani dhe Zgorzelec, Poloni prenë zinxhirët e një gardhi që kishte ndarë dy qytetet.

Gjermania, si Franca po heq të hënën kontrollet e mbetura të kufirit dhe po anullon kriterin që personat që mbërrijnë të dëshmojnë se kanë një arsye të mirë për të hyrë. Po ashtu, ajo po lehtëson një paralajmërim në mbarë botën kundër udhëtimeve jo-thelbësore në vendet e përjashtuara evropiane – përveç ndoshta Finlandës, Norvegjisë dhe Spanjës, ku mbeten kufizimet e udhëtimit, dhe Suedisë, ku niveli i rasteve të reja të të infektuarve me koronavirusin vlerësohet shumë i lartë.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis pranoi sot se ardhja e shumë turistëve do të varet nga fakti nëse njerëzit ndjehen të qetë për të udhëtuar dhe nëse ne mund ta projektojmë Greqinë si një destinacion të sigurt”. Greqia ka theksuar menaxhimin e pandemisë, pasi në vendin fqinj numërohen deri më tani vetëm 183 viktima.

Spanja, e cila nuk po u jep fund kufizimeve në udhëtimet e brendshme edhe për një javë do të rifillojë plotësisht turizmin e huaj më 1 korrik. Vendi po lejon mijëra gjermanë të fluturojnë drejt ishujve Balearik për një provë dy-javore duke filluar nga e hëna – duke e pezulluar kështu masën e karantinës 14-ditore për këtë grup.

Dubrovnik

Shumë rajone gjermane kanë paraqitur sërish një kërkesë karantinimi për të ardhurit nga Suedia, strategjia e virusit të së cilës shmangte izolimin, por prodhoi një normë relativisht të lartë të vdekjes.

Autoritetet çeke do t’u kërkojnë udhëtarëve nga Suedia të tregojnë një rezultat negativ të testimit për COVID-19 ose të vetë-karantinohen – së bashku me udhëtarët nga Portugalia dhe rajoni Silesia i Polonisë.

Austria po hapet të martën për vendet fqinje evropiane përveç Spanjës, Portugalisë, Suedisë dhe Britanisë – dhe po mban në fuqi një paralajmërim udhëtimi për rajonin më të goditur të Italisë, Lombardinë. Franca po u kërkon njerëzve nga Britania të vetë-karantinohen për dy javë.

Kohët e fundit Britania prezantoi një kërkesë karantine 14-ditore për shumicën e udhëtarëve që mbërrijnë në vend, duke tronditur kështu sektorët e saj të turizmit dhe aviacionit, të cilët thonë se masa do të dëmtojë shumë nivelin e vizitorëve drejt Britanisë këtë verë.

Danimarka po hapet vetëm për turistët nga Gjermania, Norvegjia dhe Islanda – dhe vetëm nëse ata mund të dëshmojnë se do të qëndrojnë të paktën gjashtë netë. Norvegjia gjithashtu po mban mbyllur kufirin e saj të gjatë tokësor me Suedinë.

“E kuptoj se ky është një zhgënjim i madh. Por kufizimet bazohen në kritere objektive që janë të njëjta për të gjithë”, tha Kryeministrja norvegjeze Erna Solberg. “Nëse hapemi shumë shpejt, infeksioni mund të dalë jashtë kontrollit.”

Me fluturimet ajrore që po shtohen vetëm gradualisht, nervozizmi për valë të reja infeksioni jashtë vendit, pasiguri në lidhje me distancimin social në vendet turistike dhe shumë njerëz që përballen me papunësi ose ulje pagash, kjo mund të jetë një verë e mirë për turizmin vendas.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kancelari austriak Sebastian Kurz po planifikojnë të pushojnë në vendet e tyre këtë vit.

“Rekomandimi është akoma, nëse doni të jeni vërtet të sigurtë, t’i bëni pushimet në Austri,” i tha Ministri i Jashtëm austriak Alexander Schallenberg televizionit ORF, duke kujtuar përpjekjet në mars për të kthyer në atdhe mijëra turistë ndërsa kufijtë u mbyllën. “Në Austri, ju e dini se nuk duhet të kaloni një kufi nëse doni të ktheheni në shtëpi, dhe ju e njihni mirë infrastrukturën dhe sistemin shëndetësor”.

Qeveria gjermane, e cila ndihmoi me fluturimet ajrore për të kthyer në shtëpi 240, 000 njerëz ndërsa pandemia rritej vazhdimisht, gjithashtu nuk ka dëshirë të përsërisë atë përvojë.

“Apeli im për të gjithë ata që udhëtojnë: Shijoni pushimet tuaja verore – por shijojeni me kujdes dhe përgjegjësi,” tha Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas. “Gjatë pushimeve të verës, ne duam të bëjmë të pamundurën që virusi të mos përhapet përsëri në Europë.”

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë