Paralajmërimin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim se ekonomia shqiptare do të tkurret me 9 për qind për 2020, Presidenti Ilir Meta nuk e sheh vetëm si pasojë e krizës, por edhe si shpërfaqje të një problematike më të thellë të ekonomisë shqiptare.
“Paralajmërimet e fundit të BERZH dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare për uljen e rritjes ekonomike të Shqipërisë janë jo vetëm shqetësuese në një plan afatshkurtër, por dhe tregojnë krizën e thellë strukturore të ekonomisë sonë. Ndaj duhet të punohet seriozisht për të mbështetur aktivitetet ekonomike aktuale, por dhe të mendohet për të tejkaluar krizën strukturore duke rishikuar modelin ekonomik”, deklaroi kreu i shtetit përmes rrjeteve sociale.
Modeli i ri ekonomik, sipas Presidentit, duhet të mbështetet në diversifikim për të ulur riskun e krizave dhe garantuar zhvillim të qëndrueshëm.
“Ne duhet të punojmë për të shfrytëzuar kapacitetet potenciale të vendit tonë për të rritur prodhimin e energjisë, për të rritur vlerën e burimeve minerale dhe natyrore nëpërmjet përpunimit të tyre, për të rritur prodhimin industrial dhe për të shumëfishuar prodhimin bujqësor dhe atë agro-industrial”, thotë ai.
Meta kërkon që rëndësi t’i kushtohet edhe infrastrukturës dhe mbrojtjes së mjedisit.
“Zgjerimi i kapaciteteve portuale, i rrjetit të transportit, si dhe i transmetimit të energjisë është potencialisht një mundësi tjetër për të shfrytëzuar avantazhin tonë gjeografik rajonal. Ndërkohë që çdo politikë ekonomike dhe investimesh duhet të garantojë mbrojtjen e mjedisit si domosdoshmëri për fuqizimin e turizmit në mënyrë afatgjatë dhe me vizion”, deklaron kreu i shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




