Analize

Të braktisur nga shteti, italianët po hidhen në krahët e mafias

Ndërsa numri i të vdekurve në Covid-19 rritet, bandat e krimit të organizuar në Italinë fqinje janë duke bërë miliona euro. Shumë italianë mendojnë se nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të pranojnë shpëtimin që u ofrojnë bandat e krimit të organizuar.

Në ishullin e Siçilisë, vëllai i një mafiozi, po shpërndan ushqim për të varfrit në një lagje të Palermo.

“Njerëzit më telefonojnë dhe qajnë”, thotë ai. “Ata thonë se fëmijët e tyre nuk mund të hanë. Një grua e re me telefonon çdo ditë. Ajo ka pesë fëmijë dhe nuk di si t’i ushqejë”.

Ai nuk pranon të thotë se ishte vetë pjesë e mafies, por ai tha se nëse të jesh mafioz do të thotë të ndihmosh njerëz, atëherë ai ishte “krenar të ishte një mafioz”. Koronavirusi është i ri, por shpërndarja e ndihmave ushqimore për nevojtarët është një taktikë e vjetër mafioze.

“Qëllimi i tyre është të fitojnë besueshmëri dhe të futen si një alternative për shtetin,” thotë Nicola Gratteri, një hetues i Antimafias Italiane dhe kreu i zyrës së prokurorit në Catanzaro, në Kalabri.

Ekonomia e Italisë ka pësuar rënie për vite me radhë, me papunësi të lartë dhe rritje të ngadaltë ekonomike. Sikur të mos mjaftonte kjo, izolimi i çoi disa njerëz buzë dëshpërimit. Por të pranosh edhe ndihmën më të vogël nga një mafioz është jashtëzakonisht e rrezikshme.

“Mafia nuk ka bërë kurrë asgjë nga bujaria. Ky koncept nuk ekziston për ta,” thotë Enza Rando i cili punon po ashtu për Antimafian.  “Asgjë nuk kërkohet në këmbim në fillim. Por të gjithë do të duhet të paguajnë për ndihëm e dhënë nga mafia në një mënyrë apo tjetër.”

 Marcello zotëron një restorant në qendër të qytetit të Palermos, të cilin duhej ta mbyllte në mars.

Ai po pret që të marrë një ofertë që nuk mund ta refuzojë. “Gjithçka shumë e drejtpërdrejtë”, thotë ai. “Një mafioz troket në derë dhe ofron të të blejë biznesin. Pasi ju negocioni për çmimin, dikush transferon një pjesë të parave në llogarinë tuaj, dhe pjesën tjetër ju merrni në para”, tregon ai. “Tani për tani, biznesi im po fundoset. Dhe kur dikush hedh një jelek shpëtimi, mund të zgjidhni ose të mbyteni me idealet tuaja, ose të notoni.”

“Por mafia gjithmonë do të kthehet për të mbledhur nderet e saj”, thotë Gaspare Mutolo, një ish-mafioz sicilian që u bë një dëshmitar kryesor në dhjetëra gjyqe kundër mafies. “Kjo është mënyra se si kam punuar”, thotë ai. “Unë shfaqesha gjithmonë kaq bujar dhe nuk i tregoja kurrë qëllimet e  mia të vërteta. Por mos harroni se isha një kriminel që vrau më shumë se 20 njerëz”.

Mutolo foli për BBC nga një vend i fshehtë ku ai është nën mbrojtjen e policisë dhe i kalon ditët e tij duke pikturuar. Dëshmitë e tij shpesh përshkruajnë tentakulat e mafies që shkon në komunitet. Ai thotë se sa herë që ai “ndihmonte” një familje në nevojë, atyre nuk i interesonte kush ishte.

“Kur fëmijët tuaj po qajnë sepse nuk kanë ushqim në tryezë ose nëse biznesi juaj është duke falimentuat, ju nuk mendoni për pasojat e ndihmës nga njerëzit e gabuar. Ju thjesht mendoni të mbijetoni”, thotë ai.

Atëherë kur afroheshin zgjedhjet lokale, ai do të shkonte te njerëzit që i kishte ndihmuar dhe do t’u thoshte: Unë të ndihmova kur t’i kishe nevojë për mua. Tani, unë kam nevojë për ty. Dhe gjithçka që kërkoj është që të votoni këtë kandidat ”.

Mutolo thotë se mafia ka para të gatshme për të shpenzuar në rast të një krize. “Ata janë shumë më të efektshëm se shteti kur bëhet fjalë për të ndihmuar ata që kanë nevojë,” thotë ai.

Antonio dhe gruaja e tij Francesca zotërojnë një dyqan mishi në Pulia, në jug të Italisë. Disa ditë më parë, një nga klientët e tyre të rregullt hyri në dyqanin e tyre dhe ofroi borxh për t’i ndihmuar.

“Ne e shikuam njëri-tjetrin në sy dhe e kuptuam menjëherë se çfarë po ndodhte,” tha Antonio.

“Ai dhe gruaja e tij nuk pranuan ofertën, por ofrimi i borxheve është një taktikë e njohur mafioze. Ata japin borxh dhe më pas “fillon një agoni e ngadaltë”, thotë Gratteri. “Qëllimi përfundimtar i mafies nuk është kurrë të fitosh para, por të vësh nën kontroll biznesin dhe ta përdorësh atë për të pastruar para”.

“Nëse qeveria italiane nuk është në gjendje t’i ndihmojë këta njerëz, ata do të hidhen në krahët e mafies”, thotë Attilio Simeone, i cili punon po ashtu me Antimafian italiane.

Ndërsa bota përballet me rënien e saj më të dobët që nga Depresioni i Madh, shumë italianë do të jenë në gjunjë.

“Ky është momenti më i favorshëm për mafia,” paralajmëroi Enza Rando. “Tani për tani, koha është e rëndësishme.”

Ajo, si shumë ekspertë të antimafias, po i kërkon qeverisë italiane të sigurojë para në dispozicion të njerëzve dhe bizneseve para mafies. Qeveria italiane ka thënë se do të huazojë deri në 25,000 euro për bizneset në nevojë.

Por Marcello nuk ka ndërmend të kërkojë një kredi qeveritare.

“Do të ishte e pamundur ta ktheja. Të gjitha dyqanet që do të rihapen do të duhet të ndjekin rregullat e distancës sociale. Kjo do të thotë më pak klientë dhe shumë më pak para”, shprehet ai.

Ai thotë se të gjithë pronarët e restoranteve që ai njeh ndjehen njësoj. Ata besojnë se shitja e bizneseve të tyre mafies shpejt dhe pa pyetje ka të ngjarë të jetë opsioni i tyre i vetëm.

“Ndihem shumë keq”, thotë Marcello. “Unë e kam urryer gjithmonë mafien dhe po tradhtoj gjithçka që kam besuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë