Lojëra me Dore

Gjermania zhvillon turneun e parë të tenisit në kohë koronavirusi

Mes të rejave të fundit në botën e sportit në këtë periudhë është edhe mundësia për të luajtur tenis. Rregullat për administrimin e pandemisë nuk janë njësoj në çdo vend e Europës. Në Gjermani, për shembull, ka nisur të premten turneu i parë i tenisit në erën e koronavirusit, turneu “Tennis Point Exhibition Series”.

Turneu po zhvillohet me dyer të mbyllura në Hoehr-Grenzhausen, një qendër sportive e Renania-Palatinato, një vend me 10 mijë banorë. Marrin pjesë në këtë turne vetëm tenistët rezidentë të Landit, mes të cilëve Dastin Braun, 35-vjeçari i lindur Xhamajkë dhe i natyralizuar si gjerman, numri 239 në klasifikimin Atp të tenisit.

Dhe pikërisht Braun ishte ndër promotorët e turneut, që ka një format të veçantë: një grup prej 8 lojtarësh, ku të gjithë duhet të ndeshen me të gjithë. Më pas, 4 më të mirët kalojnë në gjysmëfinale. Përveç Braun, marrin pjesë edhe Janik Hanfman, Benzhamin Hasan, Konstantin Shmic, Johanes Haerteis, Zhan-Mark Verner dhe Florian Broska.

Turneu po zhvillohet pa publik dhe pa mbledhës topash. Në fushë zbresin vetëm 3 persona: 2 tenistët dhe gjyqtari i karriges. Dalja në fushë bëhet nëpërmjet hyrjeve të veçanta dhe dy pankinat janë pozicionuar në anë të kundërta të fushës. Tenistët e kanë të ndaluar të shkëmbehen mes tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë