Art dhe Kulture

Covid-19 i merr jetën përkthyesit Ilir Hashorva, libri i fundit fliste për një epidemi

Një tjetër shqiptar është bërë viktimë e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për autorin, publicistin dhe përkthyesin e njohur, Ilir Hashorva.

Lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të intelektualit fillimisht e dha botuesja e “Toena”, Irena Toçi, e cila ka shprehur dhimbjen për këtë humbje në botën letrare.

Toçi ndër të tjera ka vënë në pah bashkëpunimin e Shtëpisë Botuese “Toena” me autorin dhe përkthyesin Ilir Hashorva.

“Bashkëpunimi i Shtëpisë Botuese Toena me autorin dhe përkthyesin Ilir Hashorva, të birin e denjë të mësuesit dhe përkthyesit të njohur Ali Hashorva, nisi diku rreth vitit 2009 me botimin e vëllimit të parë të përgatitur prej tij, për figurën emblematike të Gandit, titulluar ‘Gandi – jeta’; Në vitet në vazhdim ky vëllim i parë u pasua nga botimi i dy vëllimeve të tjera kushtuar Gandit: ‘Gandi – filozofia dhe feja, Gandizmi’ si dhe ‘Analiza e komente për Gandin dhe Gandizmin’”, shkruan ajo.

Mes miqve që kanë shkruar për ndarjen e tij nga jeta është dhe shkrimtari Ardian Vehbiu, i cili ka konfirmuar vdekjen e kushëririt të tij nga Covid-19.

“Mbrëmë u nda prej nesh kushëriri im, miku dhe intelektuali Ilir Hashorva, i sëmurë me Covid-19.

Ka qenë gjithnjë pjesë dhe referim i familjes sime, veçanërisht i nënës sime, që e donte si të vetmin vëlla që nuk e pati.

Babai i tij, Ali Hashorva, ka qenë nga intelektualët e shquar të Shqipërisë para-komuniste, që mezi i mbijetoi tallazet e periudhës totalitare”, shkruan shkrimtari dhe gjuhëtari Ardian Vehbiu.

Ndër të tjera, ai thotë se libri i tij i fundit fliste për një epidemi.

“Sa e hidhur po më duket tani, që libri i fundit për të cilin po kujdesej, përkthimi integral që ia kish bërë i ati, Ali Hashorva, “Dekameronit” të Boccaccio-s, fliste për një epidemi të rëndë, si kjo e tanishmja”, shkruan ai.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10222721565776914&set=a.10202939978009583&type=3&theater

Ilir Hashorva është djali i mësuesit dhe përkthyesit të njohur, Ali Hashorva.

Ai ka botuar shumë libra vëllimi “Gandi – jeta”, “Gandi – filozofia dhe feja, Gandizmi” dhe “Analiza e komente për Gandin dhe Gandizmin”.

Në nder të 75-vjetorit e Çlirimit të Shqipërisë, ka sjellë në shqip “8 orë nga Anglia” të britanikut Anthony Quale – një dëshmi historike e ndodhive të Luftës së Dytë Botërore, hedhur në botim nga autori menjëherë pas fitores të koalicionit antifashist, me dëshmi autentike dhe të pandikuara nga ngjarje të tjera të mëvonshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë