The Guardian – Romani i fundit nga Haruki Murakami, eksporti më i kremtuar letrar i Japonisë, ka rënë pre e censorëve të Hong Kongut, ku gjykata e ka shpallur të padenjë, duke e hequr edhe nga ekspozimet në panairet e librit.
Gjykata e Hong Kongut mbi ‘Artikujt e Turpshëm’ ka lajmëruar se botimi në gjuhën kineze i librit të Murakamit “Kishidancho Goroshi”, (Vrasja e Komandantit), është klasifikuar përkohësisht si “Klasi II-material i turpshëm”, sipas mediave kineze. Kjo do të thotë se mund të shitet vetëm në librari me kopertinën e mbështjellë me një lajmërim rreth përmbajtjes së tij, me një akses të kufizuar për lexuesit mbi 18 vjeç.
Ky vendim ka bërë gjithashtu që romani të tërhiqet nga stendat e Panairit të Hong Kongut, ku një zëdhënës ka thënë se romani është hequr masivisht, pas vendimit të javës së kaluar.
“Vrasja e Komandantit” është një udhëtim epik i dashurisë dhe vetmisë, luftës dhe artit, një homazh mbi Getsbin e Madh dhe një vepër magjepsëse imagjinate nga një prej shkrimtarëve tanë më të mëdhenj”, është shprehur botuesi britanik Harvill Secker.
Libri ka dalë në shitje vitin e kaluar, në Japoni, ku u prit me ovacione nga fansat që prisnin në në librari prezantimin në mesnatë të veprës së re të Murakamit.
Një zëdhënës i departamentit të shërbimeve kulturore dhe argëtuese të Hong Kongut ka thënë për The Guardian se libraritë publike kanë aplikuar për mbështjellëse të padukshme dhe lajmërime si për kopertinën e parme ashtu edhe të pasme të librit. “Ky produkt në librari do të jetë i disponueshëm vetëm për lexuesit e moshës mbi 18 vjeç, ose edhe më lart, sipas kërkesave”, ka thënë ai.
Firma tajvaneze që boton romanin e Murakamit “Botimet China Times” ka thënë se i është kërkuar ta lëvizë nga stenda e panairit të Hong Kongut librin ndërsa janë lajmëruar ekspozitorët se shitja e materialeve “të padenjë” mund të çojë në mbylljen e stendës në panair.
Ky vendim është kritikuar në masë të gjerë. Jason Y Ng-u, president i PEN Hong Kong, ka thënë për The Guardian se “për një vend që e mban veten si një qytet aziatik i botës, këndvështrimi i autoriteteve të Hong Kongut drejt seksualitetit dhe trajtimit letrar të tij janë arkaike.”
Janë gjithashtu arbitrare. “Kush mund të thotë se përshkrimi i z.Murakami në “Vrasja e Komandantit” është më i padenjë se ndonjë roman i James Joyce-it apo Henry Miller-it?
E megjithatë i pari është ndaluar nga një ngjarje letrare ndërsa të fundit mësohen në shkolla si klasikë:, ka thënë Ng-u.
Një peticion prej afro 2 mijë njerëzisht kërkon një sprapsje të vendimit të gjykatës, duke deklaruar se kjo e bën Hong Kongun zonën më konservatore të Kinosferës dhe e turpëron popullin e Hong Kongut”.
Ky vendim vjen pas atij për heqjen e të gjithë librave për fëmijë me tema të LGBT-së, nga raftet e librarive në Hong Kong, pas presionit nga grupe të djathta anti-gay. Tituj si libri me piktura rreth dy pinguinëve meshkuj që bien në dashuri dhe adoptojnë një pulë, libër i cili ka fituar disa çmime dhe “Tango bën Tre” është hequr nga vështrimi publik dhe është i disponueshëm vetëm me kërkesa pas një fushatë të gjatë nga grupet anti-gay muajin e kaluar.
“Çdo qytetar, gay apo heteroseksual, duhet të ndihet i fyer njësoj nga kjo lloj censure e pakuptimtë. Shpresojmë se shoqëria civile në Hong Kong do të vijojë të jetë vigjilente për të siguruar se këto incidente të izoluara të mos kthehen në një model shqetësues dhe më pas në një normë të re,” ka thënë Ng-uja.
PEN Internacional së fundi ka pranuar një raport nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut rreth censurës në rritje në rajon dhe
Rachael Jolley, botuese e Indeksit të Censurës, ka thënë se kufizimet e fundit “duket se janë pjesë e një tendence shqetësuese në Kinë, e cila po bëhet më kufizuese rreth mënyrës sesi seksi portretizohet në libra dhe se çfarë është “e lejuar”. Panairet janë vendi i fundit ku presim të shohim censurë, kështu që është shqetësues fakti se po shohim si po hiqet romani i f undit i Murakamit nga stendat e panaireve të Hong Kongut. Panairet e librave janë vendi ku njerëzisht shkojnë për të parë një gamë letërsie dhe duhet të njoftojmë drejtoret të sigurohesh se u rezistojnë censorëve që vendosin se cilat pjesë letërsie do të ekspozohen”, ka thënë Jolley.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.