Qeveria ka miratuar një akt normativ në formën e ligjit ku është vendosur që të gjitha spitalet private të jenë të përgatitur në varësi të situatës për të përballur të sëmurë të prekur nga koronavirusi. Kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në Facebook, e ka bërë të ditur këtë vendim, duke theksuar se ky akt do të zgjasë deri në përfundim të asaj që ai e cilëson si “fundi i luftës”.
“Në varësi të dinamikës së spitalizimit të të prekurve nga Covid-19, me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, vendosen në dispozicion edhe strukturat private spitalore, ambulatore, hoteliere, autoambulancat dhe personeli përkatës, shëndetësor e mbështetës”, shkruan Rama.
Gjithashtu kreu i qeverisë ka zbuluar se në rast se spitalet private do të refuzojnë për të zbatuar urdhrin e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu atëherë ato do të gjobiten.
“Moszbatimi i këtij urdhëri dënohet me gjobë në masën 5.000.000 lekë. Në rast mosbindjeje pas vendosjes së gjobës, struktura përkatëse vendoset forcërisht në dispozicion të shërbimit publik shëndetësor dhe personeli përkatës është i detyruar të shërbejë nën drejtimin shtetëror të strukturës gjatë gjithë kohëzgjatjes së infeksionit”, thekson kryeministri.
Ndërkohë Akti Normativ i qeverisë që hyri sot në fuqi parashikon gjoba nga 100 mijë lekë për shitjen me pakicë në 5 milionë lekë për shitjen me shumicë për këdo që abuzon me çmimet. “Rritja abuzive e çmimit të shitjes të të gjitha mallrave dhe produkteve ushqimore, barnave, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve, në krahasim me çmimin e tyre në shitje të rregullt të tregtuar në muajt paraardhës nga data e hyrjes në fuqi të këtij Akti Normativ dhe për produktet sezonale, sipas çmimit të tregtuar në të njëjtën periudhë kohore të vitit paraardhës nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, kur nuk vjen si pasojë e çmimit nga importi i tyre, dënohet me gjobën 5 milionë lekë për shitjen me shumicë dhe 100 mijë lekë për shitjen me pakicë”, tha Rama. Ai shtoi se “në rast përsëritjeje subjektit i mbyllet veprimtaria për 6 muaj”.
Një nga pikat e Aktit Normativ thekson se nëse personi që hyn brenda territorit dhe nuk deklaron ardhjen nga zonat e prekura nga infeksioni gjobitet 700 mijë lekë. Po ashtu gjoba do të jetë në këtë vlerë nëse nuk vetëkarantinohet për 14 ditë dhe nuk zbaton urdhrin. Gjithashtu nëse ke rezultuar pozitiv dhe nuk zbaton urdhrin e dhënë nga organet kompetente për vetëkarantinimin e detyrueshëm gjobitesh 700 mijë lekë.
E ndërsa pjesa dërrmuese e institucioneve kanë pezulluar punën, në Aktin Normativ specifikohet që nga tani e në vazhdim, marrja e vendimeve nga organet kolegjiale duhet të realizohet edhe nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik. Ky akt do të jetë në fuqi deri sa të fitohet lufta me koronavirusin.
Masat e reja të Aktit Normativ që janë futur në fuqi për parandalimin e përhapjes së koronavirusit:
- Kush eksporton barna e pajisje mjekësore pa autorizim, gjobë 5 mln lekë dhe sekuestro
- Kush organizon protesta, ndeshje apo konferenca 5 mln lekë gjobë
- Familjarët që futen pa leje në spitale gjobë 500 mijë lekë
- Kush fsheh ardhjen nga zona të prekura ose të infektuarit që nuk vetëkarantinohen gjobë 700 mijë lekë
- 1- 5 mln lekë gjobë për çerdhet, kopshtet dhe shkollat që nuk mbyllen
- Palestrat, qendrat sportive dhe të internetit që rrinë hapur gjobë 1 mln lekë
- Gjobë 1 mln lekë nëse organizoni ekskursione
- Nëse hapni lokalet, restorantet dhe diskot 1 mln lekë gjobë
- Postat që nuk respektojnë distancat në radhë 1 mln lekë gjobë
- Strukturat shëndetësore publike/private që lejojnë grumbullim 1 mln lekë gjobë
- Drejtuesit e makinave që qarkullojnë iu hiqet patenta për 3 vjet, bllokim mjeti
- Deri në 5 mln lekë gjobë po rritët çmimet e ilaçeve e ushqimeve në kohën e koronavirusit
- Emisionet me më shumë se 2 persona do gjobiten 1 mln lekë
- Shkeljet e masave të sigurisë nga farmacitë gjobë 50 mijë deri në 10 mln lekë
- Nëse rriten të infektuarit, spitalet private, hotelet e personeli në dispozicion të situatës, kush thyen urdhrin 5 mln lekë gjobë
- Gjobat i vendos policia dhe institucionet e tjera, lekët derdhen në buxhetin e shtetit
- Në periudhën e koronavirusit vendimet e organeve kolegjiale vetëm përmes video-konferencave
- Akti Normativ me masat drastike deri sa të fitohet lufta me koronavirusin
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




