Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mund të ketë mësuar ditën e djeshme se nuk do të jetë e lehtë t’ia zërë vendin presidentit Hashim Thaçi si kryenegociatori në dialogun me Serbinë.
Thaci u takua për herë të parë me Aleksandër Vuçiç në Shtëpinë e Bardhë. Kjo nuk ishte vetëm hera e parë që dy presidentët e Kosovës dhe Serbisë thirreshin aty, por takimi më i lartë i mbajtur në Uashington për arritjen e një marrëveshjeje mes dy palëve. Bisedimet me Thaçin dhe Vuçiçin, presidenti Donald Trump duket se ia kishte lënë në dorë dy njerëzve të tij më të besuar, të dërguarit special për dialogun Richard Grenell dhe Këshilltarit të tij për Sigurinë Kombëtare Robert O’Brien.
Por ndërkohë që ata bisedonin për plane që ka të ngjarë të përcaktojnë fatin e dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri Albin Kurti është lënë mënjanë. Qeveria e Kosovës konfirmoi më vonë se as që ishte në dijeni të takimit në Shtëpinë e Bardhë.
Kryeministri Kurti ka ardhur në pushtet duke u zotuar të marrë frerët e dialogut me Serbinë, por brenda një muaji është lënë jashtë 3 zhvillimeve më të mëdha për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve: marrëveshjen për rikthimin e fluturimeve direkte Prishtinë-Beograd, asaj për ndërtimin e hekurudhave që lidhin dy vendet dhe takimit në Shtëpinë e Bardhë,
“Ne e kemi marrë vesh për takimin nga mediat. Siç e kam thënë edhe më herët dhe e përsërita gjatë seancës së Parlamentit dje, veprimet e Presidentit nuk janë transparente dhe nuk koordinohen me institucionet e Kosovës ” tha Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi. “Ne nuk kemi asnjë informacion për agjendën e Presidentit, dhe se çfarë u diskutua dhe për pozicionin e mbajtur nga Presidenti gjatë takimeve që ai pati në Uashington” shtoi numri dy i qeverisë së Kosovës.

Abazi bëri me dije se Kryeministri Kurti e ka thirrur disa herë presidentin Thaci për koordinimin në politikën e jashtme dhe dialogut me Serbinë, duke shtuar se presidenti nuk e respektoi kurrë kërkesën e tij. Në fakt, duke parë takimet e nivelit të lartë që Thaci ka zhvilluar në Uashington, në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Pentagon, presidenti duket se i ka “krahët e ngrohta” edhe nga SHBA-ja.
Të hënën kryeministri Albin Kurti i shkroi një letër Presidentit Donald Trump duke e informuar se ai është në krye të dialogut me Serbinë. Rastësi ose jo, por atë ditë Thaçi takoi Vuçiçin me ftesë të Grenell në Shtëpinë e Bardhë. A është ky një sinjal se SHBA preferon Thaçin në vend të Kurtit?
Nuk do të ishte çudi. Ndryshe nga Thaçi, i cili kërkon prej një viti heqjen e taksës ndaj importeve serbe, Kurti iu përgjigj kërkesave të SHBA-së me një heqje të pjesshme të kësaj tarife. Ambasadori Grenell nuk e fshehu pakënaqënë ndaj kreut të qeverisë së Kosovës, duke thënë se Thaçi po bënte një gabim shumë serioz. Kjo nuk do të ishte hera e parë që ai do të përplasej me Grenell, pasi gjatë vizitës së tij të parë në Prishtinë, i Dërguari Special i Trump i kërkoi tre muaj më parë heqjen e taksës.

Por Kurti tha se kjo nuk do të ishte përparësia e qeverisë së tij. Që atëherë rastësisht ose jo, ai është lënë jashtë çdo nisme për normalizimin e marrëdhënieve, pavarësisht ka deklaruar vazhdimisht se dialogun do ta udhëheqë ai. Deri më tani, amerikanët duket se po vazhdojnë të trokasin në derën e Thaçit, ndërkohë që kreu i qeverisë është i painformuar për marrëveshjet që nënshkruan vendi i tij.
Dhe ashtu si në çdo takim, informacionet për atë çka u bisedua në Shtëpinë e Bardhë kanë qenë të pakta.
Presidenti Vuçiç tha se takimi me homologun kosovar, Hashim Thaçi, në Uashington, kaloi ” si zakonisht”, duke theksuar se Serbia është duke e pritur heqjen e taksës përpara se të arrijë marrëveshje të tjera me Kosovën. Vuçiç duket të ketë dalë i pakënaqer nga takimi, pasi u tha gazetarëve nga Uashingtoni se Serbia kishte punuar kundër njohjes së Pavarësisë së Kosovës dhe se sipas tij, vende të tjera do të tërhiqen nga vendimi i tyre .

“Serbia do të pezullojë veprimet diplomatike për kundër njohjes Kosovës vetëm kur shqiptarët të ndalojnë së kërkuari që Serbia të njohë Kosovën”, deklaroi si. “Mos kërkoni njohje. Ne nuk do të tërhiqemi nga përpjekjet tona diplomatike”, shtoi ai.
Megjithatë, Vuçiç përsëriti se Serbia është e gatshme për dialog nëse Prishtina heq tarifat.
“Kur shqiptarët tërheqin taksat e tyre, ne jemi të gatshëm të flasim për gjërat thelbësore,” u tha Vuçiç gazetarëve në Uashington. Vuçiç tha madje se Shtetet e Bashkuara nuk kërkuan lëshime nga Serbia në këmbim të heqjes së tarifave të Prishtinës.
“Amerika thotë, pa dyshim dhe qartë, se gjëja e parë dhe e vetme që shqiptarët duhet të bëjnë në këtë pikë është heqja e tarifave”, tha ai.
Nëse hiqen tarifat, atëherë mund të diskutojmë se cilin format do të vazhdojë dialogu dhe se në cilat tema do të përqendrohemi”, tha ai,
Duke iu përgjigjur deklaratave të presidentit serb, Kurti tha se shteti serb po i përgjigjet vullnetit të mirë të Kosovës për heqjen e pjesshme të taksës me intensifikim e fushatës kundër pavarësisë.
“I bëj thirrje Serbisë zyrtare që ta ndalë këtë ofensivë dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj. Po ashtu, do të kërkoj nga faktorët ndërkombëtarë, në radhë të parë SHBA-të dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që Të ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës”, tha Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




