Analize

BE tregon planin e ri për Shqipërinë, duke kënaqur edhe Francën

Bashkimi Europian ka tanimë një plan të ri për Shqipërinë dhe Ballkanin. Duke folur sot në Bruksel, Komisioneri i Ri i Zgjerimit, Olivér Várhelyi prezatoi në propozim për ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit, duke plotësuar kushtin e Francës për hapjen e negociatave.
Plani i ri i Komisionit është nën-titulluar “një perspektivë e besueshme e BE-së për Ballkanin Perëndimor” dhe pritet ta ndajë procesin në faza dhe të forcojë investimet ekonomike në rajon.
Varlehy propozi që kapitujt e negociatave të grupohen sipas gjashtë tematikave: tregu i brendshëm; konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; burimet, bujqësia dhe kohezioni; marrëdhëniet e jashtme.
“Ne jemi duke punuar në tre pista: Së pari, sot ne propozojmë hapa konkret se si të përmirësohet procesi i pranimit. Ndërsa jemi duke forcuar dhe përmirësuar procesin, qëllimi mbetet anëtarësimi dhe anëtarësimi i plotë në BE. Së dyti, dhe paralelisht, Komisioni qëndron fort në rekomandimet e tij për të hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe së shpejti do të sigurojë një përditësim mbi përparimin e bërë nga këto dy vende.
Së treti, në përgatitjen e Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb në maj, Komisioni do të paraqesë një plan zhvillimi ekonomik dhe investimesh për rajonin. ” u shpreh Várhelyi.
Ai tha se kur vendet partnere të plotësojnë kriteret objektive, shtetet anëtare duhet të bien dakord të shkojnë përpara në fazën tjetër të procesit.

Komisioneri i Ri i Zgjerimit, Olivér Várhelyi


“Komisioni propozon të rrisë mundësinë e dialogut politik të nivelit të lartë, përmes takimeve të rregullta BE-Ballkan Perëndimor dhe kontakteve të intensifikuara ministrore. Për më tepër, shtetet anëtare duhet të përfshihen në mënyrë më sistematike në monitorimin dhe rishikimin e procesit”, tha ai.
Plani që ai prezantoi të mërkurën pasqyron shumë nga kërkesat e Francës. Ai do t’i lejonte anëtarët e BE-së të vendosin negociatat “në pritje” ose ti “pezullojnë në përgjithësi” nëse një vend kandidat konsiderohet se nuk ka bërë përparim në çështjet kryesore.
Metoda e re gjithashtu do t’i jepte qeverive të BE më shumë pushtet për të gjykuar përparimin e vendeve kandidate drejt përmbushjes së standardeve të BE-së, një detyrë që tani është kryesisht në duart e Komisionit Europian, i cili është akuzuar nga shtetet anëtare se është shumë “optimistë” në vlerësimet e tij.
Sipas Varhelyt, një plus për vendet që duan të bëhen pjesë e BE-së, është se ato mund të përfitojnë nga “rritja e fondeve dhe investimeve” të BE-së dhe integrimi më i madh në Europë se të bëhen anëtare, nëse gjykohet se kanë përmbushur disa kritere.
Është e e paqartë nëse të gjitha vendet e BE mund të bien dakord për të gjitha detajet dhe të miratojnë planin e ri përpara samitit të liderëve të BE-së muajin e ardhshëm, për të cilin Merkel ka thënë se BE duhet t’i japë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dritën e gjelbër për bisedime.
Plani i ri përmban një tjetër element kryesor të kërkuar nga Parisi, rritjen e presionit për sundimin e ligjit.
“Komisioni ka ndërtuar një urë të fortë me Francën. Ne shpresojmë që Franca të bashkohet me konsensusin e BE dhe t’i hapë rrugën fillimit të bisedimeve të pranimit,” tha një diplomat i BE.

Ai parashikon hartimin e “një udhërrëfyesi për sundimin e ligjit” për anëtarët e ardhshëm dhe sqaron se asnjë kapitull tjetër i negociatave nuk do të mbyllet derisa të përmbushen standardet në këtë fushë.
Várhelyi argumentoi se ky fokus nuk vjen vetëm për shkak të shqetësimeve franceze. “Ne gjithashtu e konsiderojmë atë si një përparësi,” tha ai.

Pika kryesore e propozimit të ri:

Procesi i pranimit, i cili deri është ndarë në kapituj, do të thjeshtohet në të ardhmen. Vendet anëtare fitojnë më shumë ndikim dhe, në raste ekstreme, ato mund ti anulojnë bisedimet e anëtarësimit nëse një vend kandidat nuk shkel vlerat e BE-së.
Shpejtësia e procesit do të varet vetëm e vetëm nga përparimi që është bërë në të vërtetë; sidomos në lidhje me sundimin e ligjit. Kjo do të rrisë presionin për vendet kandidate.
Shtetet Anëtare mund të ndërpresin ose ndalojnë plotësisht negociatat e pranimit në fushat të caktuara. Kapitujt që janë negociuar tashmë mund të rihapen përsëri nga e para nëse nuk shihej përparim real. Kjo “kthyeshmëri” e procesit është veçanërisht e rëndësishme për Fracën, pasi ky “arsenal” kërcënues ndaj vendeve kandidate mund të shitet në zgjedhjet e ardhshme lokale franceze si një sukses i Macron.
Një nga propozimet kryesore është integrimi sektorial, që do të thotë se pas mbylljes së një kapitulli, vendi përkatës do futet në sistemin e BE-së në fushën përkatëse në vend se të presë anëtarësim të plotë. Nëse mbyllet si për shembull kapitulli i transportit, vendi përkatës përfiton fondet pikërisht në këtë sektor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë