Komiteti i Tregtisë Ndërkombëtare në Parlamentin Europian i kërkon Komisionit dhe Këshillit Europian hapjen e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e muajit maj, duke nënkuptuar se çdo vendim tjetër rrezikon që të minojë interesat e Bashkimit Europian në këtë rajon.
Në një draft-opinion me 10 pika të dorëzuar në Komitetin për Punët e Jashtme në PE, që gazeta “Si” disponon kujtohet se zotimi i Brukselit ndaj perspektivës europiane të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë në thelb të të gjitha prioriteteve të BE për rajonin.
“(Komiteti) thekson se nisja, zhvillimi dhe përfundimi i suksesshëm i bisedimeve të anëtarësimit me vendet e Ballkanit Perëndimor është një prej prioriteteve kryesore të BE në këtë rajon. Komiteti beson se zgjerimi është një rrugë me dy korsi, ku të dyja palët duhet t’u qëndrojnë zotimeve të tyre”, thotë Komiteti i Tregtisë në draft-opinionin e dorëzuar në Komitetin për Punët e Jashtme.
Në njërën prej pikave të draft-opinionit ngrihet një shqetësim ndaj Serbisë.
“Nënvizojmë me shqetësim se një marrëveshje për tregti të lirë mes Unionit Ekonomik Euroaziatik dhe Serbisë ka hyrë në fuqi, duke rrezikuar që të minojë marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe statusin e vendit kandidat, që Serbia ka marrë prej vitit 2009”, thuhet në draft-opinion.
Në pikat e tjera të këtij dokumenti, theksohet nevoja për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, nënvizohet fakti që BE është investitori më i madh në rajon dhe thekson nevojën për t’i dhënë rajonit prioritet në strategjinë e Brukselit për ndërlidhjen, përmes investimeve në projektet infrastrukturore në energji dhe transport.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




