Më 21 janar, zëdhënësja e KE Ana Pisonero deklaroi, “Ju e dini shumë mirë se BE ka mbështetur rekomandimet nga Këshilli i Evropës për rastin e ligjit për medien në Shqipëri. Ne pranojmë se shqetësimet dhe rekomandimet janë ende të vlefshme dhe për ne ato duhet të ndreqen. Dhe ne e shohim si një mundësi për të reflektuar ndryshimet faktin që Presidenti i Shqipërisë ia ktheu ligjin Parlamentit. Dhe kjo është diçka për të cilën ne ende kemi shpresë se ata do ta bëjnë.”
Në deklaratë binte në sy që ndërkohë që autoritetet punojnë me OSBE, KE i referohet vetëm Këshillit të Evropës. Pse nuk i referohet OSBE? Apo prej dyshimeve që lindën pasi përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medies Harlem Desir e mbështeti me vrap por pastaj u tërhoq në mënyrë delikate vetëm pak më vonë? Ndoshta KiE mund të bisedonte me Z. Desir? Ose anasjelltas? Pak e koklavitur, edhe kjo.
Një ditë më pas, shumica dukej e vendosur. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, deklaroi më 22 janar – vetëm një javë më parë – se “ne do t’i rrëzojmë dekretet e Presidentit dhe do të vijojmë bashkëpunimin me çdo organizatë brenda e jashtë vendit, për çdo përmirësim të mundshëm të legjislacionit “antishpifje” në të ardhmen. Ne jemi në kontakt dhe i falënderojmë kolegët e APKiE që ia kaluan Komisionit të Venecias tekstin dhe mezi presim ta përmirësojmë më tej ligjin me sugjerimet e vyera te Komisionit të Venecias. Ndërkohë sikurse e kemi thënë, institucionet përkatëse shqiptare do të punojmë ngushtësisht me OSBE për aktet e domosdoshme nënligjore.”
Sot, pasi u shtuan zërat kundër ligjit, Taulant Balla tha po presim Venecian një herë. Çudi, pse iu desh kaq shumë kohë shumicës për të kuptuar që nuk ka urgjencë?
Në fund, Soreca, i cili shkruan në Twitter që ta dëgjojnë më shumë eprorët në Bruksel se sa shqiptarët, kishte këtë për të thënë: “Mirëpresim vendimin e shumicës qeverisëse për ta shtyrë votimin për Ligjin për Mediet Audio-Vizive. Presim me kënaqësi opinionin e Komisionit të Venecias dhe nxisim autoritetet të trajtojnë shqetësimet që mbeten të organizatave të medieve dhe bashkësisë ndërkombëtare.” Sipas Soreca-s, as opinion i Venecias nuk do të mjaftojë?
Pak rrëmujë duket. Por rëndësi ka që shumica u tërhoq. Siç tha Presidenti Meta, i cili harron të përmendë medien në postimin e tij në Twitter, “reflektimi i shërben një qëllimi më të madh të përbashkët që është mbrojtja e të drejtave kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




