Një virus i ri, mijëra njerëz të infektuar, por asnjë vaksinë dhe kurë. Bota është përballur me të njëjtin problem edhe vite më parë si me shpërthimin e virusit të Ebolas, të Zika-s, të Mers-it, ndërkohë duket se koha po na çon tek e njëjta vështirësi. Tashmë po përballemi me koronavirusin që ka infektuar mijëra njerëz dhe ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra të tjerëve.
Por ndryshe nga shumë shpërthime virusesh më parë, ku vaksinat për të mbrojtur njerëzit kanë dashur vite për t’u zhvilluar, hulumtimi për një vaksine për të ndihmuar frenimin e këtij shpërthimi filloi brenda disa orësh nga momenti që u identifikua virusi nga OBSH.

Zyrtarët e Shëndetësisë në Kinë e gjetën shumë shpejt kodin gjenetik, duke ndihmuar kështu shkencëtarët të përcaktojnë origjinën e virusit, parandalimin e një shpërthimi më të madh si dhe të përcaktojnë disa masa mbrojtëse për njerëzit. Më përparimin e teknologjisë dhe një angazhim të madh nga qeveritë në mbarë botën për të financuar kërkime mbi sëmundjet që zhvillohen, veprimet për të nisur kërkimet janë bërë më të lehta.
Në laboratorin e quajtur “Inovio” në San Diego, shkencëtarët po luftojnë me kohën për të zhvilluar një vaksinë. Ata po përdorin një teknologji të re nëpërmjet ADN-së për të krijuar vaksinën deri në fillim të verës. Në planet e tyre vaksina mund të quhet “INO-4800”.
Kate Broderick, nënkryetare e qendrës së kërkimit dhe zhvillimit në laboratorin Inovio, tha se
“sapo Kina siguroi sekuencën e ADN-së të këtij virusi, ne ishim në gjendje që nëpërmjet teknologjisë kompjuterike në laboratorin tonë, të hartonim një vaksinë të mundshme brenda tre orësh”.

Laboratori ka deklaruar se nëse provat fillestarë të vaksinës që ata kanë menduar të bëjnë, do të kenë sukses, atëherë koronavirusi do të jetë një kujtim i keq për të gjithë njerëzit në Kinë, por jo vetëm. Sipas ekspertëve në laborator, mendohet që ky proces të ketë mbaruar deri në fund të vitit.
Është e pamundur të parashikohet nëse do të arrihet të mbahet nën kontroll virusi deri atëherë, por nëse laboratori ndjek planin që ka. Atëherë shumë shpejt do të kemi një vaksinë të re.
Herën e fundit kur shpërtheu një virus i ngjashëm (SARS) në vitin 2002, Kina i tregoi me shumë vonesë botës se çfarë po ndodhte, kështu që edhe përgatitja e kurimit kërkoi shumë kohë. Në artikullin e një gazetari kinez të quajtur Da Shiji thuhet se edhe koronavirusi është fshehur njëjtë si SARS-i në vitin 2002 dhe prandaj u përhap me shpejtësi.
Puna në laborator është duke u financuar nga Koalicioni për Inovacione të Përgatitjes Epidemike(Cepi), një organizatë që përbehet dhe financohet nga qeveritë dhe organizatat shëndetësore nga e gjithë bota.
Organizata është krijuar pas shpërthimit të virusit të Ebolas, në Afrikën Perëndimore për të siguruar fonde dhe për të përshpejtuar zhvillimin e vaksinave për sëmundje të reja.
Melanie Saville, drejtore e hulumtimit dhe zhvillimit të vaksinave në organizatë tha se misioni i qeverive është që të sigurohen nëse shpërthimet nuk janë një kërcënim për njerëzimin dhe të zhvillojnë vaksina infektive që shfaqen.
Cepi po financon gjithashtu dy programe të tjera që po krijojnë një vaksinë për këtë koronavirus të ri.
Universiteti i Queensland është duke punuar për një vaksinë e cila krijon një lloj “mpiksje molekulare”, për të cilën ekspertët shpjegojnë se “mundëson prodhim të shpejtë të vaksinave kundër patogjenëve të shumtë viralë.”
OBSH po ndjek hap pas hapi këtë përpjekje globale për një vaksinë të re. Edhe pse përpjekjet për të dalë me një vaksinë për këtë koronavirus të ri janë përshpejtuar, hulumtimi është ende në një fazë të hershme dhe të gjitha instancat janë në garë me kohën për realizimin e vaksinës./BBC/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




