Analize

BE nis evakuimet, ç'do të ndodhë me 400 shqiptarët e bllokuar në Kinë?

Qindra qytetarë europiane, përfshirë edhe ata nga Shqipëria janë bllokuar në Kinë, pasi të gjitha kompanitë ajrore europiane anuluan fluturimet drejt Kinës. Vendimi erdhi pasi numri i viktimave nga shpërthimi i koronavirusit ka arritur në 170, ndërkohë që rasti i fundit është zbuluar në Tibet duke konfirmuar kështu se virus ka arritur në çdo rajon të Kinës. Kjo ka bërë që kompanitë si “British Airways”, “Lufthansa”, apo “Austrian Airlines” të anulojne të gjitha fluturimet drejt Kinës, duke lënë të izoluar qytetarët që duan të kthehen në shtëpi.

E vetmja që po vazhdon fluturimet e kufizuara është “Turkish Airlines”, por edhe kompania turke pritet të tërhiqet për shkak të shqetësimeve për sigurinë e ekuipazhit të avionit. Por çfarë do të ndodhë me qytetarët që duan të kthehen në shtëpi?

Aktualisht mbi 400 shqiptarë mësohet se ndodhen në Kinë. Lajmi është konfirmuar nga Ministrja e Jashtme, para disa ditësh, por nuk dihet ende nëse sa prej tyre ndodhet në qytetet e vendosura në karantinë për shkak të shpërthimit të virusit. 60 mësohet se janë studente.

Po ashtu, nuk dihet ende sa prej shqiptarëve që ndodhen në Kinë kanë bërë kërkesë për t’u kthyer në shtëpi, por përhapja e virusit ka alarmuar qytetarët europianë që ndodhen në ekonominë e dytë më të madhe të botës.

BE nis evakuimet e qytetarëve të bllokuar në Kinë, Gazeta Si, 2020

Më shumë se 600 qytetarë europianë në Kinë kanë bërë kërkesë të rikthehen në vendet e tyre për shkak të epidemisë, duke e detyruar BE-në të vihet në lëvizje. Lajmi për kthimin e tyre u bë i ditur nga KE-ja të mërkurën, pasi linjat ajrore filluan të pezullojnë fluturimet drejt Kinës.

“Qytetarët e BE-së në Kinë dëshirojnë të largohen por nuk mund ta bëjnë këtë për momentin pasi nuk ka më fluturime direkte,” u tha gazetarëve Janez Lenarčič, komisioneri i BE-së për
menaxhimin e krizave. Të prekurit vijnë nga Austria, Belgjika, Bullgaria, Gjermania, Spanja, Finlanda, Franca, Italia, Letonia, Hollanda, Polonia, Portugalia, Rumania dhe Britania, tha ai.

Të martën Franca aktivizoi mekanizmin europian të mbrojtjes civile në mënyrë që të koordinojë riatdhesimin e shtetasve europianë nga qyteti i Wuhanit, epiqendra e epidemisë.

Sipas mekanizmit, Komisioni Europian do të mbulojë në koston e fluturimeve. Por çfarë do të ndodhë me shqiptarët atje, të cilët nuk janë qytetarë europianë?

Ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja

Deri më tani qeveria nuk ka njoftuar asnjë operacion për kthimin e tyre në shtëpi dhe nuk dihet nëse BE-ja do të ndihmojë ose jo në evakuimin e tyre. Megjithatë, në rastin e Turqisë, një vend jo anëtar si Shqipëria, Ankaraja zyrtare do t’i nxjerrë vetë qytetarët e saj jashtë Kinës për t’i vendosur më pas në karantinë, dhe deri në momentin që flasim nuk i është ofruar ndihmë nga BE-ja.

Ambasadori turk në Kinë njoftoi të mërkurën se Ankaraja do të evakuojë 32 qytetarë dhe familjet e tyre nga Wuhan, në ditët e ardhshme. Qeveria ka thënë se nuk ka raste të konfirmuara të koronavirusit në Turqi dhe autoritetet po përdorin kamera termike në aeroporte për të parandaluar përhapjen e tij. Shqiptarët që shkojnë në Kinë përdorim kryesisht fluturimet e “Turkish Airlines” nga Stambolli. Kjo kompani ka pezulluar fluturimet për në Wuhan dhe ka kufizuar fluturimet në provincat e tjera kineze, por nuk i anuluar plotësisht, ndryshe nga kompanitë e tjera ajrore europiane.

Në një deklaratë të parë dhe të vetme për këtë çështje, Ambasadori i Shqipërisë në Pekin, Selim Belorlaja, sinjalizoi se shteti shqiptar nuk mund të marrë përsipër kthimin e qytetarëve, duke u kërkuar familjarëve të financojnë kthimin e tyre.

“I kemi ftuar gjithë shqiptarët që studiojnê, punojnë ose thjesht ndodhen në Kinë, të identifikohen në e-mailin e ambasadës dhe raportojmë gjendjen dhe adresën. Ndjekim situatën dhe i raportojmë MEPJ”, deklaroi Belortaja, duke theksuar se ambasada nuk ka mundësi të paguajë biletën e kthimit të qytetarëve të bllokuar në Kinë. “I bëj thirrje familjeve të atyre që kanë ndarë mendjen të kthehen të mos hezitojnë po të sakrifikojnë edhe kesaj here për një biletë udhëtimi të njeriut të tyre. Ambasada nuk e ka mundesinë të paguajë, ndërsa as MPJ kineze nuk ofroi gjë për financim lëvizjesh”, shtoi ai.

Josilda Ndreaj, studentja shqiptare e kthyer nga Wuhani, Gazeta Si, 2020

Ndërkohë, BE-ja ka krijuar një qendër koordinimi për të monitoruar rastet e koronavirusit të ri dhe të mbikëqyrë riatdhesimet. Johannes Luchner, drejtori i operacioneve të rikthimit, tha që njerëzit e kthyer ngas Kina do të monitoroheshin nën një operacion kompleks.

“Ne nuk mund thjesht të dërgojmë një aeroplan në Wuhan, të marrim njerëzit dhe të kthehemi në shtëpi. Ne duhet t’i kontrollojmë më kujdes përpara se t’i sjellim në shtëpi,” tha ai.

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) do të takohet të enjten për të marrë përsëri parasysh nëse virusi përbën një emergjencë globale shëndetësore.

“Ditët e fundit përparimi i virusit, veçanërisht në disa vende, ka qënë alarmant për shkak të transmetimi nga njeriu te njeriu”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus të mërkurën.

Linjat ajore pezullojnë fluturimet drejt Kinës, Gazeta Si, 2020

Evakuimet e qindra shtetasve të huaj nga Wuhan janë ende në zhvillimin e sipër. Mbretëria e Bashkuar, Australia, Koreja e Jugut, Singapori dhe Zelanda e Re pritet t’i vendosin në karantinë të gjithë evakuuarit për dy javë për t’i monitoruar.

Australia planifikon të izolojë të gjithë shtetasit e saj në ishullin e Krishtlindjes, 2,000 km nga një qendër paraburgimi që është përdorur për të strehuar azilkërkuesit.

Singapori po krijon një strukturë karantine në Pulau Ubin, një ishull në veri-lindje të kontinentit.

Dy avionë kanë mbërritur tashmë në aeroportin Haneda të Tokios dhe pasagjerët janë ende duke u kontrolluar. Tre deri më tani kanë rezultuar të infektuar me koronavirus. Rreth 200 qytetarë amerikanë po nxirren po ashtu jashtë Wuhanit dhe do të izolohen në një bazë ushtarake në Kaliforni për të paktën 72 orë.

Ndërkohë, dy avionë do të marrin me 250 shtetas francezë në shtëpi. Autoritetet kineze thanë që ka 7,711 pacientë të konfirmuar ndërkohë që koronavirusi është përhapur edhe në të paktën 15 vende të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë