Politike

Lirimi i Dokles, Rama sulmon gjyqtaren Hoxha

Kryeministri Edi Rama sulmoi gjyqtaren e Krujës Enkeleida Hoxha, e cila dy ditë më parë mori vendimin që të nxjerrë nga qelia me kusht Endrit Doklen, i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë krimesh.
Në konferencën me Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Olivér Várhelyi, si pjesë e reformave dhe detyrave që Shqipëria po plotëson për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit europian, kryeministri Rama tha se është edhe lufta kundër atyre gjykatësve që i përkasin organizatës që ai e quan “KÇK”, duke iu referuar rastit më të freskët të lirimit të Endrit Dokles.
“E kam informuar komisionerin se në ditët në vijim do ndërmarrim një nisme të re për të hapur një ofensivë shembullore kundër krimit të organizuar dhe atyre gjykatësve e prokurorëve që si në rastin e para dy ditësh i përkasin organizatës KÇK dhe po e përdorin autoritetin e tyre në këtë fazë të ndërmjetme për të bashkëpunuar hapur dhe paturpësisht me krimin”, tha Rama.
Endrit Dokle, i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë krimesh, përfshirë vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale pritet të lirohet nga burgu me kusht, duke e vënë në provë për një periudhë prej 5 vitesh.

Pikërisht gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë në Krujë, Enkeleida Hoxha, vendosi lirimin nga qelitë të tij pas disa vendimeve të mëparshme që i kishin krijuar lehtësira Dokles. Pas shpalljes së këtij vendimi, Prokuroria e Krujës e ankimoi vendimin e Gjykatës, pavarësisht se ai nuk është zbardhur plotësisht. Prokuroria thekson se Dokle nuk përfiton nga lirimi me kusht, pasi nuk i plotëson kriteret ligjore dhe se duhet të rrëzohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë