Tre muaj pas zgjedhjeve të parakohshme, njeriu më i votuar në Kososvë shkon do të marrë sot mandatin për kryeministër.
Albin Kurti do të takohet sot me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për të marrë mandatin për formimin e qeverisë.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, është kandidati i vetëm për kryeministër të vendit, por deri me tani ka refuzuar 3 here të takohet me kreun e shtetit.
Takimi ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti do të mbahet në orën 15:00. Në rast se në këtë takim, presidenti i Kosovës i jep Kurtit mandati për kryeministër, kreu i VV-së ka15 ditë afat për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Formimi i qeverisë së re duhet ta ketë përkrahjen me vota të shumicës së thjeshtë të Kuvendit të Kosovës ose të 61 deputetëve.
Që pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë paralajmëruar një koalicion qeverisës, por ky mision duket se ka pësuar pengesa të jashtëzakonshme rrugës.

Edhe pse Kurti mund të marrë sot mandatin, krijimi i qeverisë së re duket ende shumë larg. Arsyeja përse Kurti refuzoi takimet ishte për faktin se ai akoma nuk ka arritur ta sigurojë shumicën e nevojshme të deputetëve për ta formuar qeverinë. Përplasjet mes LDK-së dhe VV-së bënë që viti 2020 Kosovën e gjeti pa qeveri edhe Kuvendi i Kosovës është konstituar, ku u zgjodh kryetari dhe kryesia e Parlamentit. Për të gjithë ishte një surprizë që kryetar i Kuvendit u zgjodh përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca i cili i komplikoi bisedimet VV-LDK.
Sipas zyrtarëve të LDK-së, ata nuk ishin dakorduar paraprakisht me Vetëvendosjen për kreun e Kuvendit. Ishte pikërisht ky hap ai që ktheu të gjitha bisedimet për koalicion qeverisës në pikën zero.
“Janë hedhur poshtë të gjitha diskutimet paraprake. Situata ka ndryshuar dhe të gjitha duhet të diskutohen brenda tavolinës së bisedimeve me partinë fituese të zgjedhjeve”– thotë Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demorkratikë të Kosovës.
Shtyrja e formimit të qeverisë ka bërë po ashtu që Kosova të hyjë në vitin 2020 pa buxhetin e miratuar.
Deri më tani është e miratuar vetëm korniza afatmesme e shpenzimeve 2020 – 2030. Korniza afatmesme e shpenzimeve paraqet dokumentin kryesor, mbi bazën e të cilit do të duhej të hartohej buxheti vjetor për vitin 2020. Buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm sipas kornizës afatmesme, parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro, një milion euro më shumë sesa buxheti i këtij viti.
Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit në detyrë të Financave në Qeverinë e Kosovës, thotë për se mosmiratimi i buxhetit deri në shkurt të vitit të ardhshëm nuk paraqet problem. Sipas tij, problemet fillojnë pas muajit këtij muaji.
“Për muajt janar – shkurt nuk do të ketë asnjë problem. Nëse konstituohet Kuvendi, atëherë muaji mars mund të mbulohet me një vendim edhe me shpenzime buxhetore, por sfidat dhe problemet do të paraqiteshin në muajin prill, pasi deri atëherë nuk do mund të bënin dot asnjë pagesë të brendshme”, thotë Rafuna.
Flamur Keqa, ekspert për çështje financiare thotë për mediat në Prishtinë, se vonesat në miratimin e buxhetit nuk janë të shëndetshme për ekonominë e një shteti.
“Mosmiratimi i buxhetit për vitin 2020 paraqet një problematikë në vete, në kushte normale, në veçanti në kushtet kur kemi ndërrimin e koalicionit qeveritar, do të thotë qeverisjen do ta marrin dy parti të reja politike të cilat padyshim kanë programin e vet qeverisës, program që nuk është bërë ende transparent në publik dhe kjo ndikon që mosmiratimi i buxhetit për vitin 2020 është me pasojë për ekonominë dhe zhvillimin normal të institucioneve shtetërore që prekin edhe operatorët ekonomik, qofshin publik apo privat”, thotë Keqa.

Ky ngërc nuk u ka shpëtuar syrit të ndërkombëtareve, që po i bëjnë thirrje politikës kosovare që të formojnë qeverinë sa me shpejt. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, takoi Kurti, dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mustafa për t’u informuar lidhur me ecurinë e negociatave për një marrëveshje e mundshme koalicioni qeverisës”.
Të njëtin shqetësim ka shprehur edhe ambasada britanike në Kosovë, e cila i kërkoi Lëvizjeë Vetëvendosja dhe LDK që të tejkalojnë dallimet dhe të formojnë sa më parë qeverinë. Përmes një komunikate për mediat, ambasada britanike thotë se pas më shumë se 12 javë që nga zgjedhjet e 6 tetorit, Kosovës i duhet një Qeveri e re dhe kjo është një çështje urgjente.
“LDK dhe VV duhet të kenë frymën e tolerancës”, thotë ambasada.
Krijimin sa më të shpejtë të institucioneve dhe qeverisë kanë kërkuar gjatë vizitës së fundit edhe të deleguarit e Gjermanisë, Peter Beyer dhe Christian Schmidt.
“Të gjithë politikanët e kuptojnë rëndësinë e përgjegjësisë që e kanë pas zgjedhjeve. Ata e dinë që koha po mbaron, prandaj duhe negociata të suksesshme”, deklaroi Schmidt.
“Ne nuk duam të ndërhyjmë në këto negociata, sepse nuk është në mandatin tonë, por kemi ardhur për t’i dëgjuar. Asnjëri nuk duhet të mundohet ta dobësojë tjetrin, por të ketë qasje profesionale”, tha Peter Beyer, pasi bëri të ditur se ata do ta informojnë edhe kancelaren Merkel për zhvillimet në Kosovë. “Nuk është e thënë të krijohet një martesë dashurie. Për ta ilustruar këtë, një president federal gjerman kur e patën pyetur nëse e do vendin, deklaroi se dashuronte vetëm gruan e tij. Për një koalicion të mirëfilltë ekziston një rregull i artë: telefoni, dhe jo mikrofoni”, shtoi ai duke cituar një fjali të ish kancelarit gjerman Helmut Kohl.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




