Rend dhe Ligj

Nisma “Thurje” teston SPAK-un, padi e parë kundër koncesionit të sterilizimit

Kallëzimi i parë i dorëzuar në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion është bërë këtë të hënë nga Nisma “Thurje”. Kallëzimi shënjestron koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Nisma “Thurje” kërkon nisjen e hetimit penal ndaj zyrtarëve të përfshirë në dhënien e këtij koncesioni me akuzat e shpërdorimit të detyrës, shkelje të barazisë në tendera dhe korrupsion pasiv duke përdorur pushtetin publik për përfitime private.

“Kërkojmë nisjen e hetimit penal për zyrtarët e përfshirë në dhënien me koncesion të një shërbimi publik, pasi dyshojmë se jemi përpara konsumimit të veprave penale nga zyrtarët e lartë publik. Më datë 10 Dhjetor 2015 Ministria e Shëndetësisë, me miratimin e Ministrisë së Financave dhe KPP, ka lidhur një kontratë koncesionare me kompaninë “Sani Service”. Kjo kontratë nuk është bërë publike e plotë dhe me shtojcat përkatëse, me aq sa ne kemi arritur të njihemi me pjesë të saj, bazuar në raportet e institucioneve dhe publikimet e medias”, thuhet në kallëzimin e dorëzuar.

Nisma “Thurje” rendit katër arsye, ku bazon padinë.

Së pari, Nisma shpreh dyshimet për nevojën e marrjes së këtij shërbimi nga një palë e tretë në kushtet kur ai kryhej prej dekadash nga vetë spitalet publike. “Kjo bëhet veçanërisht shqetësuese nëse spitalet i kanë ende në gjëndje pune autoklavat e tyre, dhe nëse shërbimi i konçesionarit vazhdon të kryhet sërish në ambientet e spitalit, duke përdorur burimet publike, si uji dhe energjia elektrike”, thotë padia.

Së dyti, dyshime hidhen edhe mbi procedurat e dhënies së këtij shërbimi me koncesion. “Duket se në këtë rast ministria shmangur procedurën e prokurimit publik të shërbimit, me tender të hapur, sic është vepruar me shërbimet e tjera spitalore, si ai i lavanderisë dhe ushqimit. Është e paqartë përse është ndjekur kjo rrugë?”, vijon padia.

Së treti, Nisma hedh dyshime për përmbajtjen e kontratës koncesionare, nëse ajo është hartuar në një formë të tillë që i shkakton dëme financiare buxhetit të shtetit. “Si fillim do të sugjeronim të hetohet nëse është parashikuar në kontratë që Autoriteti i siguron Koncesionarit energjinë elektrike, ujin, avullin, veprat civile, impiante dhe ambientet e nevojshme, me shpenzime në ngarkim të Autoritetit?”, theksohet në kallëzim.

Së katërti, pala paditëse thotë se është e shqetësuar për çmimin e shërbimit të dakordësuar në kontratë.

“Vlen për t’u hetuar nëse kompania ka investuar vërtet 12 milion euro, sipas parashikimit, duke hetuar inventarin e kompanisë dhe duke verifikuar cilësinë e produkteve. Kjo do t’i jepte përgjigje edhe shumë mjekëve që ankohen për cilësinë e instrumenteve kirurgjikale. Megjithatë nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, gjejmë arsye për të vënë në dyshim jo vetëm kryerjen e këtij investimi, por edhe nevojën për një koncesion të tillë. Sipas kontratës kompania duhet të marrë përsipër të blejë 100’000 instrumente të bashkuara në 3000 sete kirurgjikale; si dhe të pajisë me 4 autoklava 17 qendra periferike plus QSUT-në; me 10 pajisje dizinfektues termokimik për larjen e instrumenteve; dhe me mjete të tjera të nevojshme. Nga një kontroll i çmimeve të tregut ne kemi bërë përllogaritjen e mëposhtme, ku na rezulton se i gjithë investimi në total shkon rreth 4 milion Euro, pa llogaritur infrastrukturë, energjinë elektrike, ujin dhe avullin, të cilët mund të ofrohen falas nga spitalet publike”, citohet në padinë e dorëzuar.

Padia mbështetet tek raportimet mediatike, por edhe tek raportet zyrtare, si ato të Kontrollit të Lartë të Shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë