Banka e Shqipërisë nuk është në dijeni të padisë që ish-Guvernatori, Ardian Fullani ka bërë në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Gazeta “Si” u interesua pranë BSH-së, e cila përmes një përgjigjeje zyrtare me anë të postës elektronike thotë se për padinë në fjalë nuk ka asnjë informacion zyrtar dhe se për këtë është njohur nga media.
“Banka e Shqipërisë nuk ka një informacion zyrtar në lidhje me padinë që flitet këto ditë në media”, thotë BSH në reagimin për Gazetën “Si”.
Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka paditur në Gjykatën e Strasburgut shtetin shqiptar, pasi sipas pretendimit të tij, dështoi që ta rikthejë në detyrën që mbante para se të shkarkohej nga Parlamenti për skandalin e vjedhjes nga arkat e BSH-së të 7 miliardë lekëve.
Në padinë e ngritur kundër shtetit shqiptar, ai pretendon gjithashtu dëmshpërblim për cenim të integriteti dhe prishje imazhi.
Fullani u arrestua për shpërdorim detyre në shtator të 2014. Pasi fitoi pafajësinë në të treja shkallët e gjyqësorit shqiptar, ish-Guvernatori u ankua në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit i dha të drejtë dhe e dëmshpërbleu me 56 paga, duke filluar nga momenti i shkarkimit e deri në 2018, për një total prej rreth 300 mijë eurosh.
Gjatë proceseve gjyqësore ndaj tij, Fullani u akuzua gjithashtu edhe për blerjen e dyshimtë nga ana e institucionit që ai drejtonte të Hotel “Dajtit”, në vlerën e rreth 30 milionë eurove.
Për anëtarin e Këshillit Mbikëqyrës, Arben Malaj, për të cilin Qeveria kërkon shkarkimin, rasti i Fullanit është njëri prej shumë rasteve që u kushtojnë qytetarëve shqiptarë miliona euro. “Ka shumë raste kur vendimet jo në përputhje me hapat ligjore për kompani, apo individë do t’ju kushtojnë taksapaguesve shqiptarë qindra-milionë dollarë, euro, apo miliardë lek”, deklaroi ai për Gazetën “Si”.
Malaj kërkoi më shumë përgjegjëshmëri nga deputetët në momentin kur ngrenë kartonin për një vendim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.