Politike

9 përfundimet e Venecias për Ilir Metën

Komisioni i Venecias publikoi opinionin zyrtar në lidhje me kërkesën e dorëzuar nga Kuvendi i Shqipërisë mbi ligjshmërinë e vendimeve të Presidentit Ilir Meta për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.

Opinioni zyrtar në thelb nuk ka asnjë ndryshim nga draft-opinioni që rrodhi për mediat në fund të muajit shtator, ku Venecia gjen shkelje të Presidentit, por nuk i konsideron këto shkelje të mjaftueshme për të justifikuar shkarkimin e tij, megjithëse ky vendim u lihet në dorë institucioneve shqiptare.

Faksimile e raportit përfundimtar të Venecias. Gazeta Si, 14 tetor 2019

9 përfundimet e Venecias

1 – Komisioni i Venecias del në përfundimin se në mungesë të një parashikimi tjetër ligjor, Presidenti mund të anulojë zgjedhjet vendore vetëm në situatat që plotësojnë kriteret e gjendjes së jashtëzakonshme, madje edhe në këtë rast, Presidentit i duhet një bazë ligjore e posaçme, si pjesë e një marrëveshjeje politike (ad hoc) për t’i shtyrë zgjedhjet. Kjo bazë ligjore mungoi.

2 – Ky përfundim mbështetet nga interpretimi më i gjerë i rregullave. Kushtetuta dhe ligji për emergjencat civile e kufizojnë në situata shumë të veçanta, kryesisht në raste situatash faktike, ose ligjore thuajse të pamundura që nuk janë të parashikuara nga ligji në fjalë. Anulimi i zgjedhjeve është e përcaktuar se mund të ndodhë vetëm në rastet e gjendjes së emergjencës. Megjithatë, rregullat kushtetuese në këtë rast nuk u ndoqën dhe as pati një marrëveshje politike që do të vendoste një bazë ligjore “ad-hoc”.

3 – Anulimi i zgjedhjeve cenon të drejtën për të zgjedhur, të njohur nga instrumentet e të drejtave të njeriut. Aplikimi i një akti kundërshtues joproporcional ndërhyn tek e drejta për të zgjedhur.

4 - Anulimi i zgjedhjeve në mungesë të një baze ligjore dhe jo sipas nenit 170 të Kushtetutës së Shqipërisë që përcakton gjendjen e emergjencës e bën këtë vendim joproporcional me të drejtat elektorale të qytetarëve.

5- Bojkoti i partive politike, edhe kur ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit nuk mund të ndalojë zhvillimin e zgjedhjeve sipas përcaktimeve, përndryshe këto parti do të ishin në gjendje që të bllokonin çdo proces zgjedhor.

6 – I takon Kuvendit të Shqipërisë dhe më pas Gjykatës Kushtetuese që të vendosë nëse anulimi dhe më pas shtyrja e zgjedhjeve vendore është një vendim që kategorizohet si shkelje e rëndë e Kushtetutës, që do të mundësonte shkarkimin e Presidentit.

7 – Ashtu siç thekson ky opinion, një numër i gjerë faktorësh sinjalizojnë që në këtë rast nuk mund të kemi një shkelje të rëndë, duke nisur që nga thirrjet e Presidentit për dialog, pritshmëria se shtyrja e zgjedhjeve do të kontribuonte në uljen e palëve në tryezë, mosankimimi i dekretit presidencial para një gjykata dhe statusi kushtetues i zgjedhjeve vendore në krahasim me zgjedhjet parlamentare.

8 – Të ngjitha këto së bashku mund t’i sigurojnë Kuvendit të Shqipërisë elementët e nevojshëm që, pavarësisht se Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat e tij kushtetutese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet vendore përtej mandatit të autoriteteve vendore dhe pa një bazë ligjore, këto akte mund të mos e plotësojnë kriterin e mjaftueshëm për të folur për një shkelje të rëndë e për të kërkuar shkarkimin e tij.

9 – Si përfundim, edhe nëse shkeljet karakterizohen si të rënda, kjo jo domosdo mund të çojë në një shkarkim të Presidentit, duke u nisur nga pushteti që ka Kuvendi dhe duke patur parasysh parimin e balancës dhe kontrollit të pushteteve.

Meta: Si asnjëherë më parë pati ndryshime

Presidenti Ilir Meta reagoi pas publikimit të raportit final të Venecias mbi argumentin e dhënë mbi ligjshmërinë ose jo të kreut të shtetit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Me anë të një deklarate, Meta theksonte se si asnjëherë tjetër Venecia ka realizuar ndryshime thelbësore të raportit në krahasim me atë paraprak. Ai nxjerr pesë konkluzione për raportin e publikuar, duke theksuar edhe një herë se sipas tij, nuk ka shkelur Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve.
“Presidenti i Republikës vlerëson se Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias konfirmoi të gjitha qëndrimet e Presidentit të Republikës. Si asnjëherë tjetër, opinioni përfundimtar pësoi ndryshime thelbësore nga projekti paraprak. Ndër konkluzionet kryesore u evidentua se: Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese. Presidenti i Republikës pati qëllim legjitim, që synonte shmangien e gjakderdhjes, mbrojtjen e pluralizmit politik, ruajtjen e stabilitetit dhe të kredencialeve demokratike të vendit. Kompetencat kushtetuese të Presidentit nuk janë formale. Dekretet e Presidentit janë në fuqi dhe nuk u sfiduan përpara asnjë gjykate. Zgjedhjet parlamentare kanë status më të lartë kushtetues se zgjedhjet vendore”, janë 5 konkluzionet e Presidentit.
Në këtë deklaratë thekson se “Presidenti i Republikës shpreh keqardhjen që gjatë katër muajve u shpërdoruan energji që do të duhet të ishin në shërbim të integrimit europian të Shqipërisë dhe vendimit të shumëpritur për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë