Politike

Rama: Schengeni Ballkanik brenda 2021. Serbia nuk do të bllokojë Kosovën

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë rënë dakord parimisht për krijimin e Shengenit ballkanik dhe për realizimin e këtij objektivi në terren kanë vendosur edhe afate konkrete, që është brenda dy vitesh. Ky është rezultati i bisedimeve tripalëshe në Novi Sad të Serbisë.

“Duhet të shkojmë përpara, sepse mund të jetë më e lehtë që të qëndrojmë nëpër barrikada dhe të evokuojmë të shkuarën për simpatitë e momentit, por të garantojmë ato që kemi marrë përsipër. Brenda vitit 2021, ky territor, pra Ballkani Perëndimor të jetë territor ku katër liritë të mos jenë më aspiratë, por realitet, njësoj si tek Shengeni. Mund t’i gjejmë një emër tjetër, jo Shengen, por do të jetë e njëjta gjë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me Vuçiç dhe Zaev në përfundim të takimit tripalësh.

Kryeministri nënkuptoi se nismës do t’i bashkohen të gjitha vendet. Ai tha se ka marrë dakordësinë nga Serbia për të mos penguar Kosovën që të bëhet pjesë e këtij projekti.

“Kjo është e dakordësuar, vullneti është i plotë për ta bërë me të gjitha vendet. Pra, për ta theksuar nuk ka asnjë veto për askënd dhe për asgjë”, u shpreh ai.

Rama e cilësoi realizimin e kësaj nisme si jetësim të zotimit të marrë nga vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Bëhet fjalë për lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe të njerëzve.

Takimi i radhës është parashikuar për më 10 nëntor në Ohër dhe të ftuar që të marrin pjesë janë edhe Mali i Zi, Kosova dhe Bosnje Hercegovina, që të trija vende që nuk u përfaqësuan në këtë tryezë të parë për këtë temë.

Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe kritikave kundër këtij projekti. Ai tha se kritikuesit nuk ofrojnë alternativa.

“Kam dëgjuar lloj-lloj kritikash për këtë projekt, por këto kritika nuk sjellin alternativë, por nisen nga e status quo-ja dhe e shkuara. Çfarë na pengon që 2 mln turistë që vizitojnë Beogradin të kenë akses të shpejtë dhe të menjëhershëm në mrekullitë e natyrës në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut? Na pengon vetëm burokracia dhe pengmarrja e historisë. Të bashkojmë pjesët tona të ofertës për të bashkëpunuar në funksion të rritjes ekonomike, të punësimit dhe hapjes së integrimit”, vijoi Rama.

Kryeministri shqiptar njohu përparësinë ekonomike të Serbisë në rajon sa u takon investimeve të huaja.

Është e pamundur që ne të tërheqim investime të mëdha të huaja. Serbia është sot në pozicion lidershipi në rajon përsa u takon investimeve të huaja, por edhe për Serbinë ka ardhur një moment që është shumë e vogël për të pretenduar më shumë, ndaj hapja dhe krijimi i mundësive për investime është zgjidhja”, deklaroi Rama.

Përmes një mesazhi që më shumë dukej se adresohej në Prishtinë sesa në Podgoricë dhe Sarajevë, Rama siguroi se në Novi Sad nuk u diskutua asgjë përtej atyre që vetë Kosova ka rënë dakord në kuadër të procesit të Berlinit.

“Nuk ka asgjë në takimin e sotëm që është e panjohur dhe e pamiratuar nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. E reja është vullneti për t’i dhënë një shtysë përpara të gjitha atyre për të cilat kemi rënë dakord”, tha ai.

Sa u takon dobive që sjell lëvizja e lirë, Kryeministri i Shqipërisë tha se së pari redukton koston dhe kohën e lëvizjes së qytetarëve dhe të mallrave të vendeve përkatëse, ndërsa tha se pas një ekspertize vendase dhe ndërkombëtare, në takimin e Ohrit palët do të jenë në gjendje që të japin më konkretisht se çfarë të mirash sjell i gjithë procesi.

Ndërkohë, Presidenti serb, Aleksandër e nisi fjalën e tij duke “fajësuar” Bashkimin Europian nëse nuk hap negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Takimin e vlerësoi si historik, ndërsa nënkuptoi se sa i përket një pike, atij të qarkullimit të lirë të kapitalit, do të duhet më shumë kohë.

“Njerëzit në vendet tona meritojnë një të ardhme më të mirë, standarde më të mira jetese dhe norma më të ulëta papunësie. Synimi ynë është që deri në fund të vitit 2021 të përdoret vetëm ID për të kaluar kufirin me Shqipërinë. Këto do të lehtësojnë transportin e mallrave dhe shërbimeve. Ndoshta nuk do të jetë aq e thjeshtë me kapitalin, por do ta rregullojmë edhe këtë”, deklaroi ai.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev iu përgjigj interesimit për mungesën e Kosovës në këtë tryezë. Ai e lidhi këtë mungesë me faktin se Kosova sapo zhvilloi zgjedhjet dhe aktualisht është në rrugën e formimit të Qeverisë së re.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë