Rasti i policisë greke, që sekuestroi 137 kilogramë kokainë me destinacion Shqipërinë dhe në vend të saj vendosi pako me oriz të pajisura me përgjues dhe lokalizues (GPS), duke kërkuar që përmes “dorëzimit të kontrolluar”, policia shqiptare të arrinte tek porositësit e drogës, nuk është i pari i këtij lloji. Një skemë identike ka ndjekur në 2010 policia belge, që kishte rënë në gjurmët e një sasie prej 200 kilogramësh kokainë kolumbiane të shkrirë brenda një dërgese me vaj palme, që kishte si destinacion Shqipërinë. Belgët e zëvendësuan vajin e palmës me ujë.
Në vijim të artikullit të publikuar të hënën, Gazeta “Si” sjell detaje të reja nga kjo dosje, që u japin përgjigje pyetjeve se si u kontaktua nga spanjollët pala shqiptare, rrugëtimi i konteinerit nga Belgjika në drejtim të një magazine në Gjirokastër, roli i dy kompanive shqiptare në këtë transport dhe hetimet e cunguara të prokurorisë, që për transportin e një sasie të tillë droge çoi në pranga vetëm një person, që as nuk kishte mundësinë financiare për të kryer të gjitha pagesat e transportit dhe zhdoganimit të konteinerit.
***
200 kilogramë kokainë ishin nisur drejt Shqipërisë. Zilja e telefonit e personit të kontaktit në Departamentin Kundër Krimit të Organizuar dhe Drogës tringëlloi në orën 22:12 të datës 18 mars 2011. Kërkesa urgjente vinte nga policia spanjolle, që ftoi hetuesit shqiptarë të bëheshin pjesë e një aksioni ndërkombëtar me metodën e dorëzimit të kontrolluar.
Ajo që të huajt kishin zbuluar ishte pikërisht porosia e 52 fuçive metalike me vaj palme nga një biznes në Gjirokastër. Llogaritë e antidrogës ishin se brenda tyre gjendeshin mbi 200 kilogramë kokainë e dërguar nga Kolumbia drejt Shqipërisë. Hetimi ndaj grupit të trafikantëve kolumbianë që fusnin kokainë në Europë ishte gjurmuar së pari në 2009-ën nga roja civile spanjolle në Terragona, sipas numrit të procedimit penal numër 1514.
Të huajt përfshinë Shqipërinë pas një ngurrimi të gjatë në ngarkesën e radhës, ku siç po i binte në gjurmë antidroga përmes një kompanie kolumbiane C.I.CHIPS është dërguar në portin e Antverp në Belgjikë një kontenier, i cili më tej duhet të udhëtonte në disa shtete për të mbërritur në Gjirokastër.
Përpara se t’i shtrinin dorën Shqipërisë për të zbuluar pritësin dhe porositësin e 200 kilogramëve kokainë, autoritetet vendase administruan si provë se në 52 fuçitë me vaj palme që peshonin mbi 13 tonë, në brendësi të tyre gjendej kokainë e shkrirë nga e cila pas përpunimit do të përfitohej sasia e mbi 200 kilogramë drogë.
Prokuroria spanjolle thotë në dosjen që Gazeta “Si” disponon se: “Nga bashkëpunimi i autoriteteve belge dhe EUROPOL-it, është bërë i mundur identifikimi i kontenierit të mësipërm, ku pas analizave përkatëse është konstatuar prania e kokainës në vajin e palmës. Pikërisht në këtë moment nga autoritetet spanjolle më datë 10 shkurt 2011 u është kërkuar autoriteteve belge kryerja e një operacioni “dorëzim i kontrolluar”.
Pas këtij momenti, tetë ditë më pas belgët kanë informuar spanjollët se menaxheri i kontenierit me 200 kg kokainë ja kishte përcjellë më tej ngarkesën me vaj palme firmës shqiptare “AE-1 MERENTINO” Sh.p.k, me adresë Zona Industriale Gjirokastër, Shqipëri.
Pikërisht nën efektet e një operacioni tepër të rëndësishëm, belgët kanë vazhduar me kalimin e stafetës. Siç vepruan grekët edhe ata e kanë zëvendësuar ngarkesën e vajit të palmës ku ishte e shkrirë kokaina me ujë për të lejuar udhëtimin e mëtejshëm të kontenierit. Siç ndodh në operacione të tilla, nuk ka munguar edhe vendosja e pajisjes gjurmuese GPS.
Në dosjen që Gazeta “Si” disponon shpjegohet më tej për etapat e operacionit.
“Më datë 16 mars 2011, autoritetet belge kanë informuar se për të marrë kontenierin e mësipërm është paraqitur kompania maqedonase e transportit “STUZ”, transport i cili do kryhej me kamionin me targa KU190CF dhe trailer KU590CE, si dhe drejtues i këtij kamioni ka qenë po një shtetas maqedonas, me emrin SASHO TRAJKOVSKI”
Me të gjitha këto detaje hetimore janë vendosur në dijeni në kohë rekord edhe partnerët shqiptarë, përsa i përket lëvizjeve të automjetit në të cilin ishte i ngakruar kontenieri i kokainës. Shqipëria vendoset në dijeni se në 19 mars kontenieri kaloi nga Serbia në Maqedonia. Aksioni zinxhir vazhdon më tej dhe në dosje shpjegohet:
“Gjithashtu, nga ana e autoriteteve policore maqedonase, janë njoftuar autoritetet policore shqiptare se rreth orës 17:30, të datës 19/03/2011, drejtuesi i automjetit me targa, koka KU190CF dhe traileri KU590CE, është po shtetasi Sasho Trajkovski, i cili pasi ka hyrë në Maqedoni, ka deklaruar para autoriteteve doganore se ngarkesa në kamion është tranzit për në Shqipëri. Autoritetet doganore maqedonase i kanë vendosur një kohë qëndrimi tranzit në territorin e Maqedonisë prej 24 orësh”.
Nga gjurmimi nëpërmjet GPS ka rezultuar se kamioni ka kaluar nga Belgjika në Luksemburg, Gjermani, Austri, Kroaci, Serbi, Maqedoni dhe së fundmi me datë 20 Mars 2011, nga Maqedonia është futur në territorin shqiptar, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar të “Qafë-Thanës”.
Në të njëjtën ditë prokuroria shqiptare autorizoi lejimin metodës speciale për operacionin ndërkombëtar “dorëzim i kontrolluar” për të lejuar përdorimin në vendin tonë të pajisjeve gjurmuese që të huajt kishin instaluar brenda subjektit që po ndiqej stafetë në disa shtete.
Dosja thekson se “sipas akteve të dërguara nga ana e autoriteteve spanjolle rezulton se firma pritëse e mallit në Shqipëri është firma “INTER-KRISS“ Sh.p.k, e cila ka të njëjtën adresë me firmën Shqiptare “AE-1 MERENTINO” Sh.p.k, me adresë Zona Industriale, Gjirokastër, Shqipëri”.
Dy ditë pas angazhimit konkret të palës shqiptare përmendet se ngarkesa që po transportohej nga Sasho Trajkovski u paraqit në pikën doganore të Kakavijës dhe pas zhdoganimit ka hyrë në ambientet e firmës “Inter-kriss” me pronar shtetasin shqiptar Kristaq Kotro. Firma ishte e njëjta e gjurmuar më herët si blerëse e kontenierit në Belgjikë. Por hetimet zbuluan se në fakt ngarkesa nuk kishte aspak lidhje me firmën, por me një person nga Mallakastra me banim në Tiranë, të cilit ju gjetën si llogari bankare gjatë hetimit pasuror vetëm 650 euro dhe 160 mijë lekë me vete.
Dhimitros Harizaj sipas palës shqiptare, në dhjetor 2010 kishte negociuar me shtetasin Arjan Lazaj dhe Kristaq Kotron për të dërguar vaj palme në Shqipëri. Por, prokuroria veç tij nuk hetoi asnjëherë asnjë bashkëpuntor të tij, apo ku ishte fabrika që do të kryente ndërhyrjen për të veçuar vajin e palmës nga kokaina.
Prokuroria deklaroi gjatë gjykimit të 55-vjeçarit “i pandehuri Dhimitros (Vullnet) Harizaj, kishte informacion të plotë rreth origjinës dhe lëvizjeve të mallit, është personi që ka porositur këtë ngarkesë, ka bërë bërë pagesën e mallit “vajit të palmës”, ka dhënë lekët për pagesën e qirasë dhe penaliteteve të kontenierit në Belgjikë, si dhe ka dhënë shumën e lekëve që do të shërbente për zhdoganimin e ngarkesës që ndodhej në kontenierin e mësipërm në doganën e Kakavijës-Gjirokastër, Shqipëri”.
Si rrethanë kundër të dyshuarit kryesor i gjykuar për trafik ndërkombëtar droge në bashkëpunim, por që kurrë nuk dolën dhe as u përfolën bashkëpuntorët e tij, prokuroria i vendosi deklaratat e dëshmitarëve Arjan Lazaj, Kristaq Kotro dhe Theodhori Simo.
Megjithëse dosja paraqiste probleme të forta hetimore, veçanërisht të cunguara, prokuroria vijon më tej duke shpjeguar pozitën e trafikantit të vetëm, i cili nuk pavarësisht se u shpall fajtor, nuk kishte asnjë mundësi ekonomike të blinte 200 kg kokainë në Kolumbi dhe aq më tepër të organizonte qarkullimin e saj në disa shtete, me synim për ta pastruar në vendin e tij e për ta futur sërish në Europë.
Në dosjen e zotëruar nga Gazeta “Si” vazhdohet më tej: “I pandehuri megjithese pretendonte për një tregti normale legale të vajit të palmës në çdo moment ka shfaqur vullnetin e tij për të paguar çdo gjë që kishte të bënte me këtë ngarkesë duke dhënë dhe garanci jo normale në këtë lloj tregtie, garanci këto që kishin të bënin me faktin që mallin (vajin e palmës) mund t’ia rikthenin përsëri atij nëse nuk i pëlqente Kristaqit. Jo vetëm kaq, por kjo mënyrë për të fshehur ngarkesën duke përdorur dokumentat e firmës pritëse u provua nga deklarimet e këtyre personave, por dhe nga aktet e letërporosisë ku provohet se firma që sillte mallin ishte ajo me pronar Kristaq Kotron”.
Në dëshminë e tij, dëshmitari Kristaq Kotro që është dhe pronar dhe administrator i firmës AE1 sh.p.k dhe i firmës Interkriss sh.p.k, me qendër në Gjirokastër shpjegon që aktiviteti i të dy firmave të tij është i shtrirë në të gjithë territorin e Shqipërisë, me filiale në shumicën e qyteteve të Shqipërisë. Në qytetin e Durresit përfaqesuesi i filialit të firmës se tij është shtetasi Arjan Lazaj.
Dëshmitari deklaron se në muajin shtator, ose tetor të vitit 2010, është takuar me Arjanin në Tiranë te zyrat që kanë në autostradë, ku ai i ka thënë se do të sjellë vaj palme, i cili përdoret për prodhimin e kremrave të ndryshëm.
Dëshmitari Krisaq Kotro i ka thënë se nëse e sjell vajin e palmës do që të shohë një kampion mostër tij, certifikatën e origjinës dhe çmimin e vajit. Sipas dëshmitarit, pas rreth dy muaj nga kjo bisedë, shtetasi Arjan Lazaj i ka sjellë në Gjirokastër me një shofer të kompanisë një mostër vaji palme, e cila ishte e futur në një bidon gjysëm litri dhe mbështjellë me një plastmas.
Dëshmitari deklaron se pasi ka parë mostrën nuk i ka pëlqyer dhe ja ka kthyer mbrapsht këtë mostër Arjanit.
Dëshmia e Kristaq Kotros
Në fund të muajit dhjetor të viti 2010, ose në fillim të janarit të viti 2011, unë kisha ardhur në Tiranë për punët e mia. Te zyrat e filialit tim ka ardhur Arjani dhe me këmbëngulje më ka ftuar që të pimë kafe te City Park. Gjatë pirjes së kafes Arjani më thotë se do të vijë një shoku im, i cili do të pijë kafe me ne dhe të bisedojmë për punë.
Pas rreth 20 minutash të qëndrimit tim në kafe me Arjanin, në tavolinën tonë erdhi një person tjetër, të cilin Arjani ma prezantoi si shokun e tij dhe ishte nga zona e tij nga Mallakastra, emrin nuk ma tregoi. Me këtë person biseduam për vajrat e ndryshme që mund të sillte ai, fruta të thata, arra, bajame. Unë gjatë bisedës që bëra me këtë person vura re se ai nuk kishte njohuri për punën time dhe unë mendova që nuk ja vlente të merresha me të. Unë kam ndenjur me ketë person dhe me Arjanin rreth 5 minuta. Jam ndarë nga këta persona dhe kam shkuar në zyrë te filiali im.
Para një jave më ka marrë në telefon Arjani me numrin e firmës dhe më ka thënë se është një kontenier me vaj palme në Belgjikë dhe mund ta sjellë te firma. Unë i thashë që po nuk kam të dhëna nuk kam ç’e bëj vajin me qëllimin që ai të mos e sillte atë. Arjani ngulte këmbë dhe më kërkonte të dhënat e kompanisë për të bërë eksportin e vajit të palmës nga Belgjika dhe të gjitha shpenzimet do t’i paguante ai pasi unë nuk pranoja që të paguaja asnjë shpenzim. Arjani më ka thënë mua se nëse t’i nuk e pëlqen vajin, do ta marr unë të gjithin. Unë i thashë që mos më shqetëso tani dhe ik merri të dhënat e kompanisë te zyrat në Tiranë.
Arjani ka shkuar te firma ime në Tiranë dhe ka marrë të dhënat e firmës time. Para disa ditësh Arjani më ka thënë në telefon se do të bëj një derdhje (pagesë) për vajin që do të sillte nga Belgjika. Unë i kam thënë që mirë bëje dhe nuk jam interesuar fare se sa ishte shuma e pagesës që ai bëri, në cilën bankë e ka bërë ai pagesën pasi nuk më interesonte. Data e saktë nuk më kujtohet sa ka qenë 18, ose 19.3.2011, kur më ka marrë në telefon Arjani dhe më ka thënë se do të dërgoj paratë e zhdoganimit të vajit. Nuk më ka thënë se sa lekë do të më dërgonte. Leket Arjani m’i ka dërguar të dielën në darkë, një shumë prej 11800 dollarë.
Në dt.20.3.2011 rreth orës 11.00 paradite unë isha së bashku me Theodhori Simon, i cili ka qenë ortaku im. Dhorin e ka marrë në telefon agjenti doganor Kristaq Boga dhe i ka thënë se ka ardhur një makinë me vaj palme në kufirin maqedonas dhe i ka dhënë Dhorit një numër telefoni të agjentit doganor të Qafe-Thanës që të flisnim me të. Numrin e telefonit të tij e ka Dhori, i cili komunikoi në telefon me të dhe i tha për tranzitin e mallit. Dhori i tha agjentit doganor që sille mallin dhe lekët e tua do t’ia jap Kristaqit.
Të hënën në mëngjes bëri procedurat e zhdoganimit të mallit në doganën e Kakavijës agjenti doganor Kristaq Boga, i cili ka marrë në telefon Dhorin dhe i ka thënë se zhdoganimi i mallit bën 7 milionë e 700 mijë lekë të vjetra. Dhori shkoi në bankën Raiffaissen për të bëre pagesën për zhdoganimin e mallit. Pasi bëri pagesën Dhori doli në rrugën kryesore për të pritur kamionin pasi ishte shofer i huaj ishte nga Maqedonia.
Pas pak Dhori erdhi në ambientet e firmës së bashku me një kamion me targa të Maqedonisë. Filloi shkarkimi i mallit dhe mua më ka marrë në telefon magazinieri pasi nuk isha në ambientet e firmës, që a ke ndonjë person që di të flasë maqedonisht, pasi nuk po merremi dot vesh me shoferin. Unë i thashë që jo nuk kam, por po zbres unë poshtë te magazina. Kur kam shkuar te magazina kemi hequr plastamasin e makinës dhe kam parë që në karrocerinë e makinës ishte i ngarkuar një kontenier. Shoferi na thoshte me shenja që uleni kontenierin poshtë me vinç.
Në këtë moment unë kam marrë në telefon Arjanin dhe i kam thënë që ne kamion është ngarkuar një kontenier. Arjani më thotë që nuk e di, po nëse shoferi thotë ashtu, ju shkarkojeni kontenierin. Unë ju thashë disa njerëzve që të më gjejnë një vinç të shkarkojmë kontenierin dhe u ngjita lart në zyrë. Rreth orës 14 e 30 minuta unë zbrita në mencën e firmës për të ngrënë bukë dhe në këtë moment kur isha duke ngrënë bukë më thotë kuzhinierja se në firmë kanë ardhur policë me maska. Unë menjëherë shkova te magazina dhe në këtë moment më ndaloi dhe mua policia”.
Në dëshminë e tij, dëshmitari Arjan Lazaj deklaron që është i punësuar si administartor i filialit “AE-1, sh.p.k Merentino” në Durrës dhe që adminstrator të përgjithshëm dhe pronar ka shtetasin Kristaq Kotro me qendër në Zonën Industriale, Gjirokastër.
Dëshmia e Arjan Lazajt
Në periudhën dhjetor 2010, ose janar 2011, nuk e mbaj mend mirë jam takuar me shtetasin Vullnet Harizaj me të cilin kisha një njohje si nga e njëjta krahinë. Një ditë ai ka ardhur në magazinën e filialit në Rrashbull në Durrës, ka parë vajin e palmës dhe është interesuar duke pyetur mbi konsumin mujor të vajit dhe nëse kisha interes që të merrja vaj me çmim më të lirë. Unë i kam thënë se nuk kam shumë njohuri mbi vajrat, por i kam sugjeruar që të mund të takohej me punëdhënësin tim shtetasin, Kristaq Kotro dhe se me të mund të bënte ndonjë marrëveshje për shit-blerje vaji, takim i cili është mundësuar mbas disa ditësh tek lokal “City-Park”.
Në këtë takim isha unë Vullnet Hazizaj dhe Kristaq Kotro. Gjatë këtij takim është biseduar vetëm për tregti vaji, ku Vullneti mund të siguronte sasi të konsiderueshme vaji me çmim të arsyeshëm, por nuk është biseduar se nga do të vinte vaji. Takimi ka zgjatur rreth 5 minuta dhe është lënë që të sillej një mostër për ta parë Kristaqi. Vullneti ka thënë se do të sillte vaj cilësor brenda parametrave të duhur dhe se të gjitha shpenzimet do të paguheshin prej tij, në rast se vaji nuk do të pëlqehej për nga cilësia, prej Kristaqit ai do të kthehej mbrapsht dhe se shpenzimet e kësaj do të mbuloheshin përsëri nga Vullneti.
Pas 2-3 javesh të këtij takimi, firma nga e cila Vullneti do të bënte porosi për vaj dhe këtë mostër nuk kam dijeni se kur e ka dërguar dhe në çfarë rrugë do e ketë dërguar, por unë kam dijeni se kjo mostër i ka vajtur Kristaqit pasi më tha mua në telefon se ai vaji nuk ishte cilësor dhe se ai nuk mund ta blinte, pasi vinte ngjyrë portokalli. Kurse vaji që përdorim zakonisht është si i verdhë në të bardhë, pasi ka lloje të ndryshme.
Nga mesi ose fundi i muajit shkurt 2011, në momentin që Kristaqi ka ardhur në Tiranë ma ka kthyer mostrën mua dhe me tha se ky vaj nuk bën dhe nuk e di se çfarë lloj vaji është. Mesa kam parë unë, mostra ishte e futur në një shishe plastike 500 m/l dhe ishte e mbështjellë me një qese plastike. Unë e mora mostrën dhe ja kam dhënë Vullnetit pas nja dy-tre ditesh nga takimi me Kristaqin duke i thënë që mostra nuk bën pasi nuk është ai lloj vaji që ne duam. Vullneti e ka marrë mostrën dhe më tha mua që do të mundohem që të gjej një cilësi më të mirë vaji. Nga fundi i muajit shkurt 2011, Vullneti më ka marrë në telefon në numrin tim me një numër të cilin e kam të regjistruar në telefonin tim me emrin Vullneti dhe numri është 0695339341. Më ka thënë ne telefon se ka porositur vajin dhe se ai ndodhej në Belgjikë dhe se vaji ishte porositur për shoqërinë “AE – 1 sh.pk.”.
Ndërkohë unë i bëra me dije se me këtë emër shoqërie vaji nuk mund të vinte pasi kjo shoqëri ishte bllokuar nga tatimet për mos të kryer veprime doganore, kështu unë i dhashë emrin e dytë të kësaj kompanie “Inter-Kriss sh.p.k” si dhe NIPT-in sekondar”. Në fillim unë i kam dhënë Vullnetit NIPT-in e firmës AE-1 sh.p.k për të bërë të mundur transportin e vajit nga vendi ku ndodhej për në Shqipëri. Me këtë NIPT nuk mund të kryheshin veprime doganore dhe unë i kam dhënë Vullnetit NIPT-in e firmës Inter-Kris. Nga kompania belge i është dërguar një e-mail Kristos nga fundi i muajit shkurt 2011, ku e sqaronte për dokumentet që duheshin për të bërë trasportin e mallit. Kristaqi më tha në telefon se i kishte përkthyer dokumentet, por jo shumë mirë. Unë i thashë për këtë gjë Vullnetit i cili më ka dhënë mua një adresë e-mail dhe me tha që jepja Kristaqit të më dërgojë të dhënat e email-it që i ka dërguar kompania belge për t’u përkthyer.
Gjatë muajve shkurt-mars 2011, pasi Vullneti ishte kthyer nga Belgjika jam takuar nja dy herë tek kompania e basteve “Xhoi Lloto” që ndodhet pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë tek semafori që të nxjerr tek unaza. Ai më ka thënë se kishte bërë dhe pagesën e gjithë ngarkesës se vajit që do vinte nga Belgjika për llogari të firmës AE1, por nuk kam dijeni se sa ka qenë shuma e saktë por, duhet të jetë diku rreth 35-40 mijë Dollarë. Gjithashtu, më datë 11.03.2011 jemi takuar serish me Vullnetin tek stacioni i autobusit i Unazës afër Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe më ka thënë se duhet që të bëhet pagesa e shumës prej 1320 Euro, për llogari të një agjencie doganore në Belgjike, të dhënat dhe adresen e të cilës m’i ka dhënë Vullneti, por unë nuk i mbaj mend, por është i bashkangjitur tek mandati i pagesës që kam bërë në “Tirana - Bank” pranë “Megatek”.
Kam për të thënë se shuma e mësipërme me është dhënë mua nga Vullneti me qëllim për të paguar ndryshimin e dokumentacionit që shoqëronte ngarkesën e vajit si dhe të qëndrimit të kontenierit në Belgjikë. Në fillim unë së bashku me Vullnetin kemi shkuar te banka Tirana Bank te Zogu i zi për të bërë këtë pagesë, por nuk e kemi bërë pagesën në këtë bankë pasi duhej të ishte vetë administratori i firmës, pra Kristaqi.
Pas kësaj kam shkuar vetëm te filiali i bankës Tirana Bank te Megatek dhe aty e kam bërë këtë pagesë. Unë kam komunikuar në telefon në dt 11.3.2010 me Vullnetin dhe me Kristaqin ku i kam thënë që do të mbyll lekët në llogarinë tënde. Pasi bëra këtë pagesë Vullneti më datë 17.03.2011, më ka dhënë dhe shumën prej 9500 euro, të cilën unë e ktheva në dollarë dhe nëpërmjet një shoferi të kompanise AE1 nga Gjirokastra me emrin Tafil Hundai, i kam dërguar Kristaqit gjithsej 11 800 (njëmbëdhjetë mijë e tetëqind) Dollarë, shumë e cila do të shërbente për të zhdoganuar vajin. Të nesërmen unë jam interesuar me Kristaqin nëse i kishte marrë apo jo lekët dhe ai me tha i mora dhe dërgova Dhorin për të paguar doganën.
Më datë 21.03.2011, rreth orës 10:30, më ka marrë në telefon Kristaqi dhe më ka thënë se çfarë është ky vaj me këtë çmim të lartë. Unë i jam përgjigjur që plase në nje cep të magazinës dhe të mos e përdorë, pasi kur të vijë Vullneti ta shohi, të bisedojmë për çmimin dhe mbase biem dakort, në të kundërt, Vullneti do të merrte mbrapsht sasinë e vajit, kjo sipas marrëveshjes që kishim bërë më parë.
Unë nuk kam asnjë lloj dijenie se kush do ta bënte transportin e vajit të palmës, cila ishte data e mbërritjes së mallit, çfarë lloj amballazhimi dhe cilësie kishte malli që do dërgohej në Gjirokastër, çfarë kishte brenda ngarkesës, si dhe se sa ishte vlera e mallit që do të zhdoganohej, por normalisht gjithçka ka ditur Vullneti pasi ai ishte personi që ka bërë pagesen e mallit, është i njëjti person që më ka dhënë lekët për të bërë pagesën e penaliteteve të kontenierit në Belgjikë si dhe për zhdoganimin e vajit të palmës.Vaji që përdorej zakonisht nga firma AE1, ndryshonte në varësi të cilësisë, por mesatarisht shkonte rreth 2.2-2.4 dollarë, kurse një liter vaj nga ai që pati dërguar Vullneti, sipas Kristaqit shkonte rreth 3.87 dollarë për litër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.