Sabina Veizaj- Polifonia si një proces i krijimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar, pas '90-ës e ka tjerrur vëmendjen dhe investimet prej institucioneve qeveritare.
Mjeshtrat e Polifonisë, të cilët këtë të kënduar e kanë mënyrë dhe stil jete shqetësohen për të ardhmen e kësaj pasurie të trashëgueshme kulturore shpirëtrore tek brezat e mëpasshëm.
Sipas tyre, kjo mënyrë jetese është e pamundur të vdesë sepse e ka origjinën nga natyra, ka lindur me njeriun, por “është turp për qeveritarët që nuk arrijnë të vlerësojnë atë që na e ka zili e gjithë bota, me të cilën krenohemi prej shekujsh”- thonë ata.
Golik Jaupi i grupit të “Bënçës”, të cilin e takoj në Tepelenë, në bisedën që zhvillojmë për Polifoninë nuk e rresht ndonjëherë ritmin. Pasioni i tij për këtë shqisë të gjashtë në jetën e tij sa vjen e rritet pavarësisht viteve mbi supe dhe të duket nga energjia sikur flet me një djaloshar ëndërrimtar që kërkon ta shpjerë përpara këtë trashëgimi kulturore të vendit.
Goliku më shpjegon se Polifonia nuk ka një datë apo periudhë në të cilën ka fillluar. Megjithëse shumë studiues janë marrë me të, nuk ka gjurmë fillimi, “prandaj unë them që Polifonia ka lindur me njerëzit, aq e lashtë është”.
Ai e ka nisur atë që në klasën e pestë, të trashëguar nga i ati dhe gjyshi. Por në fshatin e tij Bënçë kanë kënduar të gjithë.
“Duke dëgjuar ata pleq që këndonin aq bukur, rrija prapa tyre. Natyra më dha një zë të bukur. Më ka identifikuar si fillim Etem Pazaj, profesori im në atë kohë.Ishte edhe koha e festivaleve folklorike që nga kopshti, shkolla, lagja, lokalitetet. Profesori më tha që do të ngrinte një grup pionerësh për të kënduar polifoninë. Nuk e bëj dot i thashë. Po do ta bësh më tha. Ishte një grup i bukur. Në shesh kam kënduar”- kujton mjeshtër Jaupi duke vijuar mandej rrëfimin se ata që ia nxitën rrugëtimin ishin të bindur në të ardhmen e suksesshme të tij.
Që në atë periudhë ndërmend mjeshtër Jaupi, përpos librave që lexonte të shkollës e jashtëshkollor, të kënduarit e kishtë shumë më të rëndësishëm, të domosdoshëm. Nuk qëndronte dot.
Ai kujton se në moshën 20 vjeçare, më 23 tetor 1964 ka kënduar përpara Enver Hoxhës, Mehmet Shehut përkrahë grupeve të rëndësishme polifonike të aso kohe siç ishin grupi i Progonatit, Nivicës, Slarisë, Peshtanit, etj, që siç kujton mjeshtër Jaupi ata ishin në moshën e tij sot.
“Kur kam dalë në skenë për herë të parë mu duk sikur jetova në një botë tjetër. U çudita si nuk më ra të fikët.”- më tregon ai po me emocion.
Pasi merr një këngë i shoqëruar nga anëtarët e grupit, më tregon se “sefte polofonia ka nisur nga vajtimet e nënave, pastaj me culën dyjare duke imituar tingujt në natyrë”.
Por një anëtar i grupit, i cili aktualisht është mësues i një shkolle fillore në Tepelenë, më tregon se në një libër studimor që ka lexuar mbi Polifoninë, ka dëshmi që tregojnë se ajo ka nisur nga vajtimet e burrave gjatë fatkeqësive që iu ndodhnin në jetë.
“Ka edhe sot burra që qajnë me ligje; traditë e zonës së Progonatit dhe Salarisë. Isha prezent vetë në një rast të vonë, kur një burri i kishte vdekur djali i ri dhe u ul e qante me ligje”- më tregon mësuesi duke shpjeguar se burri qan vetëm dhe i ulur, kurse femrat në grup dhe më këmbë. Nga vaji ka lindur polifonia.
Kënga gurë mali/ në regjimet e këqija/
kur na preu uria, këmgën nuk e lamë në mes/
edhe përtej urës së qabesë.
Citon vargjet mjeshtër Golik Jaupi për të treguar rezistencën e Polifonisë ndër shekujt dhe regjime, sepse sipas tij Polifonia vjen nga brenda, nuk është diçka që mësohet. Sipas tij, është një shkencë e pashkruar.
Të njëjtën gjë më shpjegon edhe profesor Panajot Barka. Edhe ai pohon se Polifonia nuk ka një datë a periudhë ngjizjeje, por ka buruar nga natyra. Bariu është simbolizimi i fillesës së Polifonisë.
“Natyra në male është tejet e egër dhe barinjtë për të zbutur këtë natyrë tek dilnin me bagëti nisën të imitonin tingujt e zileve, këmborave, blegërimat, zogjve, shiut, etj”- shpjegon profesor Barka.
Ai më sqaron se ndër shekuj Polifonia ka vulosur identitetin kombëtar sepse i ka rezistuar çdo periudhe historike duke mbetur autoktone dhe autentike.
“As bizanti, as otmanët, as komunizmi nuk arritën ta dëmtonin Polifoninë. Polifonia ka shkëmbyer; ka ndikuar dhe është ndikuar nga ngjarjet historike, por ka mbetur e njëjtë në thelb. Polifonia është stoike”-thotë Barka, i cili pretendon me tezën e tij se Polifonia është e gjithë Epirit, jo vetëm e shqiptarëve.
Nga ana tjetër studiuesi Kristo Çipa shpjegon se Polifonia daton përpara Dodonës. “Kur është shfaqur Dodona, polifonia ishte krushka e parë dhe i ka çuar peshqesh asaj një këmishë të bërë me cipë gjarpri në këmbim të parashikimit të fatit të saj. Por Dodona e mjegulluar nuk mundi ta parashihte fatin e këngës se humbi brenda magjepjes së saj”, thekson ai.
Sipas tij, UNESCO, e quan iso-polifoninë shqiptare “Kryevepër të njerëzimit” në 2005. Polifonia shqiptare mbrohet nga UNESCO, trashëgimi gojore. “Para viteve gjashtëdhjetë nuk i thoshte askush polifoni kësaj kënge të veçantë, por kënga vë(d)nçe, e cila e shprehte jo shkencërisht, por thelbësisht identitetin e saj. Përsa i përket termit ‘Polifoni’ dhe gjeografisë së shfaqjes së saj, atë mund ta ndeshësh anekënd globit në forma e variante nga më të ndryshmet, por asnjëherë e përafërt me këngën iso-polifonike shqiptare”.
Mandej, vazhdon mjeshtër Goliku, “i pari që ka nxjerrë këngën labe ka qenë një prijës, një profesor i paparë. Si Anjshtanji dhe Aristoteli që kanë qenë mjeshtra në fushën e tyre, kështu ka qenë edhe ky profesori ynë që ka krijuar polifoninë. Që prej asaj kohe këndohej sipas zonave. Çdo zonë ka stil të veçantë. Gjirokastra është i vetmi qytet në Shqipëri dhe anembanë botës ku këndohet Polifoni që këndon labçe qyteti. Vlora, Korça edhe qytetet e tjera këndojnë muzikë popullore. Edhe Gjirokstra në çdo lagje këndon ndryshe.”
Edhe në Golëm të Gjirokastrës ku fshati është “bastisur” dhe kanë mbetur pak familje, linja telefonike dhe e internetit nuk shkon, Polifonia është më e gjallë se kurrë.
“Ne Polifoninë e kemi ushqim për shpirtin, siç kemi bukën për trupin. Nuk mund të jetojmë dot pa kënduar. Ashtu siç vajtojmë në fatkeqësi, ashtu këndojmë çdo ditë kur shkojmë me bagëti, a mblidhemi me njëri -tjetrin, tek qëndrojmë në shtëpi. Jeta vazhdon dhe prandaj ne këndojmë sepse Polifoni do të thotë trashëgimi, vazhdimësi e jetës”- thotë Xhelo Mëhilli i cili ia ka trashëguar edhe të birit, Arbrit. Nëse Xhelon e vë në sedër duke i thënë se Arbri ta ka kaluar, ai nis të këndojë dhe nuk pushon mandej.
Arbri modestisht më tregon se është amator, mjeshtri është babi, thotë.
Por ai nuk e imagjinon dot ditën pa kënduar. “Është mënyrë të jetuari, nuk mësohet, lind me ty. Trupi të kërkon bukë, shpirti të kërkon të këndosh”- thotë Arbri.
Për mjeshtër Golik Jaupin, kaq e fuqishme është Polifonia sa ndër shekuj nuk arritën të na ndryshonin as gjuhën, as kulturën, as veshjen, as traditën.
“Pas 90’-ës nuk e duan Polifoninë. Nuk japin asnjë qindarkë. Ku mund të shkojmë ne me 5 mijë lekë të vjetra. Nuk e di pse nuk e vlerësojnë kur na ka zili e gjithë bota. Ishim në Gjermani tani vonë për dy netë. Drejtoresha e televizionit ku na kishin ftuar, u mahnit aq shumë, u emocionua dhe qau e na donte të rrinim më shumë. Tha do të qëndroni edhe tre ditë të tjera, do tua paguaj unë shpenzimet. Kjo ndodh kudo shkojmë; Amerikë, Izrael, Francë, etj. Para pak kohësh erdhi në shtëpinë time një ekip me 12 studiues nga Kalifornia. E njihnin Polifoninë dhe ishin shumë të interesuar të dinin më shumë”- tregon pak i mllefosur mjeshtër Jaupi për indiferencën ndaj kësaj trashëgimie kulturore.
Por, ai gëzon shumë që nipërit e tij e kanë trashëguar labçen, avazin e Golikut. “Ti dëgjiosh ata qan. Unë qaj për vete sa herë i dëgjoj”- emocionohet mjeshtër Goliku.
“Në Angli kur shkuam të jepnim koncert prisnin instrumenta dhe u çuditën që kishim vetëm zërin. Është e lindur. Labçja nuk ka profesor kurrë.
/Populli vetë e ka derdhur/ me shpirtin e saj si gurë/,e fjalët nga zemra zgjedhur/ labçen kurrë s’e lamë nga buza/ dhe kur rronim me lëpjeta/ ku kish duk Evropa lukse që të rronim me opereta/”
Pas 90-ës, tregon mjeshtër Jaupi, Polifonia është ruajtur me zotësinë e këngëtarëve dhe ndihmën e disa biznesmenëve, por më shumë se kaq iniciativa e këngëtarëve.
Shteti, thotë ai, pas 90’-ës nuk është marrë as me folklorin, as me polifoninë.
“Nuk ka për të humbur sepse shumë të rinj dhe të reja kudo që janë lebër e kanë pasion. Kudo ku janë këndojnë. Kur nuk arriti dot asnjë Perandori ta asgjësojë Polifoninë, si do të mundin qeveritë?!”- më thotë mjeshtër Golik Jaupi i cili ka në repertorin e tij ka gati 500 këngë Polifonike dhe të gjitha çmimet e kohës; laureant i tre festivalëve që nga '68-ta, gjithë grupi i Bënçës ka marrë urdhrin Naim Frashëri, po ai vetë Artist i Merituar që në moshën 36 vjeçare, mandej Artist i Popullit e më vonë Mjeshtër i Madh. Nder i Qarkut të Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Tepelenës. Është propozuar po ashtu Nder i Kombit teksa më 24 mars festoon përvjetorin e 75-të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.