Nga Edmond Prifti – Teksa disa punëtorë me ekskavatorë ishin duke hapur një shteg, për të mbledhur gurë për ndërtim, nga një masiv i ndodhur mbi një kodër në vendin e quajtur tek Përroi i Xhrihes apo Bjeshkët e Xhuxhës, në Fan të Mirditës, ata hasën një gur të madh e të sheshtë, ku nga njëra anë ishin realizuar mbi shkëmb disa “vizatime” të çuditshme… Përmes ekskavatorit e kthyen me kujdes gurin dhe e lanë atë duke e mbështetur pas një peme. Pas ndërprerjes së punimeve, ata lajmëruan kryetarin e njësisë administrative të Fanit, Kolin Markun, duke parë se ato piktograme mbi gur, ishin bërë dora e njeriut të kohës së bronzit apo edhe më herët… Ende edhe sot, ata presin të vijnë specialistët nga Ministria e Kulturës apo institucionet e ngjashme “për të tërhequr gurin drejt një vendi të sigurt”…pasi sipas tyre, edhe për disa ditë do qëndrojnë në atë vend, e më tej… asgjë nuk dihet se çdo të ndodhë. “Kemi parë disa kamionë që kanë tentuar të futen në atë shteg, por janë ndaluar nga vetë ne dhe banorët e fshatit Xhuxha, të Mirditës”, – kanë thënë dy punëtorët që hapën të parët këtë shteg… Udhëtimi ynë në këtë vend duhej të ishte i bekuar, për shkak se pikërisht atë ditë, krejt pa e ditur, çdo 6 gusht festohet Dita e Shnritatit (Shën Trinisë), – festë të cilën e organizojnë banorët e lagjes Batra të fshatit Xhuxha të Mirditës, ku sipas tyre besohet se, “në atë vend shndrit dielli më së pari”.
Rrugëtimi për tek guri plot shenja…
Këtë udhëtim e ndërmorën me iniciativën tonë, pas lajmit në media që një gur i lashtë me “vizatime” mbi të, ishte gjetur teksa punëtorët hapnin një shteg të ri për të nxjerrë rasa guri nga një masiv mbi Bjeshkët e Xhuxhas. Thierry, një “aventurier” e miku im francez; një njohje e vitit 2011, (i ardhur në Shqipëri pikërisht më 5 shtator 2011, si pilot-instruktor i pilotëve të Repartit të Farkës me helikopterët e prodhimit francez, “Cougar”. Për të do të flasim më gjatë, në reportazhin pasardhës në Gazeta Si) përgjatë udhëtimeve me klubin alpinistik “High Albania Mountain Club”, si dhe i etur për aventura të këtij lloji, e unë ca më keq për të zbuluar vende të tilla, e ndërmorëm këtë udhëtim nga Tirana, për rreth 1 orë e gjysmë, duke arritur në pushimin tonë të parë; tek Info Kulla, pranë Rubikut.
Aty, morëm me vete edhe Nikolin Nikollin, drejtorin e Info-Kullës në Mirditë, i cili e njeh zonën, por edhe ai ashtu si ne, nuk e kishte parë ende gurin e zbuluar ditë më parë. Me të, kishim realizuar më parë reportazhin për Gazetën Si, “Mirëdita, shtegtim në tokën e Pirustëve”, pa e ditur që shumë shpejt do të riktheheshim sërish në atë vend. E tashmë, për një zbulim të rrallë në këtë tokë të Pirustëve, ku jo krejt rastësisht gjenden disa të tilla në shpella në zonën e Mirditës, por e para e këtij lloji edhe në Shqipëri, në formën e rrasës së gurit. Që pa u nisur, Thirry Solignac, apo siç i them unë “shqiptari, më shumë se shqiptar” me pseudonimin Titi më flet për këto shenja të ngjashme me ato të Luginës së Valcamonica-s, apo siç njihet Lugina e Mrekullueshme.
Të etur për aventura, por edhe kuriozë, shkëmbyem disa mendime edhe për gurin e Rozetës, e një dokumentar mjaft të bukur të parë shumë vite më parë, për atë gur që francezët e gjetën gjatë gërmimeve arkeologjike në Egjipt e më pas “përfundoi në duart e anglezëve”, por që ishte edhe pikënisja e leximit të hieroglifëve egjiptiane. I tillë do më përngjante paksa mes enigmave që kishte realizuar “njeriu i lashtë” aty mbi atë gur të gjetur në fshatin Xhuxha. Ç’ka dashur të na tregojë ai ne, njerëzve të sotëm?…Si i kishte gdhendur ai apo ata, me mjete të mprehta dhe se si me gishtat tanë do të kalonim lehtazi ndër ato shenja mbi gur, sikur në mendje ktheheshim në kohën dhe mënyrën e jetesës së tyre, shekuj më parë…
“Kanë ardhur me kamionë për ta vjedhur!”
Pasi kishim “ecur” me makinë, pothuajse 14 kilometra përmes malit, në të djathtë të Repsit, u mrekulluam me pamjen që ofronte “Guri i Nuses”, një monument natyror të cilin e lamë në të djathtën tonë, sipër fshatit të Shëngjinit. Kishim lënë pas, një rrugë që të çon për poshtë, ku dallojmë shkarazi “Rrugë private”, për të cilën Nikolin Nikolli, na thotë se “kjo është rruga për në rrënojat e hershme të qytezës së Batrave”, pothuajse të pa eksploruara. Me vështirësi në këto rrugë alpine, e Thierry që nuk i ndan sytë programit ‘VieëRanger’, si dhe me ndihmën e Nikut, arrijmë sipër fshatit Xhuxha, ku disa rrugë të hapura së fundmi të ngatërronin akoma më keq… Edhe në atë pjesë, ashtu si në shumë vende të tjera, dalloheshin rrugët e vjetra të karvanëve me kalldrëm Mirditë-Kukës.
Në një prej atyre rrugëve të sapo hapura, e cila shkon ekzaktësisht mbi kodrën sipër fshatit, disa dhjetëra metra nga “rruga kryesore” alpine, arrita të njihja vendndodhjen duke u shkëputur befas nga dy bashkudhëtarët që kishin shkuar pranë ekskavatorëve që kishim lënë pas. E dallova si vend nga fotografitë e para, që ishin realizuar në këtë zonë fill pas zbulimit, e nuk e di sa minuta kisha mbetur i mahnitur deri sa u rizgjova, kur fillova të thërras Thierry-n dhe Nikun, të cilët vijnë pas disa minutash së bashku me dy punëtorët që e kishin gjetur të parin këtë gur, e që qëndronte ashtu i mbështetur pas pemës, që pas zbulimit ditë më parë. “Këtu në këtë zonë ka objekte të tjera të lashta”, – dëgjova duke ia shpjeguar në anglisht, Thierry-t, ndërsa lëvizte krahun për t’i treguar vendndodhjen e tyre, së bashku me celularin që mbante në dorë, drejt Bjeshkëve sipër Xhuxhas, aty ku ndodhen edhe rrënojat e një kishe paleokristiane, ndërsa Niku po aty shton se, afër saj është edhe Shpella e Batos, “që është shembur hyrja kryesore, pasi dikush ka gërmuar…për flori.
Në atë moment të kujtohen befas shumë nga monumentet e natyrës apo ato copëza historie shqiptare, të shkatërruara duke kërkuar flori, thuajse i lanë të parët tanë aty, për ti kërkuar ‘ndjekësit e thesareve”, kur Amerika i ka kaluar “ethet e arit”, që në fillim të shekullit të XIX-të). Po ashtu mësojmë nga punëtorët se edhe ata kishin pasur probleme nga fshatarët e Xhuxhas, të cilët fillimisht kishin besuar se punëtorët po kërkonin aty…flori.
Më tej e kuptuan se, bëhej fjalë “për flori, e kaluar floririt”, e së bashku me punëtorët, kishin ndaluar disa makina, të cilat kishin dashur ta rrëmbenin atë pasuri të Xhuxhas, por jo vetëm… “Po ngeli këtu, do ta marrin me siguri”, – thotë një prej punëtorëve, i cili i bën thirrje institucioneve të merren seriozisht me këtë gur historik, duke shtuar se, “kanë ardhur me kamionë për ta marrë natën, e ndërsa kanë gjetur fshatarët, kanë ikur. Duhet ta siguroni vetë. Nuk e di se kush jeni ju, por ky duhet siguruar. Ne po ikim nga këtu, por kjo duhet siguruar, pasi do ta marrin”, – thotë po ai punëtor, i cili më pas na shpjegon se ata do të jenë edhe pak ditë në atë vend.
Një tjetër shpjegon se pjesa e poshtme nuk është e dëmtuar nga ekskavatori kur e nxorën, pasi ishte e tillë”, ndërsa shton i çuditur, “…si e kanë bërë gjithë këtë, nuk e kuptoj! Të bën përshtypje se janë të lidhura. Po të mos ishim këtu, nuk do ishte zbuluar për një milionë vite”. Më pas, të dy “gjetësit e thesarit”, i afrohen gurit dhe e shikojnë centimetër për centimetër, duke u mrekulluar nga realizimi i shenjave në gur, i atij njeriu të lashtë. Pasi ishim mrekulluar për minuta të tëra, Thierry nxjerr dronin e tij DJI Mavic Zoom 2, e fillon të regjistrojë zonën nga lart. Në ato pak minuta ndërsa Thierry merrej me xhirimet me dron, ku gjetëm pakëz internet hodhëm një foto me thirrjen për mbrojtjen e këtij guri nga Ministria e Kulturës, e institucionet në varësi, në rrjetin social Facebook, ku ishin të shumta komentet e interesimi, mes të cilëve edhe kolegu Ilir Nikolla, por edhe të tjerë që më shkruanin pambarimisht në inbox. Pak kohë më vonë faqja “Xhuxha. Krenaria e Mirditës”, në komentet e tyre mendojnë se, “guri duhet të qëndrojë po aty e të rrethohet zona, ndërsa të vihet një roje ditë e natë…”, për ta mbajtur kështu, si vlerë të paçmuar, të fshatit tonë. Po atë ditë arkeologu Myzafer Korkuti bën thirrje për mbrojtjen e këtij guri, por edhe rëndësinë e veçantë të këtij zbulimi. Sipas tij, ai do ta vizitojë vetë personalisht në fillim të shtatorit, pas pushimeve…
“Lugina Valcamonica” në Francë
Ajo është e njohur në mbarë botën. Mbi 40.000 vizatime të tilla gjenden në një luginë në Francë, të quajtur Valcamonica, madje disa prej inçizimeve të gjendura në këtë shkëmb pranë Xhuxhës janë të ngjashme me vizatimet e gjendura në këtë luginë, të cilat datojnë më shumë se 10 mijë vjeçare, që nga periudha e hekurit dhe e bronzit. Ajo që njihet nga të gjithë dhe gjendet pothuajse në gjithë “vizatimet” në rasa guri apo hyrje të shpellave, është kulti i diellit i skulpturuar me një rreth dhe një kryq me rreze të njëjtë brenda, por gjithë pjesa tjetër nevojitet të studiohet nga specialistët e fushës së piktogrameve apo petroglifeve.
Kroi i Kigjit dhe Shpella e Batos
Kroi i qengjit, i thuhet ndryshe këtij vendi për të cilin banorët i thonë “edhe uji që shëron të vdekurit”. Ai është një krua me ujë të ftohtë akull, e në zonë gjenden disa të tilla, por ky është më i njohuri ndër ta. Aty menduam fillimisht të pushonim pakëz në mes të vapës së gushtit. Për këtë krua, Nik Nikolli thotë se, nuk dihet sa i lashtë është dhe ndodhet më pak se një kilometër nga Guri i gjendur në fshatin Xhuxha. Aty qëndrojmë veçse disa minuta dhe freskohemi me ujin akull të burimit, ndërsa pothuajse menjëherë vendosim të mos humbim kohë dhe së bashku me Thierry-n dhe të shoqëruar nga Nik Nikolli, të eksplorojmë një tjetër vend, për një turizëm të veçantë, – për të cilin na kishte folur më parë në makinë, drejtori vetë. Pasi ishim kthyer pakëz mbrapsht drejt fshatit Shëngjin, në një nga stanet aty na del Klodi i cili na thërret të provojmë djathin e mrekullueshëm të dhisë, të cilat ai i mban në këtë stan.
Pas disa minutash bisedë nisemi drejt Shpellës së Batos, që ndodhet në shpinë të vendit të quajtur Kepi i Qytetës. Pas disa aventurash për ta gjetur shtegun ekzakt, sërish na vjen në ndihmë ViewRanger, duke gjetur shtigjet e maleve. Pavarësisht se këto shtigje alpine për të shkuar tek Kroi i Kigjit, Shpella e Batos apo për tek Guri i Nuses, janë shënuar nga Niku dhe Gjergji, është më e vështirë që të gjendet përmes shtegut të makinave 4×4. Megjithatë ecim përmes një kthese pothuajse të fshehur mes malit, por edhe pyesim një prej barinjve të cilin e hasim gjatë rrugës, i cili na thotë se të çon vetë rruga, ndërsa i hedh shikimin njëherë makinës, duke e parë se sa e lartë ishe ajo…
Në fund të bisedës, pasi na thotë se hyrja e parë e shpellës është e mbyllur (ashtu siç na kishte thënë edhe më parë Nik Nikolla) provoni hyrjen e dytë që gjendet disa metra më sipër saj, duke ndjekur rrugën e antenave që ndahet një çast… Rrugës, vendosim të mbledhim edhe çajin e malit, i cili ndryshe nga sa jemi mësuar ne, në këto zona është “çaji i familjes së rigonit”, siç edhe na shpjegon Nik Nikolli. Pas vështirësive të shumta nga gurët apo bimët në mes të rrugës, arrijmë në majë të asaj lugine të mrekullueshme, teksa në të majtë një masiv i madh shkëmbor. Ecim pothuajse 15 minuta më këmbë dhe arrijmë tek hyrja e parë e shpellës e cila është e mbyllur ku edhe duken gjurmët e një shembjeje.
Pak metra më tutje ishte hyrja e dytë, brenda së cilës futemi me vështirësi në brendësi të saj, ndërsa Thierry akoma edhe më thellë (ngaherë marrim elektrikë dore me vete, çfarëdo lloj aventure qoftë ajo). Pas hyrjes së ngushtë dhe të pjerrët në këtë shpellë, janë dy hyrje të tjera të ngushta, një nga e djathta që të çon në një paradhomë tejet të ngushtë dhe Thierry që xhiron veten, e nga ana e majtë, futesh përmes një ngushtice e më tej errësirë për poshtë. Aty e anë të elektrikut, vërejmë se janë një palë shkallë prej druri, por lartësia për të zbritur e pa marrë litarë me vete, e bën të rrezikshëm këtë aventurë më tej, kështu që, së bashku me Thierry-n mendojmë që të mos vijojmë më tej… E pyesim Nikun i cili ndodhet pothuajse në hyrje të shpellës, ndërsa na thotë se ato shkallë duhet të jenë vënë aty “që në kohën e Partisë së Punës, kur vinin nxënësit e shkollave për eksplorim në këtë zonë”. Thuhet se, në vitin 1922 hynë për herë të parë specialistë austriakë, të cilët nuk lanë gjë pa shkruar rreth saj…
Të tjerë, vite më pas u futën brenda kësaj shpelle deri në një thellësi prej 500-1000 metrash…në kërkim të thesareve. Sipas gojëdhënave, kjo shpellë është në formën e një tuneli që del nga ana tjetër, në breg të Drinit. Nisur nga emri e pozita ku ndodhet kjo shpellë, thuhet se aty luftuan ilirët, nën komandën e gjeneralit Bato, në kryengritjen e tij ndaj romakëve siç njihet ndryshe edhe Kryengritja e Madhe Ilire në vitet 6-9 pas Krishtit. Thuhet se, të parët që u futën në këtë shpellë gjetën armë të vjetra të kohës…
Dy legjendat e Gurit të Nuses e barbecue me banane dhe çokollatë
Për ta përmbyllur sadopak të lumtur këtë aventurë të ditës sonë, e ftojmë Nikun për një barbecue, “alla français” për të cilën Thierry, është specialist më vete. Vendosëm që atë do ta konsumojmë ashtu siç ishim të uritur në atë vend që nga larg, na u duk i mrekullueshëm dhe që hera-herës shihej nga gjithë pozicionet e rrugës sonë në këtë zonë. Guri i Nuses, një monument natyre i kategorisë së III-të, ndodhet në lartësinë 1700 metra, e gjendet shtatë kilometra nga rruga kryesore mbi fshatin Shëngjin të Mirditës. Sipas legjendës, lidhet me nusen e re që u hodh nga shkëmbi për të mos rënë në duart e turqve.
Morëm rrugën për poshtë, duke lënë pas Shpellën e Batos dhe iu bashkuam “rrugës kryesore” të bjeshkëve, për të marrë sërish majtas për tek Guri i Nuses, pika më e lartë është Maja e Zebës me 1965 metra. Pas gati 20 minutash, arrijmë dhe pasi mbledhim disa shkarpa për zjarrin, Thierry nxjerr “zgarën e famshme” nga makina. Pas sallamit italian të kuq, por tejet të mirë e djathit të dhisë, salsiçet tutje kishin filluar të pëlcisnin nga prushi, ndërsa pranë dëgjohej “melodia” e ujit akull, nga burimi.
Me hijen që ulej ngaherë e më shumë mbi Gurin e Nuses teksa kishte filluar perëndimi, pas nesh dukej Mali i Munellës e Bjeshkët e Namuna. Një natyrë që të mbush thellë me ajër të freskët malesh. Thierry më në fund kishte përgatitur menynë e tij të veçantë, duke e mbyllur me banane e çokollatë të pjekur në zjarr, e duke biseduar për gurin e lashtë që pamë, Shpellën e Batos që do rikthehemi sërish, por edhe atë mrekulli të natyrës që kishim para syve tanë…
Dy gojëdhënat e tjera
Janë gjithsej dy gojëdhëna që thuhen nga banorët e zonave përreth fshatit Xhuxha e Shëngjin, në Fan të Mirditës. E para i përngjan edhe gojëdhënës sonë por “pa turq”. “Në kohët e hershme, thuhet se, barinjtë që kullosnin bagëtitë u sulmuan nga grabitës apo pushtues. U vranë gjithë barinjtë e mbeti veçse një bareshë nuse. Edhe asaj iu vërsulën për ta përdhunuar, por ajo hidhet nga guri (shkëmbi) dhe vdes. E kështu i ngeli edhe emri “Guri i Nuses”.
Ndërsa gojëdhëna e dytë “flet për një nuse, e cila duke kullotur bagëtitë, goditet nga një dash dhe vdes”. Ndonëse të dyja këto janë gojëdhëna, rruga për poshtë saj, ka qenë një udhë kalimi e lashtë që njihet që nga 1450, pasi prej këtej kalohej nga Oroshi për në Lumë, e Prizren të Kosovës. Kalimtarët mbase që asokohe janë habitur me këtë gurë që “qëndronte në këmbë si një nuse”, duke i venë edhe një emër të tillë. Këtë histori e mbështet edhe Pjetër Marku, kryetari i shoqatës artistike “Mirdita”.
Fani i Mirditës
Duke folur kaq shumë për këtë zonë të Fanit, sipas gojëdhënave, emri Fan, vjen nga lumi Fan i Vogël dhe krahina mbarë, ka qenë e banuar që në kohët e lashta ilire. Dëshmi janë Qyteza e Batrave dhe Gurra e Domgjonit. Fani, përmendet në një dokument të vitit 1387, ku thuhet se, “Tanush Lek Dukagjini ka qenë zot i Fanit dhe ai ka pasur në zotërim një territor të gjerë të Shqipërisë së Veriut”. Origjina e kësaj krahine, vjen nga fisi i Pirustëve që kanë qenë shkrirës bakri e metalesh të tjera, ku dëshmi janë edhe furrat primitive që vendasit i quajnë “Gurët e Xhudhive”. Sipas historianit romak, Tit Livi, të fundit që iu nënshtruan atyre, ishin fisi i Pirustëve, që banonte në krahinën e Mirditës, por edhe pas pushtimit pirustët ruajtën një lloj autonomie, duke mos paguar taksa…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.