Nga Edmond Prifti - Vetëm 22 kilometra larg Tiranës, larg plazheve të zhurmshme, aromave të mbeturinave apo zhurmave të dhjetëra lokaleve ngjitur njëra-tjetrës, gjendet një nga perlat e natyrës së egër shqiptare: Syri i Kaltër i Erzenit dhe Shpella e Pëllumbasit, - një ndër “shtëpitë” më të hershme të epokës së neolitit, por edhe ariut të famshëm të shpellave; vvendstrehim gjatë periudhë së e bronzit dhe hekurit… por edhe më vonë, e përdorur si e tillë edhe gjatë luftërave.
E njohur ndryshe edhe me emrin Shpella e Zezë, Shpella e Pëllumbasit (toponim i marrë nga emri i fshatit ku ndodhet) është një nga 6 shpellat e rralla karstike që gjenden në Europë, që paraqit vlera shkencore, arkeologjike, kulturore dhe turistike për gjithë vizitorët e saj, ku numri total i tyre sipas “Info Point Pëllumbas”, e hapur rishtas - shkon në 5000, deri në 10.000 në vit. Shpella ndodhet rreth 2.5 kilometra në verilindje të fshatit Pëllumbas, në krah të majtë të lumit Erzen dhe pothuajse 24 kilometra në juglindje të Tiranës, (për shkak të rrugës së re drejt Elbasanit, distanca në kilometra është e diskutueshme, midis 22 dhe 24 kilometra) - 350 m mbi nivelin e detit.
Për të shkuar në Shpellën e Pëllumbasit, nevojitet rreth 40 minuta ecje në këmbë nga fshati me të njëjtin emër, toponim i marrë nga pëllumbat e egër që sipas vëllezërve Duqi, të dy bashkëpronarë të lokalit “Black Cave” dhe udhërrëfyes të “Info Point Pëllumbas”, pëllumbat e egër janë parë deri në fundin e viteve 2000, ku më pas ata vizitorë që shkonin te Shpella e Zezë, i trembën një pjesë e mbetur, u vranë nga gjahtarët së bashku me peshqit e shumtë që kishte dikur Lugina e Skoranës, por edhe derrat e egër dhe kaprojtë.
Shkëmbinjtë përreth Luginës së Skoranës, formojnë një shteg dhish (i rregulluar vite më parë, e tashmë thuajse plot me dërrasa të kalbura) që zgjatet deri në hyrje të shpellës, me vende-vende pushimi. Sipas Institutit të Arkeologjisë, shpella ka formuar degëzime të shumta, përgjatë miliona vitesh, ku edhe janë formuar stalaktite dhe stalagmite të shumëllojshme. Në fund të shekullit të kaluar, Shpella e Pëllumbasit është përmendur në disa shkrime të Kostandin Kristoforidhit mbi Tiranën, të cilat kanë sjellë dëshmi për vendndodhjen e saj, por askush nuk ka ditur vendndodhjen “e saktë”, deri në zbulimin e saj zyrtar në vitin 1995, nga specialistët e Shoqatës Didaktike Shkencore Speleologjike Shqiptare. Ekspedita gjithashtu arriti të zbulonte dëshmi të jetës së hershme humane, brenda kësaj shpelle… por ende edhe sot, pak dihen plotësisht për këtë shpellë. Ndonëse, nuk është përcaktuar saktë jetëgjatësia e kësaj shpelle e formimi i saj, në hyrje të Shpellës së Pëllumbasit, gjenden edhe sot disa gropa të hapura ku u gjetën fosile, që sipas konfirmimit nga Muzeu i Shkencave të Natyrës të Universitetit të Firences, u përkisnin arinjve të shpellave (Ursus Spelaus), të cilët kanë jetuar në një periudhë më të hershme se 10 mijë vite më parë.
Dikur Behar Duqi, sot “Info Point Pëllumbas” për turistët
Dikur si udhërrëfyes i kësaj zone, kur vite më parë shkelëm në fshatin Pëllumbas së bashku me pjesëtarët e “High Albania Mountain Club”, ishte Behar Duqi, një i ri, asokohe 30 e ca vjeçar, i cili na shpjegonte me pasion se si dikur në fillimin e viteve ’90 ishte futur në shpellën e fshatit, kur kishte qenë i vogël (në vitin 1992, 17-vjeçar), duke mos besuar se shpella e ka fundin e saj pas 360 metrave. Ai madje na rrëfeu se si një mace e futur brenda në shpellë, u gjet pas njëfarë kohe diku larg… Sot, ndryshe nga vite më parë, tabelat janë të vendosura në hyrje të fshatit, ku na rrëfejnë shkurtimisht edhe për Shpellën, por edhe shkurtimisht përmes shkrimeve dhe fotografive mbresëlënëse, për mrekullitë e Luginës së Skoranës, e cila ndodhet përposhtë Shpellës së Zezë, duke ecur përgjatë shtegut sipër fshatit Pëllumbas. Sot ndryshe nga dje, në vend të Beharit që na shoqëronte dikur dhe çuditej se si asokohe mes nesh kishte edhe vajza që kishin ardhur me sandale me taka, sot, pranë bar-restorantit “Pashai”, por që njihet më shumë si “Shpella e Zezë” apo “Black Cave”, pasi aty ndodhet edhe Info Point, ku shërbejnë vëllezërit Myslym dhe Bardhyl Duqi.
Në fakt, nëse shkoni në Pëllumbas, mos u çuditni, që një pjesë e madhe e banorëve të kësaj ane e kanë mbiemrin “Duqi”… Sot kjo “Info Point”, ofron shërbim sakaq për turistët që nga helmetat dhe ndriçuesit me bateri deri te dhuratat me stampa nga Shpella e Zezë, çajëra të paketuara bukur, e deri te veshjet shqiptare (ndonëse këto të fundit mbajnë firmën e një fabrike kineze…). Sipas të dhënave, në vitin 1995, për herë të parë kur e vizituan speleologët, shpella u shënua në hartat botërore të mrekullive karstike, përkrah vetëm 5 të tjerave simotra që gjenden në gjithë Europën.
Mbi Syrin e Kaltër të Erzenit
Nëse keni ecur pothuajse 25 minuta drejt shtegut të malit, që të çon për te Shpella e Pëllumbasit, në të majtë të Luginës së Skoranës, ndodhej vendi i quajtur Syri i Kaltër i Erzenit, - të cilin mund ta vizitoni pas Shpellës së Pëllumbasit. Poshtë do arrini të dëgjoni gurgullimën e ujit e më tej shihet një pellg i qetë, për të cilin banorët e Pëllumbasit thonë se është një llixhë dhe gurrë uji. Në anën tjetër të Luginës së Skoranës, dikur ishte plot me derra të dhe gjithfarë kafshësh, ndërsa në majat e maleve fluturonin shqiponjat, skifterët e hutat, krahas pëllumbave të egër, që dikur fshati kishte marrë edhe emrin.
Banorët
Ndër banorët që takuam fundjavën e udhëtimit tonë, ishte edhe Aleksandër Bojaxhi, kryetar i Shoqatës së Bjeshkatarëve dhe Alpinistëve “Tirana”, i cili risolli kujtimet e viteve ’70, kur Bojaxhi ishte asokohe mësues në Kërrabë, ndërsa udhëtimin drejt shpellës, e kishin filluar mjaft larg, që nga Bërzhita, pasi asokohe nuk kishte një rrugë të mirëfilltë ky fshat. Bojaxhi ka theksuar se duhet një përpjekje shtetërore për të vendosur kushte më të mira për turistët, por edhe makete se si ka qenë jeta e dikurshme e njeriut të shpellave, një term që përdoret së shumti, sot.
Ndonëse fshati, ndryshe nga dje, ku ishin veçse dy autobusë përgjatë 12 orëve, sot ka katër të tillë, pasi fshati Pëllumbas është pjesë e “100 fshatrave turistikë”, në gjithë Shqipërinë. Megjithatë, banorët e këtushëm, ashtu si edhe dy vëllezërit Duqi, ankohen se përpos rrugës prej 300 metrave dhe disa tabelave informuese për shpellën apo luginën, ky fshat ende nuk mund të quhet një fshat turistik për shkak të kushteve dhe të turistëve që rrallë qëndrojnë më shumë se një ditë. Megjithatë, mikpritja dhe ushqimi bio i fshatit edhe këtu nuk kishte se si të mungonte. Një ditë e cila meritonte lodhjen dhe djersitjen për të parë diçka ndryshe, një udhëtim speleogjik i veçantë dhe kredhje në ujërat e smeralda të lumit Erzen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.