Misioni i Bankës Botërore në Tiranë këto ditë, gjatë një takimi me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka theksuar nevojën për rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë fiskale, si elemente të rëndësishme për rritjen e qëndrueshmërisë së financave publike të vendit.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e Misionit të Bankës Botërore folën për fushën e politikave fiskale, në kuadër të programit në proces të mbështetjes buxhetore, si dhe në fushën e zhvillimit të sistemit financiar.
Në lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar, Misioni ofroi gadishmërinë e vijimit të kontribuit në zbatimin e plotë të programit kombëtar për reduktimin e kredive me probleme dhe në përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të pagesave. Gjithashtu, përfaqësuesit parashtruan mundësinë e dakordimit të programeve të përbashkëta në të ardhmen, të cilat do të mundësonin përmirësimin e mëtejshëm të ambientit të kreditimit.
Guvernatori Sejko u shpreh se një nga sfidat kryesore me të cilat përballet sot Banka e Shqipërisë, është dhe nxitja e kreditimit për të cilën ka zhvilluar takime me drejtues të bankave të nivelit të dytë.
Lidhur me programet e zhvillimit të sektorit financiar, Guvernatori Sejko njohu Misionin e Bankës Botërore me hapat konkrete të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të fundit. Në veçanti, ai theksoi se projektligji “Mbi shërbimet e pagesave”, i hartuar me asistencën teknike të Bankës Botërore, është dorëzuar në Kuvend dhe se po vijon puna për hartimin e projektligjit mbi llogarinë e pagesës që transpozon direktivën përkatëse evropiane. Miratimi i këtyre projektligjeve do të ndihmojë rritjen e shkallës së përfshirjes financiare, do të stimulojë përdorimin e instrumenteve elektronike të pagesave dhe do të kontribuojë në uljen e kostos së tyre. Guvernatori Sejko i njohu përfaqësuesit e BB-së edhe me nismat e Bankës së Shqipërisë për përfundimin e programit ndërinstitucional për reduktimin e kredive me probleme, duke u ndalur më në detaje në çështjen e trajtimit jashtëgjyqësor të kredimarrësve të mëdhenj.
Në mbyllje, të pranishmit identifikuan disa fusha potenciale bashkëpunimi të ardhshëm, si përmirësimi i rregulloreve mbi vlerësimin e kolateralit dhe programe të mundshme të Bankës Botërore në interes të reduktimit të rrezikut të kreditit në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




