Kërkimet e vazhdueshme për gaz në Mesdhe kanë bërë që Greqia dhe Qiproja t’i kërkojnë me urgjencë Bashkimit Europian të marrë masa ndëshkimore kundër Turqisë, duke kërcënuar madje edhe me veto për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ankaraja duket se ka rritur edhe më shumë tensionet duke njoftuar se do të zgjeronte eksplorimin për gazin në brigjet e Qipros. Kjo solli edhe reagimin e kryeministrit grek Alexis Tsipras, i cili i bëri thirrje BE-së "të dënojë pa rezerva veprimet e paligjshme të Turqisë".
Gjithçka duket se nisi pasi një anije shtetërore turke, filloi operacionet e kërkimit të gazit në det të hapur në ujërat që konsiderohen si pjesë e zonës ekskluzive ekonomike të Qipros pavarësisht paralajmërimeve të aleatëve perëndimorë.
Një deklaratë e publikuar të martën nga zyra e Tsipras pas një bisede telefonike midis kreut të qeverisë greke dhe Presidentit të Këshillit Europian Donald Tusk nënvizoi se kjo situate po shkakton alarm mes diplomatëve në Athinë, Ankara dhe Nikozia.
"Kryeministri theksoi se Këshilli Europian duhet të shqyrtojë marrjen e masave specifike kundër këtyre aktivitete të paligjshme, sidomos nëse Turqia këmbëngul në shkeljen e së drejtës ndërkombëtare".
Sikur të mos mjaftonte kjo, Nikozia kërcënoi të vërë veton ndaj hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nëse BE nuk ndërmerr masa kundër Ankarasë.
Qiproja dhe Turqia janë përplasur vazhdimisht për depozitat e gazit natyror që besohet të shtrihet thellë në detin e Mesdheut lindor. Javën e kaluar, qeveria e presidentit qipriot, Nicos Anastasiades, lëshoi urdhër arresti për ekuipazhin e anijes turke, duke i akuzuar për shkeljen e territorit sovran të ishullit.
Diplomatët e lartë kundërpërgjigjën duke thënë se grekët qipriotë jo vetëm kishin "kaluar vijën", por se po "luajnë me zjarrin. "
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka mbajtur një qëndrim gjithnjë e më të ashpër mbi kërkimet për gaz në Mesdhe në një kohë kur ekonomia turke është në rënie dhe autoriteti i tij po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje pas zgjedhjeve lokale.
Pavarësisht shprehjeve të habisë në Uashington dhe në kryeqytetet e tjera perëndimore, kreu turk ka paralajmëruar vazhdimisht kompanitë e huaja të naftës që marrin pjesë në kërkimet për naftë në Mesdhe.
Në një lëvizje të parë si një vepër e ashpër e gatishmërisë, Turqia dërgoi armë zjarri për të parandaluar kompaninë italiane të energjisë ENI nga kryerja e operacioneve të shpimit të porositur nga qeveria qipriote vitin e kaluar. Kompania braktisi përfundimisht kërkimin.
Ankaraja ka argumentuar gjatë se zonat detare të Qipros, të njohura zyrtarisht si zona e saj ekskluzive ekonomike, bien nën juridiksionin e Turqisë dhe komunitetit turk të ishullit.
Që nga viti 1974, kur Qiproja u nda përgjatë vijave etnike, Ankaraja ka refuzuar të pranojë komunitetin grek qipriot të vendosur në jug të ishullit.
Pas një takimi të nivelit të lartë të BE-së, diplomatët europianë dolën në një deklaratë duke ndëshkur Ankaranë për veprimet e fundit. Por Ministria e Jashtme turke u përgjigj duke thënë: "Këto deklarata nuk kanë ndonjë vlerë, kuptim apo efekt për ne".
Qeveria grekoqipriote në Nikozi, e mbështetur nga anëtarë të tjerë të BE-së, ka pohuar në mënyrë të përsëritur se është e drejta sovrane e Qipros të zhvillojë kërkime në ujërat rreth ishullit.
Por të martën, qeveria turke shtoi më tej presionin, duke njoftuar se një anije e dytë do të dërgohet në rajon më vonë këtë javë.
Duke folur për agjencinë e lajmeve “Anadolu” ministri i Energjisë Fatih Dönmez u zotua se eksplorimi do të zgjerohej në javët e ardhshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.