Podcast

Audio-Lajme 13 qershor 2019

Rama: Meta gaboi. I vendosur për 30 qershorin
Kryeministri Edi Rama ka derdhur të gjithë bateritë e tij 50-minutëshe kundër aktit të presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, duke e cilësuar më të paimagjinueshmen e mundshme. Kryeministri Rama tha se “Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi janë thjesht kukulla, pasi ata komandohen nga dy persona Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët nuk duan që të hapen negociatat me BE-në dhe të realizohet reforma në drejtësi”. Ky sipas Ramës është edhe meraku i kësaj katërshe, ndërsa theksoi se sot Kuvendi duhej të kishte diskutuar një rezolutë dhe miratuar një dokument konsensual për t’iu drejtuar vendeve të BE-së për çeljen e negociatave dhe jo për antidekretin e Metës, tw cilin ai e cilësoi si një akt të patolerueshëm dhe të papërgjegjshëm. Rama theksoi se Ilir Meta ishte një ndër personat që ka përfituar të gjitha postet në një moshë kaq të re, duke i kujtuar edhe skandalet e falura. Po ashtu, kryeministri u shpreh se Shqipëria ka qenë zemërgjerë me Ilir Metën, i cili sipas tij nuk ngopet kurrë.
Në të njëjtën kohë ai shtoi se “shpreh keqardhje si njëri, mik, kundërshtar dhe aleat si dikush që nuk ka bërë vetëm të këqija, por ka dhënë kontribute pozitive, i uroj me gjithë zemër ta lexojë me kthjelltësi këtë, nëse ka probleme me dëgjimin dhe nuk do ti kuptojë qartë fjalët që do thuhen sot në adresë të tij”.

Fino kundër shkarkimit të Metës
Deputeti i PS-së, Bashkim Fino ka qenë një ndër zërat e pakët që ka dalë kundër shkarkimit të Metës si presidenti Republikës. Edhe pse ka kundërshtuar ashpër faktin e nxjerrjes së dekretit për anulimin e zgjedhjeve, Fino u shpreh se socialistët duhet ta lejnë deri në fund që të vazhdojnë skenarin e tij. Ish-kryeministri i PS-së në një kohën e vitit të trazirave të 1997, tha se gabimet e së shkuarës nuk duhen thelluar.
“Shumë prej nesh do donte që presidenti do të shkarkohej sot. Dhe unë e kuptoj presionin e militantëve dhe bazës partiake për të shkuar drejt proceduarave të shkarkimit të presidentit Meta. Janë po ata militantë dhe ajo bazë që na panë me inat kur votuam presidentin. Por unë them që gabimet që kemi bërë dikur mos ti thellojmë duke shkarkuar presidentin dhe e di pse, ta lëmë të shkruajë deri në fund me aq sa mundet teorinë e tij dhe teatrin presidencial. Ne duhet të lëmë që skenën finale të atij teatri ta luajë nga zyra e presidentit”, theksoi Fino.

Hajdari: Zgjedhjet do të shtyhen me një 1 muaj
Deputetja e opozitës Rudina Hajdari gjatë diskutimit të saj në Parlament akuzoi mazhorancën socialiste se ishte ajo që e zgjodhi Metën si president, edhe pse e dinin mirë se bashkëshortja e tij është kryetarja e LSI-së. Sipas demokrates rezoluta e sotme është nul dhe që bëhet për presione dhe shantazhe. Deputetja u shpreh e sigurt se zgjedhje do të shtyhen me një muaj. “Këtu do të jemi dhe kemi për ta parë, e gjitha kjo bëhet që ju të tre bashkë të uleni në një tavolinë dhe të vendosni jo për popullin, por për hir të interesave tuaja”, deklaroi Hajdari.

Zgjidhja nuk vjen nga Meta, Basha: Nuk ulem me Ramën pa largimin e tij
Kur njoftoi dekretin e anulimit të 30 qershorit si datë zgjedhjes, Presidenti Ilir Meta tha se shpresonte që ky vendim i tij të ulte mazhorancën dhe opozitën në një tryezë për të gjetur një marrëveshje, sipas të cilës të dekretonte datën e re të mbajtjes së tyre. Për mazhorancën vendimi mbetet nul, nga opozita u përshëndet, por sërish Lulzim Basha nuk beson se do të sjellë zgjidhje të krizës. Zgjidhja, sipas kryetarit të Partisë Demokratike është vetëm largimi i Edi Ramës.“Nuk besoj se zgjidhja e krizës do të vijë nga Presidenti. Nuk ka asnjë ulje në tryezë me Edi Ramën sa kohë që ai është në krye të një qeverie ilegjitime”, deklaroi Basha në një bashkëbisedim me gazetarët mesditën e së enjtes, në kohën që në Kuvend mazhoranca diskutonte mocionin për shkarkimin e Ilir Metës. Basha e cilësoi teatër të Edi Ramës këtë mocion, për të hequr vëmendjen nga skandalet e qeverisë së tij dhe problemet e tjera të vendit.

Data e zgjedhjeve, Kokëdhima: Nuk ka rëndësi data, të jenë zgjedhje të vlefshme
Presidenti Ilir Meta ka vijuar edhe sot takimet me partitë për datën e re të zgjedhjeve vendore. Ndërkohë që dje priti aleatët e Bashës, pra Grupin e Qendrës së Djathtë, në përbërje të së cilës janë partitë PR, PDK, PAA, PBDNJ dhe LZHK, sot i vetmi që ka pritur ka qenë kreu i partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima.
Kokëdhima mbështet vendimin e presidentit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, pasi këtë gjë e ka shprehur dhe në kongresin e I-ë të partisë Zgjidhja.
Pas takimit me presidentin Meta, në një prononcim për gazetarët, Kokëdhima shprehet se duhet të jemi shumë seriozë përballë rreziqeve që ka vendi jonë në procesin integrues.
Presidenti Meta i ka bërë ftesë dhe kryetarit të PS Edi Rama për bisedime, sikurse dhe kryetarit të PD Lulzim Basha. Ndërkaq negociatat pritet të vazhdojnë edhe sot me partitë e tjera.

Hapja e negociatave, Holanda i thotë “Jo” Shqipërisë
Parlamenti holandez ka votuar kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë duke ndërmarrë një goditje të rëndë ndaj perspektivës europiane të vendit tonë.
Mocion që i kërkon qeverisë holandeze te vinte vetën kundër Tiranës zyrtare është votuar nga 70% e deputetëve.
Sipas mediave holandeze, mocioni u propozua nga deputeti i Kristian-Demokratëve, Pieter Omtzigt dhe dy parti e tjera të koalicionit qeveritar të përfaqësuar.
Si shkak kryesor për refuzimin, është mosarritja e rezultateve në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky vendim vjen vetëm disa javë pasi Holanda i dërgoi zyrtarisht Komisionit Europian, kërkesën e saj për shqyrtimin e heqjes së vizave për Shqipërinë.
Pas këtij mocioni, një reagim ka ardhur edhe nga ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok, i cili ka deklaruar se rekomandimi i Komisionit Europian ishte i parakohshëm për Shqipërinë, duke theksuar se vendi nuk ka plotësuar kriteret në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndaloni së detyruari nxënësit të zgjedhin mes shkencës dhe besimit fetar
Një numër i madh i të rinjve në mbarë botën kanë mësuar të pranojnë njëri-tjetrin pavarësisht ideve të tyre, qofshin ato fetare apo shkencore. Michel Riss, profesor i edukimit shkencor në universitetin e Londrës, në një artikull për edukimin e brezit të ri, cilëson se duhet të rishikojmë mënyrën se si i edukojmë nxënësit mbi evolucionin, në mënyrë që të mos ndikojmë tek idetë e tyre. Ai shprehet se kanë kaluar shumë vite, duke mësuar për evolucionin dhe përçimin e kësaj qasje tek nxënësit e shkollave të mesme, studentët, mësuesit në trajnim dhe është e qartë se mënyra se si trajtohet evolucioni nëpër shkolla, mund të detyrojnë fëmijët me qasje fetare të zgjedhin mes besimit dhe evolucionit. Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë sipas profesorit, pasi do të ketë pasoja negative për shoqërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë