Nëse Rama do të pranonte kërkesën e opozitës dhe të dorëhiqej, cilat do të ishin rrugët e zgjedhura? Janë të paktën tre skenarë që mund të çojnë në të njëjtin përfundim, por me ndryshimin e afateve kohore që mund të realizohen….
Në dy letrat e fundit publike drejtuar Lulzim Bashës, pak orë para se ky i fundit të udhëhiqte protestën e gjashtë kombëtare të thirrur nga opozita dhe një ditë pas kësaj proteste, Kryeministri Edi Rama përjashton mundësinë e dorëheqjes dhe i përsërit rivalit të tij politik ftesën për dialog pa kushte.
Letrës së katërt, Lulzim Basha iu përgjigj në fjalën e mbajtur para mbështetësve të opozitës, ku mes rreshtave përforcoi qëndrimin se dialog pa dorëheqjen e Kryeministrit nuk ka dhe s’do të ketë. “Njeriu që për pushtetin e tij futi krimin në Parlament, asgjësoi gjykatat e larta, lëshoi gaz lotsjellës si një kriminel ndaj popullit të vet, nuk duhet të qëndrojë më në krye të vendit”, deklaroi kryedemokrati.
Publikisht palët duken të pozicionuara fort në llogoret e tyre politike, por jozyrtarisht qarkullojnë prej disa ditësh zërat se veç molotovit e gazit lotsjellës, palët kanë vendosur kontakte dhe po bisedojnë për gjetjen e një rrugëdaljeje. Për opozitën, rrugëdalja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme. Por, mes kërkesës së saj dhe zhvillimit të këtyre zgjedhjeve qëndron Edi Rama.
Skenari i parë është krejtësisht shqiptar, në të përjashtohet roli i ndërkombëtarëve dhe është skenari që kërkon afate kohore më të gjata. Bëhet fjalë përë shpërndarjen e Parlamentit nga ana e Presidentit të Republikës, pasi ky i fundit nuk plotësohet me numrin e 140 deputetëve, duke shkelur kështu Kushtetutën.
Aktualisht, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vijon puna për zëvendësimin e deputetëve që dogjën mandatet. Ftesat për marrjen e mandatit janë ende në listat emërore të partive opozitare. Normalisht jo më vonë se 30 ditë Kuvendi njofton KQZ-në për krijimin e vakancave. KQZ njofton kandidatët e radhës dhe nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës së partisë përkatëse. Nëse kjo listë shterrohet, atëherë mandati i kalohet partisë në koalicion. Por, në zgjedhjet e 2017 nuk pati koalicione. Kodi e ka parashikuar edhe këtë situatë dhe ai ja kalon mandatin e lënë bosh partisë me numrin më të madh të votave. Pra, mandatet e paplotësuara të opozitës në Parlament i kalojnë Partisë Socialiste.

Socialistët mund të refuzojnë përmes një vendimi politik marrjen e këtyre mandateve, gjithmonë nëse numri i deputetëve në Kuvend nuk kap 140 anëtarë në përfundim të shterrimit të listave të opozitës. Edhe moralisht socialistët do të refuzonin të ngjyrosnin mavi Tempullin e Demokracisë, pasi pastaj nuk do të flitej më për demokraci. Pra, matematikisht ky skenar nuk është realizuar ende, por për një prej aleatëve të Lulzim Bashës, kushtet për shpërndarjen e Parlamentit janë plotësuar.
“Pavarësisht farsës së zëvendësimit të opozitës, tani edhe me saktësi matematike nuk mund të plotësohet më kërkesa e nenit 64 të Kushtetutës për 140 deputetë. Kuvendi ka rënë. Në mungesë te Gjykatës Kushtetuese, arsyeja juridike kërkon nismën e Presidentit për shpërndarjen e tij”, shkruan Dule në Twitter.
Shpërndarja e Kuvendit do të çonte automatikisht në zgjedhje të reja dhe do t’i shmangte Ramës “sikletin” e dorëheqjes, që mund të interpretohej nga opozita si pasojë e presionit të protestave të saj.
Në skenarin e dytë përfshihet pikërisht ky presion. Pak rëndësi kanë numrat në protestë për të shkaktuar një klimë pasigurie të përgjithshme në vend, me pasoja të paralajmëruara nga biznesi për ekonominë e vendit.
Pjesë e këtij presioni është edhe media ndërkombëtare, që po pasqyron vazhdimisht protestën e opozitës në Tiranë. Të parat ishin media italiliane, pastaj ato gjermane. Të shtunën, edhe gazetari dhe reporteri i famshëm i “The Economist”, Tim Judah ndoqi vetë nga afër protestën e fundit të opozitës.
Gjermanët e CDU/CSU-së kërkuan para pak ditësh dialog mes palëve pasi kjo situatë rrezikon që t’i mbyllë vendit dyert drejt Europës. Në mesin e deklaratës, ata sugjeruan edhe një shtyrje të datës së zgjedhjeve. Megjithëse Kryeministri Rama vazhdonte të thoshte se shtyrja e zgjedhjeve nuk ishte në dorën e tyre, këtë dilemë e sqaroi preisdneti Ilir Meta i cili deklaroi se, nëse do të ishte e nevojshme, Kushtetuta ia lejonte në fakt të spostonte 30 qershorin.
Përballë këtyre pasojave, edhe pse me vete ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, Rama mund të marrë një vendim ekstrem dhe të beftë, të ngjashëm me atë të majit të dy viteve më parë, kur pa asnjë sinjal publik, iu ul Bashës në tryezën e bisedimeve në përfundim të të cilit palët nënshkruan marrëveshjen që shpëtoi zgjedhjet parlamentare.
Skenari i tretë lidhet kryekëput me negociatat dhe vendimin e Këshillit Europian në fund të qershorit.
Kuvendi i Shqipërisë ka përfunduar procesin e informimit të parlamenteve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian mbi progresin e bërë në objektivat e përcaktuara nga Brukseli për hapjen e negociatave. Kryeparlamentari Gramoz Ruçi njoftoi nga Haga, ku u gjend javën e kaluar për një tur lobimi në parlamentin holandez se në përfundim të këtij procesi, raporti informues do t’u dorëzohet edhe institucioneve të Bashkimit Europian.
Ky proces pritet të përmbyllet brenda kësaj jave që vjen, para se Komisioni Europian të dalë me raportin e radhës të progresit ku nuk parashikohen surpriza, por konfirmim të rekomandimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit. “Pranë parlamenteve të vendeve anëtare kemi paraqitur të gjitha arritjet e Shqipërisë, në kuadrin e pesë prioriteteve që janë: reforma në drejtësi, lufta kundër krimit, lufta kundërkorrupsionit, sundimi i ligjit, liritë dhe të drejtat e njeriut, duke përfshirë këtu pronën dhe reformën zgjedhore”, tha kryeparlamentari Gramoz Ruçi. Por pavarësisht dëshirës së socialistëve, vendimi i Brukselit për të çelur negociatat do të varet nga opinioni refuzues që shumë vende anëtare kanë shfaqur hapur kohët e fundit dhe sidomos nga vetë situata e balancave të reja politike pas zgjedhjeve të kësaj fundjave në vendet e Unionit.
Në samitin e Berlinit para një muaji, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev deklaroi se nëse në qershor, vendit të tij nuk i hapeshin negociatat, ai do të jepte dorëheqjen. Nëse Shqipëria nuk merr hapjen zyrtare të bisedimeve të anëtarësimit, Rama mund të ndjekë shembullin “shantazhues” të Zaevit duke dhënë dorëheqjen. Akti në këtë rast mund të shoqërohet edhe me bindjen se aksioni i opozitës i nisur që më 16 shkurt dëmtoi procesin e integrimit për Shqipërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





