Mendim

Përçarja e liderëve shqiptarë!

Samiti i liderëve të Ballkanit në Tiranë ka nxjerrë në pah mes të tjerash edhe përçarjet e spektrit politik shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë, ndërkohë që kjo e fundit ndodhet në një moment kyç përballë arritjes së marrëveshje më Serbinë. Edhe pse duhet të ishin më të bashkuar dhe me një qëndrim më të unifikuar se kurrë, liderët shqiptarë duket se janë ndarë tanimë në dy fronte dhe nuk ia kursejnë as publikisht njëri-tjetrit gjuhën e ashpër, akuzat për të shkuarën që i kanë mbajtur si as nën mëngë, deri edhe etiketimet “tradhtar” apo edhe ofendime personale . Në njërën anë Thaçi-Rama dhe duket edhe Veseli (ky i fundit është i kujdesshëm publikisht) dhe në tjetrën,  Haradinaj,  Meta dhe Berisha.

Ndërkohë që kryeministri Ramush Haradinaj kritikonte ashpër këto ditë para takimit të Tiranës, Thaçin dhe Ramën për qëndrimin e tyre në Berlin, presidenti i Kosovës refuzoi drekën me Ilir Metën, përfaqësuesin e Bosnjë Hercegovinës dhe Presidentin e Serbisë. Samitit të Tiranës i parapriu deklarata e  Ramës për homologun e tij në Prishtinë: “një budalla që shpikte marrëzira”.

Përçarjet u pranuan publikisht nga presidenti i Kosovës në mbrëmje, kur Thaçi deklaroi se politikanët shqiptarët po përdornin patriotizmin e rremë për të diskredituar njëri-tjetrin. Sipas tij mllefi mes shqiptarëve vret më shumë se plumbat e serbëve.


Hashim Thaçi dhe Edi Rama

“Është krijuar një rrethanë, ku dështimet e veta në politikën në Tiranë barten për të përçarë e skenën politike në Kosovë dhe nëse mendon ndryshe je tradhtar, je i poshtër, je proserb, punon për Serbinë e Madhe. Unë, gjatë tërë jetës sime, ia kam kushtuar angazhimin tim lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe ndjehem shumë krenar. Unë kam marr pushkën për të luftuar kundër Serbisë dhe ata plumba që kanë qenë të drejtuar kundër meje dhe bashkëluftëtarëve, nuk kanë qenë më të rëndë sesa ky mllef për të nxitur sot armiqësi mes shqiptarëve kudo që janë apo duke krijuar skema armiqësore”, ka thënë Thaçi.

Duke folur për “tradhtarët e vërtetë”, presidenti tregoi një episod mjaft tronditës të vitit 2002, në studion e emisionit “Opinion”. Ai tha se një kryeministër shqiptar i ka shkuar në zyrë duke i prezantuar planin e Zoran Gjingjiçit, kryeministrit të atëhershëm serb, për ndarjen e Kosovës. “Një nga kryeministrat e Shqipërisë, në vitin 2002 ka ofruar projektin e Gjingjiçit për ndarjen e Kosovës. E kam nxjerrë nga zyra”, tha Thaçi.

Kjo deklaratë ka tronditur jo pak opinionin publik si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë, pasi frika për ndarjen apo ndryshimin e kufijve të Kosovës është kthyer në kryefjalën e shumë takimeve rajonale të kohëve të fundit.

Por deklarata e Thaçit, vjen vetëm disa muaj pasi Zoran Gjingjiç u rikthye në vëmendjen e opinionit publik pak kohë më parë, pas një përplasjeje mediatike mes gazetarit Baton Haxhiu dhe Presidentit Ilir Meta. Haxhiu e akuzoi për miqësinë me Gjingjiçin gjatë kohës që ka qenë kryeministër, ndërsa Meta iu kundërpërgjigj duke thënë se ishte krenar për të.


Hashim Thaçi dhe presidenti Ilir Meta

Se kush ka qenë ky kryeministër mbetet deri më tani mister, pasi në vitin 2002, Shqipëria ka pasur plot tre socialistë që pasuan njëri-tjetrin në krye të qeverisë. I pari ka qenë Ilir Meta, i cili ka drejtuar qeverinë nga shtatori i vitit 2001 deri në 29 janar 2002. Më pas, kryeministër ka qenë Pandeli Majko në periudhën 22 shkurt 2002 – 25 korrik 2002, i pasuar nga Fatos Nano prej 29 korrikut dhe deri ne 2005-ën.

Por deklarata e Thaçit, vjen vetëm disa muaj pasi Zoran Gjingjiç u rikthye në vëmendjen e opinionit publik, pas një përplasjeje mediatike mes gazetarit Baton Haxhiu dhe Presidentit Ilir Meta. Haxhiu e akuzoi për miqësinë me Gjingjiçin gjatë kohës që ka qenë kryeministër, ndërsa Meta iu kundërpërgjigj duke thënë se ishte krenar për të.

“Jam shkumë krenar për miqësinë me kryeministrin e Serbisë në atë kohë, Zoran Gjingjiç. Unë me Zoran Gjingjiç kam punuar për lirimin e shqiptarëve dhe ai ka thënë se ma ka kërkuar kryeministri i Shqipërisë. Kur u vra ish-kryeministri Gjingjiç? Pavarësia e Kosovës kur u shpall, shumë kohë pas vrasjes? Atëherë si mund të diskutohej ndryshimi i kufijve kur Kosova nuk ishte ende shtet?”, ka thënë Meta më 17 janar të vitit 2019.

Përsa i përket pasardhësi i tij, Pandeli Majko, ai njihet si një nga kryeministrat që ka mbështetur më së shumti shqiptarët e Kosovës gjatë luftës dhe ishte vite më pas inicuesi i parë i ndërtimit të “Rrugës së Kombit”. Ndërkohë, mundësia e tretë e kryeministrit që mund t’i ketë përcjellë Thaçit propozimin e Xhinxhiç të asaj kohe, është Fatos Nano.

Pavarësisht insistimit të ftuarve, Thaçi nuk pranoi të jepte detaje për kryeministrin në fjalë, duke e lënë mister emrin e udhëheqësit që sipas tij ka kërkuar ndarjen e Kosovës. Megjithatë, ai nuk është treguar kaq i kursyer për armiqësinë e tij me ish-kryeministrin Sali Berisha.

 Pas një sërë përplasjeve në distancë, Presidenti Thaçi e ka quajt Berishën si “gërmadhë politike”, duke deklaruar se ish-kryeministri ka bërë mëkate të mëdha gjatë luftës së Kosovës.

“Unë çuditëm si zoti Berisha nuk ka pasur guximin qytetar dhe as politik ta kundërshtojë opinionin e këtij projekti nga presidenti Rugova, akademiku Qosja dhe Daci. Zoti Berisha ka bërë mëkate të mëdha ndaj luftës së Kosovës, paralele me luftën e Millosheviçit ne terren, ka qenë dhe propaganda e zotit Berisha për UÇK-në maksiste-leniniste etj. Kam shkuar në zyrën e tij pas lufte dhe kemi pasur komunikim. Kur kam qenë kryeministër, kemi pasur respekt reciprok. Tani nuk kuptoj dhe shprehem i keqardhur për gjendjen e tij emocionale, si gërmadhë e skenës politike shqiptare”, ka thënë Thaçi, duke i kërkuar ish-kryeministrit të qëndronte larg debateve për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi.


Hashim Thaçi

Por presidenti Thaçi ka një qëndrim mjaft pozitiv ndaj përfshirjes së kryeministrit Rama në këto bisedime, duke thënë se ka ai në të gjitha takimet  ka mbështetur gjithmonë Kosovën.

 “Roli i Ramës ka qenë shumë konstruktiv, shumë bashkëpunues, pa marrë anë dhe pa interferuar. Shkoi në Beograd dhe foli si asnjëherë një lider shqiptar, që i tha në sy Vuçiçit që të njohë Kosovën”,  u shpreh Thaci. “Ai nuk ka marrë pjesë në takime mes nesh dhe Serbisë, thjesht ka mbështetur pozicionin e Kosovës. Sa i përket takimit të Ramës në Serbi, unë nuk kam qenë aty, por besoj në atë që ka thënë në konferencën për shtyp që ka mbrojtur Kosovën”, thekson Thaçi, duke i mëshuar kështu aleancës së tij me kryeministrin shqiptar.

Por ndryshe nga Thaçi, marrëdhënia e Ramës me homologun e tij në Prishtinë duket se ka marrë një kthesë dramatike pas një sërë përplasjesh dhe akuzash të ndërsjella publike.

Në prag të samitit të Brdo-Brijunit, Haradinaj është shprehur se ekziston një dyshim i bazuar që presidenti Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç kanë biseduar për shkëmbim të territoreve së bashku.

“Ekziston ky dyshim pavarësisht se unë nuk mund ta konfirmoj”, është shprehur Haradinaj.

Në një intervistë me “Vizion Plus”, ai deklaroi se sulmet e Edi Ramës ndaj tij nuk i bëjnë përshtypje, duke thënë se ai e ka detyrë që të vërtetën për atë që ndodhi në samitin e Berlinit.

“Unë jam i detyruar ta them të vërtetën për shqiptarët në Kosovë e Shqipëri, e jo për shkakun tim ose të Ramës, por për shkak të vërtetës” tha Haradinaj, duke këmbëngulur se është e vërtetë se kur Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron i kërkonin heqjen e taksës, Rama dhe Thaçi nuk e kanë mbështetur.

Kryeministri Shqiptar, Edi Rama dhe Kryeministri i Kosoves, Ramush Haradinaj

“Po, është e vërtetë se kur Macron e Merkel më kanë kërkuar heqjen e taksës, ma kanë kërkuar edhe këta dy (Rama e Thaçi)” tha ai duke theksuar se e kishte penguar fakti, që Rama e Thaçi e kishin mbajtur këtë qëndrim para presidentit e kryeministres së Serbisë.

“Më ka penguar fakti që Vuçiç e Brnabiç kanë qenë aty, ata duhej që para atyre të deklaroni se kryeministri (Haradinaj) ka të drejtë dhe dialogu duhet të vazhdojë pa kushte” tha Haradinaj.

Por deklaratat e tij duket se nuk janë pritur aspak mirë nga kryeministri Rama, i cili i ka cilësuar si marrëzi dhe gënjeshtër. Pa përmendur emër, në konferencën e përbashkët për shtyp me Federika Mogherinin Rama, iu referua Haradinaj si budalla dhe gënjeshtar që po artikulon gënjeshtra jashtë çdo realiteti.

 “Për sa i përket komplotit për të copëtuar Kosovën apo për të krijuar një hartë të re për botën, më kujton atë shprehjen që pa dalë Facebook, budallain e njihte vetëm shtëpia e vet, sot jetojmë në një botë që nga kjo pikëpamje është fatkeqe”, deklaroi Rama. Nëse gjenden aq shumë budallenj sa të besojnë se një proces që përfshin shtete dhe jo dy shtete, por të gjitha shtetet e botës, që përfshin parlamente, parti politike, shoqëri, vendime referendare në fund, mund të bëhet fshehurazi nga disa persona dhe të kalojë në gjithë këtë proces që thashë si miu nën mustaqe, atëherë kjo botë ka marrë fund. Por unë besoj që jo. Çdo njeri i arsyeshëm, çdo shqiptar me mend në kokë e kupton që kjo është e gjitha një gënjeshtër e bërë aq e pabesueshme që pikërisht të mund të shitet dhe të blihet në territorin e marrëzisë online”, theksoi kryeministri, duke thelluar edhe më tej hendekun mes tij dhe Haradinajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë