Sabina Veizaj - “Ndërtimi është një nga sektorët me riskun më të lartë për pastrimin e parave. Jo më kot numri më i lartë i subjekteve për të cilat ka pasur masa, kanë qenë pikërisht firmat e ndërtimit” do të thoshte drejtuesi i asaj kohe i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arlind Gjokutaj, në fillim të marsit të këtij viti.
Gjatë prezantimit të raportit vjetor në komisionet kuvendore, ai do të raportonte se gjatë vitit 2018 janë sekuestruar 9,5 milionë euro asete si pasuri të krijuara nga paratë e pista.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku do të shkruante në llogarinë e saj në Facebook se Indeksi i Bazelit që është matësi më i besueshëm për identifikimin e vendeve ku pastrohen paratë, do ta rendiste Shqipërinë si vendin e parë në Ballkan për lavatriçen më të mirë ku pastrohen paratë.
Ekspertë të ekonomisë e shikojnë me shqetësim pastrimin e parave kriminale në vend, veçanërisht në sektorin e ndërtimit i cili lulëzon në vite elektorale. Sipas tyre, për shkak të efektit domino, pasojat transferohen edhe në fusha të tjera të ekonomisë si këmbimi valutor etj dhe në një kohë jo shumë të gjatë ekonomia në Shqipëri do të goditet.
“Procesi i dhënies së lejeve të ndërtimit nuk lidhet drejtpërdrejt me plotësimin e kërkesës konsumatore, por me krijimin e lehtësirave për segmente dhe lobe të caktuara të biznesit përfshirë edhe ato që merren me veprimtari kriminale që pastrojnë paratë. Këto lehtësira lidhen me efekte elektorale. Krijohen hapësira që ndodhin në fushata zgjedhore. Gjithashtu, një tregues tjetër; bllokimi për një kohë i lejeve dhe dhënia e tyre si bum zgjeron të ardhurat e bashkive për të krijuar imazhin e Shqipërisë që punon, lulëzon. Në të njëjtën kohë, fluska e ndërtimit nuk mund të thuhet se kur, por është e sigurt që në një periudhë afatmesme do të krijojë turbullime serioze për ekonominë në tërësi.
Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, raporton se në 2018 i erdhën sinjalizime për aktivitete të dyshimta për pastrim parash të paktën 1525 raste. Ky është niveli më i lartë i katër viteve të fundit. Ndërsa në raport me 2017 rritja është 10.2 përqind. Gati 1/3 e rasteve është raportuar nga bankat. Pati edhe rritje të denoncimeve nga noterët por institucionet publike kanë pasur më pak dyshime se çdo subjekt tjetër.
“Sot është kollaj të flasësh që nuk ka shitje, por çmimet rriten, është kollaj të thuash që po pastrohen paratë në monopole, por duhet marrë parasysh që pasojat shtrihen edhe në fusha të tjera të ekonomisë për shkak të efektit domino”, thotë për Gazetën "Si", Zef Preçi.
Në thelb, sqaron eksperti, ekonomia humbet, pavarësisht se imazhi që shfaqet është e kundërta; bankat e mirë kapitalizuara, rritja e prodhimit e shpejtë, etj.
A ka më shumë ndërtime në periudha zgjedhjesh?
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në vitin 2018 numri i lejeve të dhëna për ndërtim është rritur me 45,8 % në krahasim me një vit më parë. Rritja me e madhe ishte për ndërtesa të reja me rreth 3 herë. Edhe sasia e sipërfaqes për ndërtim ka pasur rritje “mbresëlënëse”. Rreth 66.1 përqind më shumë në vitin 2018 se në 2017-ën, thonë të dhënat e INSTAT.
Po të hedhim vështrimin në vitin 2017-të, i cili qe edhe viti elektoral, të dhënat e INSTAT na tregojnë se numri i lejeve të ndërtimit gjatë atij viti u rritën ndjeshëm, krahasuar me vitin pararendës ku paralajmëroi për një valë të re ndërtimesh në afatin e mesëm pas një ndërprerje relativisht të gjatë të dhënieve të lejeve të ndërtimit. Rritja atë vit ishte me 88.3% më shumë!
Rekordin për leje e mban pa diskutim kryeqyteti. Në Tiranë numri i lejeve të dhëna për ndërtim u rrit me 118 përqind, krahasuar me 2017-ën. Ndërsa, sipërfaqja për ndërtim është rritur 2,5 herë. Tirana përfaqëson 60% të totalit për gjithë Shqipërinë.
“Në fillim dhe gjatë 2017-ës është vënë re një rritje e ndjeshme e transaksioneve në shitje, por vetëm në Tiranë”, do të më thoshte në atë kohë Dritan Leka i Century 21. Zoti Leka e lidhte këtë bum më disa faktorë favorizues si amnistinë për pasuritë e paluajtshme, uljen e interesit të kredive etj, por jo me nevojën e krimit për të pastruar paratë.
Ai do ta mohonte pastrimin e parave sidomos prej agjencive të pasurive të paluajtshme pasi, sipas tij, paraja e zezë apo gri nuk shkon me agjencinë sepse agjencia ka detyrime ligjore që të deklarojë si blerësin edhe shitësin.
Por, Leka nuk e mohonte kur thoshte se “kemi akoma në treg të ashtuquajturit seksera, të cilët nuk paguajnë asnjë detyrim ligjor dhe realizojnë transaksione pa deklaruar asgjë. Nuk ka asnjë faktor detyrues ligjor që të gjitha transaksionet të zhvillohen nëpërmjet agjensive, në këtë mënyrë ka mungesë transparence dhe informacioni.”
Edhe 2019-ta, thotë Leka, ka filluar me investime të mëdha e të vazhdueshme në fushën e zhvillimit të ndertimeve të reja residenciale dhe komerciale. Por, me një tkurrje në aspektin e blerjeve. Sipas tij, kjo vjen edhe si pasojë e rritjes së shpejtë dhe shumë të madhe të ofertës në treg, shoqëruar edhe me një rritje të çmimit të kërkuar nga investitorët.
Një situatë të ngjashme prezanton edhe Juliana Nela nga Re/Max. Ajo thotë se sektori i ndërtimit ka një rritje të lehtë “çka është shumë pozitive, duke marrë në konsideratë faktin që është vit zgjedhjesh dhe situata politike ka qenë e turbullt. Të dy këto faktorë japin një ndikim të fortë negativ përgjithësisht".
Sipas Nelës, arsyeja kryesore e kërkesave është migracioni i brendshëm si dhe vijimi i investimit në prona të paluajtshme nga emigrantët.
Është më se e dukshme se për një mori arsyesh si nga nevoja për një strehë apo biznes qoftë, edhe nga nevoja e krimit për të pastruar para, në Shqipëri ndërtimi po lulëzon duke mbajtur peshën edhe në rritjen ekonomike. Po a është kjo rruga e duhur dhe a mos vallë pesha e parave të pista është më e madhe se nevojat reale për strehim?
Një zgjidhje të kësaj përgjigje duhet të vijë nga institucionet shtetërore dhe pushteti. Zef Preçi gjykon se nëse Tirana shtohet me 2000 familje në vit, nuk mund të japësh 500 leje që shtojnë 1 mln metra katrorë për arsye se ke deformuar tregun.
Në një anë kemi ofertën në rritje si pasojë e rritjes në mënyrë galopante të rritjeve të lejeve të dhëna dhe sipërfaqeve për të ndërtuar, nga ana tjetër ndërtuesit me eksperiencë thonë se pavarësisht lejeve të ndërtimit, nuk ndërtohet për arsye të taksës së infrastrukturës.
“Firmat nuk kanë lekë të paguajnë taksën e ndikimit në infrastrukturë. Nëse një firmë që ka marrë leje për një ndërtesë 9 katëshe i duhet të paguajë 1mln euro taksë përpara fillimit të ndërtimit, ai nuk e nis fare ndërtimin”, shpjegon për Gzetën “Si” Maksim Muçi, kryetar i Shoqatës së Ndërtueseve.
Në një kohë kur çmimet rriten, ndërtuesit me eksperiencë në treg thonë se nuk ndërtojnë si më parë, për arsye të taksës së infrastrukturës, kush ndërton dhe kush blen?
Ekonomia në 2018-ën është rritur mbi 4 %, por ka shfaqur ngadalësim të rënies në 6-mujorin e dytë të vitit për shkak se edhe eksportet kanë nisur të ngadalësohen në gjysmën e dytë të vitit, sepse ka rënë eksporti i energjisë elektrike për shkak të thatësirës.
Për ekspertët e ekonomisë, rritja mbi 4% përfaqëson rritjen e një grushti njerëzish sepse për ta shoqëria shqiptare ka mbetur në vend. Ata e argumentojnë këtë me emigracionin në masë, ku në 10 vitet e fundit është larguar 10% e popullsisë.
Gjithashtu edhe kreditimi ka lëvizur në nivel modest, madje institucionet ndërkombëtare si FMN në raportert e tyre kanë sugjeruar rritjen e kreditimit.
Eksperti i ekonomisë Elvin Meka thotë se huatë e reja për ekonominë janë “eklipsuar” vazhdimisht nga shlyerjet e huave ekzistuese dhe jo vetëm. Pra, merret borxh për të shlyer një borxh tjetër të mëparshëm dhe jo për zhvillim.
Në një kohë jo optimiste për ekonominë, ku pritet rënie e ritmit të rritjes, kur kredia është e ulët dhe kursi i këmbimit luhatet dhe të ardhurat e individit nuk janë rritur; atëherë kush po blen që jepen leje dhe ndërtohet kaq shumë?
Një gjë është e sigurt, jemi sërish këtë vit në zgjedhje dhe jetojmë në një vend ku çdo dy vjet sa herë ka evente të tilla elektorale madje vidhen edhe bankat kaq hapur siç ndodhi pak ditë më parë në Rinas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.