Mentor Kasa – Mediat greke flasin me tone optimiste se takimi mes Kryeministrave Edi Rama dhe Alexis Tsipras në Kroaci do të riaktivizojë bisedimet teknike për çështjen e kufirit detar dhe do ta mbyllë këtë kapitull njëherë e përgjithmonë brenda një kohe të shkurtër.
Takimi u zhvillua me nismën e Kryeministrit grek, i cili pak javë më parë kërcënoi Shqipërinë me bllokimin e proceseve integruese për në Bashkimin Europian nëse Qeveria shqiptare nuk tërhiqej nga një vendim për të bllokuar dhënien e titujve të pronësisë mbi tokat në bregdet. Athina deklaroi se ky vendim i Tiranës cenonte pronat e pakicës greke në Himarë.
Tensionet duke se janë tejkaluar. Tsipras shpërndau në rrjet sociale një foto nga takimi, ndërsa nga Kryeministria shqiptare shpërndau një deklaratë të shkurtër. Kufiri detar nuk përmendet, por vështirë se kjo temë nuk është cekur.
Aty thuhet se biseda mes kryeministrave shqiptare dhe grek u përqendrua në reformat e ndërmarra nga Shqipëria me synim hapjen e negociatave me Bashkimin Europian si edhe në nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve dypalëshe jo vetëm në rrafshin politik e të fqinjësisë së mirë, por edhe në shkëmbimet tregtare dhe investimet e huaja.
Lëvizja e Tsipras mbërrin pak javë nga mbajtja e zgjedhjeve të dyfishta për grekët, ku do të votojnë për eurodeputetët e rinj, por edhe për drejtuesit e rinj në pushtetin vendor. Këto zgjedhje konsiderohen si një test për zgjedhjet parlamentare të vjeshtës për Kryeministrin grek, i cili pas marrëveshjes së emrit me Maqedoninë e Veriut ka humbur ndjeshëm nga mbështetja popullore.
Sondazhet e deritanishme nuk sugjerojnë një fitues të qartë, por thuajse në të gjitha anketat, SYRIZA e Tsiprasit nuk merr shumicën e nevojshme që i duhet për të ruajtur pushtetin. Nisur nga këto të dhëna, lëvizja e Kryeministrit grek mund të interpretohet edhe si një përpjekje për të siguruar votat e emigrantëve shqiptarë në Greqi, që në shifra nuk mund të shpërfillen më si grup elektoral.
Vetëm në bashkinë e Athinës përllogaritet se janë më shumë se 35.000 vota të emigrantëve shqiptarë, ndërsa në të gjithë Greqinë mbi 200 mijë, numër që me ligjin e ri që lehtëson procedurat e marrjes së nënshtetësisë greke pritet të shtohet, pasi emigrantët shqiptarë janë përfituesit e parë nga këto lehtësime.
Këtë e nuhatën të parët socialistët e PASOK-ut. Përveç Eda Gemit, që kandidon për eurodeputete nën siglën e PASOK-ut, në zgjedhjet për pushtetin vendor ka disa përfaqësues të komunitetit të emigrantëve shqiptarë në Greqi, përfshirë këtu edhe në rajone të rëndësishme, siç është Athina.
Prandaj, kjo lëvizje e Aleksis Tsipras për të zbutur tensionet me Shqipërinë interpretohet edhe si përpjekje për të joshur votuesit shqiptarë në zgjedhjet e trefishta që zhvillohen brenda pak muajve, që nga ato për Parlamentin Europian, e deri tek ato më të rëndësishmet, ato për Parlamentin grek të parashikuara për në vjeshtë, para datës 20 tetor.
Marrëveshja për kufirin detar
Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati, që të dy të larguar tashmë nga postet e ministrave të Jashtëm kanë deklaruar në më shumë se një rast se pakti është gati, por se firmosja e tij po pengohet nga faktorë që nuk lidhen me mosdakordësitë për këtë pakt. Bushati citonte situatën në Greqi pas marrëveshjes së emrit me Maqedoninë e Veriut, e cila pasoi protesta kundër Tsiprasit, ndërsa Kotzias citonte mungesën e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri dhe sherrin Rama-Meta si faktor tjetër pengues.

Në Athinë pengesat duket se janë tejkaluar, por në Tiranë ende jo. Gjykata Kushtetuese vazhdon që të mos jetë funksionale dhe ritmet e institucioneve të reja të drejtësisë nuk premtojnë që ajo të ngrihet në një kohë të shkurtër. Kjo pengesë edhe mund të injorohet dhe Shqipëria e Greqia të firmosin paktin. Nëse arrihet deri në pikën fundore, firmat do të hidhen edhe nga dy Kryeministrat.
Tsipras mbajti postin e ministrit të Jashtëm që prej tetorit të vitit të kaluar. Ai e trashëgoi këtë pas sherrit brenda koalicionit mes Kotzias dhe Kamenos, që pasoi dorëheqjen e të parit. “Molla e sherrit” ishte marrëveshja e emrit me Shkupin. Për të shmangur krisjet e tjera, Kryeministri grek vendosi ta mbajë vetë këtë post, deri para disa javëve, kur u emërua Giorgos Katrougalos.
Ashtu si Tsipras, edhe Rama përfundoi me titullin ministër i Jashtëm pas një sherri. Në ndryshim nga Athina, nuk ishte përplasje brenda mazhorancës, por me një tjetër institucion: Presidentin. Ilir Meta refuzoi dekretimin e Gent Cakajt si pasues të Ditmir Bushatit pas shkarkimit të këtij të fundit. Si zgjidhje, Rama gjeti marrjen e këtij posti për vete dhe më pas delegimin e kompetencave tek Cakaj.
Delegimi nuk përfshin firmosjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, aq më pak kur bëhet fjalë për një marrëveshje të kësaj rëndësie. Këtë e ka përforcuar edhe Presidenti Ilir Meta. Kreu i shtetit thotë se e ka të qartë se cilit institucion mund t’i delegojë autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet. Pra thënë ndryshe, kompetencat për marrëveshje ndështetërore ia delegon vetëm Ramës, pasi vetëm atë njeh me kushtetutë. Rrjedhimisht, nëse do të ketë një pakt të mundshëm, Rama do të firmosë dy herë atje, njëherë si ministër i Jashtëm dhe një herë si Kryeministër i vendit.
Marrëveshja që s’mbërrin
Shqipëria dhe Greqia duhet të kishin nënshkruar marrëveshjet me njëra-tjerën, përfshirë këtu atë për ndarjen e kufirit detar që në muajin prill të 2018. Ky ishte afati i parë kohor i përfolur si në Athinë, ashtu edhe në Tiranë.

Gjërat nuk ecën sipas planit dhe marrëveshja u shty për në muajt e verës 2018. U tha se samiti i Londrës në qershor të atij viti ishte një mundësi ideale për këtë. Por, as në Londër nuk ndodhi një gjë e tillë, megjithëse ministri i Jashtëm shqiptar në atë kohë, Ditmir Bushati e lexoi takimin Rama-Tsipras si një mundësi të artë për përcaktuar linjat e drejtimit që duhet të jepen në procesin e bisedimeve.
“Ne kemi bërë hapa të qëndrueshëm përpara përsa i përket bisedimeve për një marrëveshje të re për kufizimin e zonave detare, një marrëveshje e re që do të udhëhiqet nga parimet e të drejtës ndërkombëtare publike, në fushën e detit, por mbi të gjitha një marrëveshje e re e cila do të ishte e drejtë dhe e zbatueshme për dy vendet tona”, deklaroi nga Londra në atë kohë ai.
Pengesat ishin politike dhe lidheshin më shumë me situatën në Greqi, ku Tsipras ishte vënë me shpatulla pas murit nga opozita pas marrëveshjes për emrin me Maqedoninë dhe po sulmohej për marrëveshjen e mundshme me Shqipërinë.
“Ka rezistencë politike në të dyja anët, qoftë në Shqipëri ashtu dhe në Greqi, por besojmë se me vendosmëri dhe vullnet politik të qartë, ne në një të ardhme të afërt do të kemi produktet konkrete, qoftë për këtë marrëveshje ashtu dhe për pjesën tjetër që përbëjnë elementët e paketës që ne po diskutojmë me Greqinë”, sqaronte Bushati.
Ish-ministri i Jashtëm akuzonte segmente të caktuara politike në Shqipëri e Greqi se preferonin status quo dhe ishin kundër një perspektive të përbashkët europiane të Tiranës dhe Athinës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





