Kur vjen fjala për sportin që i bën shqiptarët krenarë dhe që në çdo kompeticion mban lart flamurin kuqezi, menjëherë kuptohet që bëhet fjalë për peshëngritjen. Mes shumë problematikash, skandalesh dhe mangësive infrastrukturore, shtanga ka rezultuar ndër vite të jetë sporti më produktiv për Shqipërinë. Kualifikimi i kombëtares së futbollit në europianin e viti 2016 ishte një sukses i madh dhe që na bëri krenarë, por assesi nuk mund të krahasohet me ato që arrijnë peshëngritësit shqiptarë në kampionatet europiane dhe botërore.
Më i fundit sukses për shtagën shqiptare ishte kampionati Europian i mbajtur në Batumi të Gjeorgjisë. 1 medalje ari, 2 argjendi, e dy bronzi dhe vendi i 12-të në rang ekipor, janë një arritje shumë e madhe vendin tonë, që në çdo sport tjetër në kompeticione ndërkombëtare krenohet vetëm me pjesëmarrjen.
Kemi një kampion Europe në stilin e shkëputjes si Briken Calja, që po të kishte pasur më shumë fat dhe ca emocione më pak do i kishte marrë të tre medalje të arta edhe pse dy të argjendtat në shtytje dhe dygarësh janë një sukses shumë i madh. Calja është i pari peshëngritës shqiptar që arrin të marrë dy medalje ari në dy kampionate Europe radhazi. Tentativa e tij në provën e tretë në shtytje për të thyer rekordin europian, është personifikimi më i mirë për peshëngritjes shqiptare. Calja tentoi ta thyente, madje tregoi se mund ta arrinte ta mbante lartë shtangën, por fati dhe ndoshta nxitimi bën që ai rekord të mbesë i pathyer, mbase jo për shumë kohë.
Por edhe tre provat e dështuara të Daniel Godellit në shkëputje sërish tregojnë shumë. Shtangistët shqiptare ndryshe nga çdo sportist tjetër shqiptarë, shkojnë në kompeticionet ndërkombëtare për të dalë kampionë dhe thyer rekorde dhe jo vetëm për të marrë pjesë. Ndoshta ky ishte faktori kryesor që një sportist elitar si Daniel Godelli nuk ia doli që ta mbante lart shtangën në të treja provat. Ai nuk mund të pajtohej me një vend poshtë medaljeve dhe kjo dëshirë e madhe u duk sikur iu kthye në bumerang, duke e penalizuar jo pak. Trishtimi më i madh nga paraqitja e Godellit në këtë kampionat nuk ishin medaljet e humbura, por pikët e munguara për në Olimpiadën e Tokios, aty ku Shqipëria synon të çojë 6 shtangistë.
Për të vulosur rëndësinë e madhe dhe suksesin që peshëngritja ka në për vendin tonë, mjafton të shikohen edhe rezultatet e Erkand Qerimajt dhe Krenar Shorajt. Shtangisti shkodran, tashmë pranë pensionimit, tregoi edhe një herë tjetër se nuk duhet nënvlerësuar dhe se është një nga ikonat e këtij sporti. Por edhe dëshira dhe vullneti që tregoi Krenar Shoraj flasin shumë. Ndryshe nga tre të parët, shtangisti vlonjat nuk është shumë mediatik dhe nuk para del në intervista apo emisione, por ajo medalje e bronztë që mori në shtytje, imponon respekt.
Me gjithë këto ndere të mëdha që peshëngritja i bën vazhdimisht flamurit shqiptar, shpërblimi minimal do të ishte dyfishimi i palestrave dhe një trajtim i ngjashëm i peshëngritësve tanë si homologët e tyre fqinj që me rezultate janë shumë herë më poshtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




