Portofol

“Qeveria dhe bankat të padisin koncesionarin. Kinezi të marrë valixhet!”

Sabina Veizaj – Parandalimi është vështirë të hyjë në mentalitetin dhe kulturën shqiptare, për sa kohë intensiteti i ngjarjeve të rënda sa vjen e rritet nga ndodhia në ndodhi.
Më 30 qershor 2016 tre persona do të grabisnin 3 mln euro në brendësi të Aeroportit të vetëm ndërkombëtar në Tiranë.

Policia do të ndërtonte në atë kohë identikitin e 3 të dyshuarve, falë kamerave të sigurisë së dy furgonëve të blinduar, të cilët janë të pajisur me kamera sigurie.
Kjo pasi koncesionari dhe kompania private ICTS nuk kishte vendosur kamera sigurie në zonën e ngarkimit të dërgesave postare dhe parave në avion.

Në atë kohë, ministria përgjegjëse i vuri disa detyra koncesionarit për përmbushjen e elementëve të sigurisë, por që nuk u bënë transparente.

Ngjarja e së martës kur në mes të ditës, brenda Aeroportit “Nënë Tereza” u vodhën 10 mln euro, solli edhe një herë në vëmendje për opinionin publik çështjet e sigurisë kombëtare.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku do të shkruante nga Berlini se “Kjo është një ngjarje shumë e rëndë dhe e përsëritur për fat të keq. Të gjitha përpjekjet e autoriteteve shtetërore për t’i imponuar kompanisë kineze, që mban në koncesion Aeroportin e Rinasit, investimet e nevojshme në sistemin e sigurisë, nuk janë dëgjuar ashtu si duhet. Sistemi i sigurisë ka rënë përsëri dhe përsëri grabitësit kanë mundur të hyjnë deri në pistë, duke provuar se në këto kushte aeroporti është i kërcënuar lehtësisht, deri edhe nga akte më të rënda se kaq. Ky është një alarm, që këtë herë s’duhet të kalojë dhe s’do të kalojë, vetëm me nxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës nga radhët e teknikëve dhe punëtorëve të TIA për sigurinë. Këtë herë shteti duhet dhe do të thotë shumë shpejt një fjalë më shumë. Fakti që aeroporti njësoj si të gjithë aeroportet në Europë, nuk mbrohet e as garantohet në sigurinë e vet nga Policia e Shtetit, po nga sistemi i sigurisë së vetë kompanisë, nuk do të thotë aspak se ne duhet e do të rrimë me duart të lidhura.
Shteti do të flasë qartë dhe do të veprojë me të gjithë fuqinë e detyrimit për të garantuar sigurinë dhe funksionimin normal të aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit”.

Cilat kanë qenë masat parandaluese? Kur është kontrolluar aeroporti? A janë konstatuar mangësi në nivelin e sigurisë së aeroportit? A janë lënë rekomandimet përkatëse? Çfarë kanë qenë këto rekomandime? Sa është koha për të përmbushur rekomandimet e lëna?

Gazeta “Si” kontaktoi me Ministrinë përgjegjëse për të marrë përgjigjet e pyetjeve të mësipërme, por ajo u shpreh se mbetet ende reagimi i Ministres Balluku i një dite më parë deri në një reagim të radhës.

Autoriteti i Avicionit Civil nuk ka pasur një reagim zyrtar publik pas ngjarjes dhe nuk do të ketë.

I kontaktuar nga Gazeta “Si”, Autoriteti i Aviacionit Civil është shprehur se nuk është pjesë e përgjegjësisë ndaj ngjarjes së ndodhur në Aeroportin “Nënë Tereza”, pasi është një ent rregullator dhe përgjegjësia e tij është për sigurinë civile.

Ndërsa një vendim i vitit 2016 për Miratimin e Procedurës së Brendshme për raportimin e ngjarjeve në aviacionin civil dhe përgatitjen e një baze të dhënash për këto raportime ngarkonte drejtorinë përkatëse të Autoritetit të Aviacionit Civil për të raportuar dhe koordinuar informacionet në lidhje me ngjaje të ndryshme në Aviacionin Civil.

Një ekspert i Aviacionit Civil që ka folur për Gazetën “Si” e ka cilësuar ngjarjen e grabitjes së 10 mln eurove në Aeroportin “Nënë Tereza” si një dështim total i të gjitha strukturave që duhej të garantonin sigurinë e aeroportit të vetëm të Shqipërisë.

“Policia e shtetit dështoi në ruajtjen e paprekshmërisë nga jashtë të aeroportit, subjekti që manaxhon aeroportin dështoi në masat që mori për të siguruar aeroportin pas ngjarjes që ndodhi dy vite më parë. Autoriteti i Aviacionit Civil dështoi në kontrollin që masat e sigurisë të ishin në lartësinë e duhur që kjo ngjarje të mos ndodhte. Në këtë rast është prekur siguria kombëtare, të tre autoritetet që përmenda janë një dështim i gërshetuar.”- thotë ai.

Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave në një komunikim publik ka qetësuar klientët se depozitat e tyre janë të garantuara dhe ngjarja nuk i dëmton ata.

Spiro Brumbulli

“Ngjarja e djeshme është shumë e rëndë dhe përtej imagjinatës, pasi ngjarja ka ndodhur në avion. Vjedhja ka ndodhur në zonë sigurie. Kjo vë në pikëpyetje sigurinë e qytetarëve. Nëse do mbyllet edhe ky rast si më parë do shtoj përsëritjen e ngjarjeve të tilla. Duhet vëmendje për sigurinë. Si Shoqatë e Bankave e dënojmë një ngjarje të tillë. Ne kemi transportuar paratë dhe ngjarja ka ndodhur në avion. Në gjykimin tim përgjegjësia është e aeroportit pasi hyrja me makinë deri tek avioni tregon se masat lënë për të dëshiruar. Bankat kanë të siguruar të gjithë vlerën monetare.” – është shprehur Spiro Brumbulli.

Banka e Shqipërisë nuk ka reaguar zyrtarisht. Gazeti “Si” ka kontaktuar me të duke i drejtuar përmes e-mailit një grup pyetjesh në lidhje me ngjarjen dhe përgjegjësisnë e saj në këtë situatë. Banka është përgjigjur se nuk ka një reagim përtej rregullores në fuqi.

Neni 12 i rregullores “Për kërkesat minimale të sigurisë në ambientet ku kryhen veprimtaritë bankare dhe financiare dhe për transportin e vlerave monetare” citon se:

Kërkesat për transportin e vlerave monetare

  1. Bankat marrin masat e nevojshme për transportimin në mënyrë të sigurt të vlerave
    monetare.
  2. Transporti i vlerave monetare realizohet në përputhje me kërkesat e parashikuara në
    ligjin nr. 75/2014 datë 10.07.2014 “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, si edhe të
    akteve nënligjore të miratuara në zbatim të tij.
  3. Transporti i vlerave monetare realizohet me punonjës shërbimi të SHPSF-së, me
    licencë të kategorisë “I.3.B”.

Anëtari i Bordit të Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj thotë për gazetën “Si” se “Banka e Shqipërisë ku unë kontribuoj si anëtar Bordi ka përforcuar rregulloret. Ajo ka kërkuar bashkëpunim me të gjitha insitucionet në fushën e sigurisë. Nuk vlerësoj se thjesht kalimi nga polici private ne atë shtetërore garanton eleminimin e këtyre ngjarjeve.”

Arben Malaj

Për Malajn, për shak se ka raste të përsëritura të ngjarjes, këkrohet skanimi i dobësive që favorizojnë të tilla ngjarje. Ai mendon se, vetëm pas hetimit administrativ dhe penal mund të bëhen përmirësimet e nevojshme në aspektin ligjor, insitucional dhe të palëve që me ligj janë përgjegjëse për të garantuar sigurinë e aeroporteve që është një prej pikave më kritike kur vlerësohet edhe siguria e një vendi.

“Si ekonomist ne fokusohemi tek dëmet që vijnë nga përkeqësimi i perceprtimit apo i reputacionit në raport me sigurinë publike. Dëmet nga humbja e parave për përmasat e tyre dhe përsëritjen e vjedhjeve në një periudhë relativisht të shkurtër, u kushtojnë jo pak kompanive të sigurimeve. Nuk ka dëm për bankat sepse çdo element i transferimit të tyre është i përcaktuar me akte ligjore dhe ndarja e përgjegjësive fillon nga dalja e parave nga bankat.”- sqaron Malaj duke vijuar më tej se “edhe humbjet e kompnaive të sigurimeve të cilat paramisht e ndajnë riskun e garantimit me kompani shumë më të mëdha ndërkombëtare, shpresohet të mos jenë kritike për kompanitë e sigurimeve. Këto kompani veç humbjeve nga vjedhje të tilla mund të rrezikojnë t’ju kërkohen prime sigurimi më të larta për këto lloj siguracionesh, çfarë rrit shpenimzet e tyre dhe ngushton normat e fitimit.”

Tërheqjen e kompanisë Austria Airlines nga biznesi i transportit të parave Malaj e përkthen si rritje të riskut në vendin tonë.

“Austria Airline është prej pak kompanive serioze të fluturimeve në Shqipëri dhe me intesitet të lartë të flutirimeve. Transferimi i parave jashtë vendeve eshtë bzines. Janë kompanitë e fluturimeve që në analizën risk reputacioni dhe fitime nga ky shërbim, të vendosin ta ofrojnë ose jo këtë shërbim. Ky venmdim nëqoftëse është marrë mban parasysh riskun e rritur. Ngjarja ka ndodhur në avionin e linjës së tyre. Media asutrike e ka pasqyruar këtë ngjarje dhe impakti është jo pozitiv, aq më tepër që vendi ndodhet në një situatë të vështirë politike, ku mediat e huaja i tremben tensioneve sociale.”- shpjegon eskperti financiar Malaj.

Në aspektin e sigurisë, Malaj e vë theksin tek përzgjedhja e kujdesshme e punonjësve të policisë publike apo private, se sa absolutizimin se nëqoftëse do të jetë policia e shtetit, këto ngjarje nuk do të ndodhin më.

“Nuk besoj se vjedhja u lehtësua sepse ishte një avion pasagjerësh. Vjedhja ndodhi dhe rrezikon të përsëritet se i gjithë procesi i sigurisë në të vetmin aeroport të vendit tonë, provon dobësi të theksuara të ruajtjes dhe sigurisë së tij. Ngjarja do të ishte tmerruese nëqoftëse me të njëjtën lehtësi, ata do të kishin tentuar të rrëmbenin avionin. Pasojat do të ishin tragjike.Në konkluzion nuk po diskutojmë për ngjarjen, nuk po diskutojmë thejsht për aëroportin tonë ndërkombëtar, por diskutojmë për shkakun e sigurisë së ulët dhe shkallën e lartë të risqeve.”- shprehet Malaj.

Kurse eksperti tjetër i fushës së ekonomisë dhe financave, ish Sekretar I Përgjithshëm I Shoqatës Shqiptare të Bankave e cilëson grabitjen në aeroport si një DEJA’ VU në evolucion.
Ngjarja e djeshme e grabitjes së parave në aeroport, e konkretisht në pjesën brendshme të avionit, thotë Meka, shkon përtej çdo ngjarjeje të tillë të ndodhur në Shqipëri dhe sipas tij, mund të konsiderohet pa frikë në kufijtë e një skandali, për sa i përket kushteve të sigurisë.

Elvin Meka

“Kjo përbën një ngjarje DEJA VU, por tashmë e avancuar, që i korrespondon një niveli më të lartë SKANDALI NË MASAT E SIGURISË. Ngjarja tregoi dhe një herë sa i ulët është niveli i sigurisë brenda mjediseve të aeroportit, ku pa frikë mund të pohohet se zbatohen dy standarde sigurie: një standard, deri në kufijtë e absurdit për kontrollin fizik të pasagjerëve (duke u hequr edhe këpucët e çorapet) dhe standard ZERO apo një neglizhencë, thuajse kriminale, për sa i përket masave strikte të sigurisë së transportit të vlerave, nga bankat.”- shprehet për Gazetën “Si” Elvin Meka.


“Organet ligjzbatuese duhet të veprojnë rigorozisht në drejtim jo vetëm të nxjerrjes së përgjegjësive, por deri në paditjen e koncesionarit për cënim serioz të sigurisë kombëtare, nga neglizhenca ose mosmarrja e masave të duhura për sigurinë e brendshme në mjediset e aeroportit. Qeveria shqiptare i ka të gjitha mundësitë dhe të drejtat që të padisë koncesionarin për një gjë të tillë, pasi tashmë ngjarja përbën një precedent të përsëritur dhe me rrezikshmëri më të madhe .” – Elvina Meka

Ai e kosnideron të pafalshme që, nisur nga ngjarjet e 3-4 viteve të mëparshme, niveli i masave të sigurisë së brendshme të aeroporit ndërkombëtar “Nënë Tereza” të vijojnë të mbeten problematike, madje sipas tij, të cedojnë plotësisht përballë sulmeve të tilla.
Kjo për Mekën, ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë në përgjithësi të këtij aeroporti, çka përkthehet në një rrënim të imazhit të vendit dhe pagimin e kostove shtesë në çdo aspekt, përveç atyre financiare.

“Organet ligjzbatuese duhet të veprojnë rigorozisht në drejtim jo vetëm të nxjerrjes së përgjegjësive, por deri në paditjen e koncesionarit për cënim serioz të sigurisë kombëtare, nga neglizhenca ose mosmarrja e masave të duhura për sigurinë e brendshme në mjediset e aeroportit. Qeveria shqiptare i ka të gjitha mundësitë dhe të drejtat që të padisë koncesionarin për një gjë të tillë, pasi tashmë ngjarja përbën një precedent të përsëritur dhe me rrezikshmëri më të madhe, e kjo ka ardhur pikërisht nga neglizhenca deliberative e vet koncesionarit (SHPSF-ja përkatëse nuk mban në këtë rast asnjë përgjegjësi) për mosmarrjen e masave përkatëse, që pas ngjarjes së fundit në mjediset e aeroportit.”- thotë Meka.

Për më tepër, vijon ai, banka(t) mund të konsiderojnë një padi për kërkim dëmshpërblimi nga koncesionari, për dëmin ekonomik që u është shkaktuar me këtë rast.

Më tej, qeveria shqiptare , shprehet Meka, mund të konsiderojë që, nisur nga rëndësia që ka aeroporti dhe neglizhenca dhe niveli i papërgjegjshmërisë së treguar në këto vite, për sigurimin e standardeve të mjaftueshme të sigurisë, të anulojë përfundimisht këtë koncesion, që përtej problematikave madhore të kostove ndaj pasagjerëve po krijon në vijim edhe kosto dhe problematika thelbësore në drejtim të sigurisë.

“Ky është casus belli më oportun për të anuluar këtë koncesion, pasi siguria dhe e drejta e jetës prevalon mbi të drejtën e biznesit dhe çdo të drejtë tjerër!”- mendon Meka.
Deri më tani nuk kemi asnjë reagim zyrtar nga qeveria përpos qëndrimin e Minsitres Balluku një ditë më parë.

Asnjë institucion apo agjenci e implikuar drejtpërdrejt ose tërthorazi në këtë ngjarje nuk ka reaguar.

Skenari i deritanishëm i heshtjes si pas ngjarjes precedente të 2016-ës, mbetet i mirëqenë, por nëse do të duam të shmangim pasoja të tilla që cënojnë sigurinë kombëtare dhe jetën e pronën e individëve, mbetet për tu parë lëviza e qeverisë ndaj koncesionarit në ditët në vijim nëse do të ketë të tilla sipas paralajmërimit të ministres Balluku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë