Politike

Pronat e minoritetit grek në Himarë, Tsipras paralajmëron Shqipërinë

Greqia ka paralajmëruar se rruga e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian mund të bllokohet. Kryeministri Aleksis Tsipras ka deklaruar nga Burureshti në Rumani se diçka negative po ndodh me minoritetin grek në Shqipëri, por pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.

Por sipas mediave greke, Tsipras i referohej një informacioni që kishte marrë se konkretisht qeveria shqiptare ka konfiskuar prona të minoritetit grek në Himarë përmes një vendimi të botuar në Fletoren Zyrtare, por që më pas është fshirë.

Ai mes tjerash tha se këto informacione duhet të verifikohen dhe nëse prej tyre del se gjithçka është e vërtetë, atëherë Greqia do të bëhet pengesë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, proces ky që pritet të ndodhë gjatë muajit qershor.

Pasi ka vlerësuar disa arritje të shteteve pjesëmarrëse në samitin e Bukureshtit, para së gjithash për  Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se është në rrugë të mbarë drejt integrimit evropian, Tsipras u ndal te Shqipëria.

“Do të isha i lumtur të thoja të njëjtën gjë edhe për Shqipërinë. Kohët e fundit po shikojmë zhvillime që nuk na pëlqejnë. Sot mësova që ka pasur një zhvillim negativ në lidhje me minoritetin grek. Nëse është e vërtetë, do të jetë një zhvillim shumë negativ, – tha kryeministri grek. – Një çështje që fatkeqësisht neve nuk na jep optimizëm drejt perspektivës europiane. Nëse informacioni që kemi është i vlefshëm, nuk ekzistojnë parakushte për të ecur në këtë drejtim. Shpresoj të jem i gabuar. Sepse dëshira e të gjithëve është që hapat e vendeve të Ballkanit drejt perspektivës europiane të bëhen realitet. Por, ne çdo shtet e shikojmë veç e veç”.

Duke folur për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe konkretisht ngrirjes së dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës për shkak të taksës, kryeministri grek tha se vendi i tij mbështet përpjekjet që të dyja vendet të nisin dialogun. Ai shprehet se dialogu është penguar për shkak të sanksioneve, që Prishtina ka aplikuar ndaj Serbisë.

“Ne mbështesim përpjekjet për rifillimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, suksesi i të cilit është i një rëndësie të veçantë për rajonin tonë, dialogu nuk është ndihmuar nga nismat që ka marrë Prishtina”, tha ai.

Edhe më parë, ka qenë presidenti grek Pavlopoulos, ai që ka kërcënuar Shqipërinë se nuk do të mbështetet drejt në rrugën drejt integrmit europian, nëse nuk respektohen të drejtat e pakicës etnike greke.

Deklaratat e Tsiprasit u bënë në takimin e shtatë katërpalësh Greqi, Bullgari, Serbi, Rumani që u u zhvillua në Bukuresht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë