Politike

96 deputetë të kallëzuar në SPAK/ PS-PD çojnë ‘luftën’ e Kuvendit në dyert e drejtësisë

Nga Gazeta ‘Si’ - Kaosi i së hënës që Partia Demokratike shkaktoi brenda edhe jashtë Kuvendit, në vetëm 24 orë ‘ka përplasur’ në dyert e SPAK-ut si demokratët ashtu edhe socialistët.

Fillimisht, mesditën e djeshme u njoftua që Policia kishte referuar materialet në SPAK për 23 deputetë, përkatësisht 20 të PD-së dhe 3 aleatë nga opozita, pas kryerjes së veprimeve të dhunshme në seancë.

(Njëherazi, Partia Socialiste iu drejtua me kërkesë Kryetares së Kuvendit, për të marrë masa disiplinore ndaj 24 deputetëve të opozitës.)

Në seancën që zgjati vetëm 15 minuta, pasi kryeparlamentarja Elisa Spiropali njoftoi heqjen e mandatit të Salianjit, deputetët e opozitës bllokuan foltoren, e shkatërruan atë, hodhën sende në drejtim të saj dhe më pas dogjën karrige jashtë në oborrin e Kuvendit.

Policia njoftoi që deputeti Flamur Noka u referua jo vetëm për veprën “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, por edhe “Goditja për shkak të detyrës”, pasi gjatë një debati me deputetin socialist Peto Koçi, e goditi atë në dorë.

Gazment Bardhi për veprën “Goditjet për shkak të detyrës”, pasi hodhi sende në drejtim të kryetares së Parlamentit, Elisa Spiropali.

Ndërsa Bledion Nallbati po ashtu për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, bashkë me 20 deputetët e tjerë të opozitës, morën karriget e tyre në Kuvend dhe i vunë flakën në hyrje të institucionit.

Emart e tjerë të referuar në SPAk janë: Dhurata Çupi, Flamur Hoxha, Xhelal Mziu, Lefter Geshtenja, Agron Gjekmarkaj, Ina Zhupa, Lindita Mataliaj, Dashnor Sula, Luan Baçi, Lodovik Hasani, Asllan Dogjani, Elidon Bushati, Erisa Xhixho, Sorina Koti, Sajmir Korreshi, Edmond Spaho, Kasem Mahmutaj, Vangjel Dule, Monika Kryemadhi dhe Isuf Çelaj.

Por sakaq, ditën e sotme, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike njoftoi se po në dyert e SPAK-ut kishte kallëzuar 73 deputetë të Partisë Socialiste.

Sipas padisë, PD thekson se këta deputetë kanë penguar ekzekutimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kanë konsumuar dy vepra penale.

“Konkretisht në kallëzimin e dorëzuar në SPAK 73 deputetët e Partisë Socialiste akuzohen se kanë konsumuar në bashkëpunim veprat penale të ‘Pengimit të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës’ dhe ‘Mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të Gjykatës’,”- thuhet në njoftim e Grupit të PD-së.

PD u shpreh se e konsideronte të papranueshme mbrojtjen politike dhe pengimin ndaj drejtësisë që, referuar saj, mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka.

Grupi Parlamentar i PD theksoi në kallëzim se “ky veprim përbën jo vetëm minim të demokracisë dhe rrënim të besimit të qytetarëve tek Gjykata Kushtetuese dhe sistemi i drejtësisë, por gjithashtu edhe veprim të kundërligjshëm që dënohet nga Kodi Penal”.

Sipas PD, mosekzekutimi i vendimit të Kushtetueses për Xhaçkën, është bërë pa shkaqe të përligjura.

Ndërkohë, seanca e Kuvendit që do të zhvillohet nesër (e enjte, 3 tetor) nuk pritet gjithashtu të jetë normale. PD e cila u mblodh sot për të përcaktuar skenarin për seancën e ardhshme parlamentare, ka vijuar prej tre ditësh me bojkotin e komisioneve.

Më 7 tetor ajo ka thirrur një protestë e cila pritet të nisë para godinës së Kryeministrisë, ku është paralajmëruar se grupe protestuesish do të bllokojnë akset rrugore dhe kryqëzimet, në një formë të mosbindjes civile.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë