Njerez

93 euro për një kilogram sheqer, në Gaza!

Për shkak të bllokadave të vendosura nga Izraeli, ushqimi është i vështirë për t'u gjetur dhe ajo pak që ekziston në treg, shitet me çmime të larta

Gazeta Si – Ekzistojnë dy mënyra për të siguruar ushqim në Rripin e Gazës. E para është të shkosh në njërën nga katër qendrat e shpërndarjes së Fondacionit Humanitar të Gazës, organizatës së krijuar nga Izraeli për të monitoruar shpërndarjen e ushqimit në Rrip.

Izraeli planifikon të zëvendësojë të gjitha OJQ-të e pranishme në zonë, një sistem që ka krijuar kushtet për masakra të vazhdueshme të palestinezëve, pasi ushtria shpesh qëllon mbi civilët që presin në radhë.

Mënyra e dytë është ta blesh atë në tregje, nëse gjendet gjithmonë: problemi është se çmimet janë të papërballueshme për shumicën e njerëzve.

Izraeli kontrollon të gjithë kufijtë e Rripit dhe vendos kufizime shumë të rrepta (ose ndalime totale) për hyrjen e ushqimit dhe mallrave të tjera thelbësore.

Për këtë arsye, gjatë luftës, e cila filloi në tetor 2023, çmimet e mallrave bazë në Gaza janë rritur jashtëzakonisht shumë: tregtarët luftojnë për të gjetur furnizime, dhe pak që gjejnë hidhet në treg me çmime të tepruara.

Një treg në Jabalia, në veri të Gazës

“New York Times” përpiloi një listë të çmimeve të ushqimeve duke përdorur të dhëna nga Dhoma e Tregtisë e Gazës, një organ lokal që monitoron tregjet në qytetet Deir al-Balah dhe Khan Yunis, përkatësisht në veri, qendër dhe jug të Rripit.

Nëse para luftës, një thas me miell prej 25 kilogramësh kushtonte mesatarisht 9 euro, në fund të korrikut ishte 267 euro.

Një kilogram sheqer shkoi nga më pak se 1 euro në 93 euro. Një kilogram patate ose qepë shkoi nga 0.50 euro në 26 euro, e kështu me radhë.

Çmimet e nevojave të tjera themelore janë rritur gjithashtu. Një sapun kaloi nga 0.5, në 9 euro.

Një pako me 20 pelena, shkoi nga 9 në 130 euro. Një litër naftë (e nevojshme për të furnizuar me energji gjeneratorët, për shembull), shkoi nga më pak se 2, në 31 euro.

Çmimet gjithashtu luhaten shumë, varësisht nga disponueshmëria aktuale. Më 20 korrik, një thas me miell prej 25 kilogramësh, kushtonte 779 euro; më 27 korrik, ra në 195 euro, përpara se të rritej përsëri në 292 euro më 30 korrik.

Një treg në Gaza

Tregtarët arrijnë të sigurojnë ushqim dhe mallra të tjera për t’i shitur në tregje përmes trukeve që nuk janë gjithmonë të ligjshme.

Grupet kriminale janë aktive në Rripin e Gazës, duke sulmuar karvanët humanitarë dhe duke vjedhur ushqim.

Ky ushqim më pas arrin te tregtarët e Gazës përmes ndërmjetësve, të cilët paguajnë çmime shumë të larta për të edhe para se ta shesin. Nuk është e qartë se sa ngushtë janë të lidhura këto grupe kriminale me Hamasin.

Disa tregtarë më pas kultivojnë disa produkte direkt, ose i blejnë ato nga pak fermerë vendas ende aktivë dhe i shesin në treg. Ekziston gjithashtu një sistem kontrabande që është ende aktiv, pavarësisht luftës dhe bllokadës izraelite.

Kjo demonstrohet nga fakti që cigaret janë ende të disponueshme në Rrip, një mall i ndaluar nga Izraeli, por që vjen nga jashtë përmes kontrabandës.

Giorgio Monti, drejtori mjekësor i Emergjencave, i cili punoi në Rripin e Gazës deri në fund të qershorit, i tha podkastit “Globo” se “kishte një kohë kur cigaret kushtonin deri në 40 dollarë (35 euro) secila” dhe se në disa raste ato shiteshin “me centimetër”.

Kamionë që transportojnë ndihma humanitare hyjnë në Gaza

Problemit të çmimeve të tepërta i shtohet edhe mungesa e parave cash (e vetmja mënyrë pagese e pranuar nga tregtarët).

Shumica dërrmuese e bankomateve nuk funksionojnë më dhe njerëzit duhet t’u drejtohen ndërmjetësve dhe kontrabandistëve, të cilët mund të ofrojnë para cash në këmbim të komisioneve që tani tejkalojnë 40 përqind.

Për të marrë para cash, duhet të transferohen në mënyrë digjitale shumën e dëshiruar në llogarinë bankare të një ndërmjetësi, i cili më pas e dorëzon atë personalisht pasi të ketë zbritur komisionin.

Basheer al-Farra, një palestinez i zhvendosur në jug të Gazës, i tha agjencisë së lajmeve “Asociated Press”: “Nëse më duhen 60 dollarë, duhet të transferoj 100 dollarë” te ndërmjetësi.

Valuta më e përdorur në Gaza është shekli izraelit, por që nga fillimi i luftës, Izraeli ka ndaluar sjelljen e kartëmonedhave të reja në Rrip.

Kështu, kartëmonedhat ekzistuese kanë përfunduar të konsumuara dhe shumë prej tyre nuk pranohen më nga tregtarët dhe furnizuesit e tyre.

Kjo është arsyeja pse mund të ndodhë që, edhe pasi të kenë marrë para cash, njerëzit ende nuk janë në gjendje të blejnë ushqim.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë