Art dhe Kulture

90-vjetori i Adivie Alibalit, aktores që interpretoi Mamica Kastriotin në filmin ‘Skënderbeu’

Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së aktores Adivie Sharofi Alibali, ylli i filmit “Skënderbeu” që ka portretizuar Mamica Kastriotin, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, u mbajt një aktivitet festiv me praninë e saj ku edhe u shfaq filmi “Skënderbeu”.

Aktorja Adivie Alibali ka mbetur në kujtesën e shqiptarëve si “Mamica Kastrioti”, pas famës që i dha interpretimi në filmin “Skënderbeu”. Në aktivitetin e AQSHF ishin të pranishëm kineastë, familjarë të aktores e studiues.

“Në një takim të ngrohtë me miq e familjarë, uruam në shtëpinë e filmit ditëlindjen e 90-të artistes Adivie Alibali me një himn për jetën dhe përpjekjet duke pasur në zemër dashurinë për artin dhe të bukurën. Roli i Mamicës, që e përjetësoi dhe e identifikoi Adivien me trimëreshën Kastriote na shoqëroi në ekranin e kinemasë”, shkruhet nga AQSHF në faqen e tyre online.

Ndërkohë Agron Alibali, i biri i aktores, i dhuroi dje Arkivit të Filmit 8 postera të filmit “Skënderbeu” shpërndarë për kinematë italiane në vitet ’50, një pasuri e shtuar për materialet kartografike që lidhen me fondin filmik.

Filmi “Skënderbeu” është një produksion shqiptaro-rus i vitit 1953 nga regjisori i njohur rus Sergei Yutkevich, ku interpretojne dhe artistët shqiptarë si Naim Frashëri, Adivie Alibali, Besa Imami, Marie Logoreci, Mihal Popi etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë