90 vite më parë, Asambleja Kushtetuese votoi ndryshimet e statutit, duke kaluar nga sistemi qeverisës republikan në atë monarkik, ku mbret u shpall Ahmet Zogu.
Pas këtij akti e deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore, ky sistem do të qeveriste shqiptarët. Historia dihet dhe paslufta solli në pushtet komunistët, që e shpallën Ahmet Zogun tradhtar.
Pas rrëzimit të komunizmit, familja mbretërore u rikthye në Shqipëri, ku kërkoi një referendum për rivendosjen e këtij sistem. Më 29 qershor të 1997, kur votohej për zgjedhjet parlamentare të parakohshme si pasojë e trazirave të shkaktuara nga falimentimi i firmave piramidale, u votua edhe për formën e qeverisjes.
Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ, shumica e votuesve kishin rrëzuar monarkinë dhe votuan pro republikës. Por, i ndjeri Leka Zogu I e cilësoi të manipuluar votimin dhe thërriti mbështetësit e tij në protestë para KQZ-së.
Tri ditë më vonë, me armë në duar dhe i veshur me rroba ushtarake, ai doli në protestë, duke mosnjohur rezultatin. Gjatë protestës pati edhe konfrontime të armatosura me forcat e policisë dhe viktima.
Në një intervistë dhënë për AFP, Leka Zogu deklaronte se monarkia ishte vullneti i njerëzve dhe se do të vazhdonte të mbështeste protestat e këtij lloji. Por, Kryeministri i asaj periudhe, Bashkim Fino, që drejtonte Qeverinë e Unitetit Kombëtar deklaronte se qeveria dhe policia ishin të vendosura për të mos lejuar më tubime të paligjshme të qytetarëve.
Tubimet ndaluan dhe familja mbretërore u largua nga Shqipëria. Ndaj Leka Zogut u hap një hetim, por më vonë ai dhe e gjithë familja mbretërore përfitoi nga një aministi, duke u rikthyer përfundimisht në atdhe në vitin 2002.
Sot, Partia Lëvizja e Legalitetit i qëndron bindjes së saj se forma monarkike e qeverisjes është rruga më e mirë për të sjellë prosperitet, zhvillim dhe për të mbrojtur interesat e shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve të shtetit sot.
Në këtë 90-vjetor, ish-kreu i kësaj force, Ekrem Spahiu bën një rezyme të shpalljes së monarkisë së parë shqiptare dhe e mbron këtë akt, jo vetëm si të ligjshëm, por edhe të nevojshëm në kushtet kur ndodhej Shqipëria në ato vote.
“Kalimi i Shqipërisë në sistemin monarkik të formës së regjimit, ishte në fakt kalim në një sistem më afër tradicionales dhe më të pranueshëm për shqiptarët, se sa sistemi republikan. Ky akt është pritur dhe vlerësuar me kundërthënie nga më të ndryshmet. Vlerësimi më radikal ka qenë se monarkia e instaluar nga Ahmet Zogu nuk ka qenë e ligjshme dhe ishte thjesht shprehje e ambicieve personale të Ahmet Zogut. Një vlerësim tjetër është se instalimi i mbretërisë nuk ka qenë i ligjshëm, por një akt politik i domosdoshëm për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Një vlerësim i tretë është se instalimi i mbretërisë ka qenë domosdoshmëri kombëtare dhe është bërë në mënyrë krejtësisht të ligjshme”, thotë Spahiu në një letër publike.
Më pas, Spahiu analizon të trija kendvështrimet dhe duke rrëzuar dy të parët, mbron të fundit.
“Ahmet Zogu u tregua shumë i kujdesshëm në hapat e tij për ta ndryshuar formën e regjimit në Shqipëri nga Republikë në Monarki, duke punuar në disa drejtime dhe për të qenë në harmoni me proçesin politik, opinionin publik shqiptar, bindjen dhe mbështetjen e marrë nga faktori ndërkombëtar e në veçanti nga Fuqitë e Mëdha, dhe mbi të gjitha me nismat dhe respektimin e proçedurave kushtetuese e ligjore”, shkruan ai ndër të tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.