Njerez

89 vjetori i lindjes së gjeniut të letërsisë shqipe, ditëlindja e parë pa Ismail Kadarenë

Nga Gazeta ” Si” -Ismail Kadare ishte shkrimtar dhe një  personalitet qendror i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, protagonist i zhvillimeve më të përparuara në letërsinë shqipe gjatë kësaj periudhe.

Lindi me  28 janar 1936  në Gjirokastër, ku kreu dhe studimet e mesme. U diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe në vijim studioi në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë. Fillimet letrare të Kadaresë janë kryesisht në poezi (“Frymëzime djaloshare”, 1954; “Ëndërrimet”, 1957; “Shekulli im”, 1961; “Përse mendohen këto male”, 1964; “Motive me diell”, 1968; “Koha”, 1976). Me emrin e tij lidhet ardhja në letërsi e “brezit të viteve 1960”, që solli një frymë emancipimi të përgjithshëm në kulturën kombëtare.

Vepra e parë e rëndësishme e Kadaresë ishtë romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), që ishtë një pikë kthese në prozën moderne shqiptare. Në prozën e tij, Kadare e vështron të shkuarën jo vetëm si histori qëndrese heroike, por si histori mbijetese të identitetit shqiptar.

Pasojnë romanet: “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi”, ku vihen përballë vlerat e jetës dhe çmimi i vdekjes. Romani “Kush e solli Doruntinën” (1979) u kujtoi bashkëvendësve ringjalljen, rilindjen, atë vlerë që gjendej në baladat e hershme të tyre dhe që mbante shenjën e humanizmit të Rilindjes Europiane.

Ndërkaq, “Kronikë në gur” (1971) është romani i dytë i Kadaresë që trajton temën e luftës antifashiste, e parë me sytë e një fëmije tregohet si një lojë, ku palët shfaqen si në një teatër. Ndërkaq, romani “Kështjella” është quajtur “roman historik”, por dhe “roman i heroit të papranishëm”. Autori arrin të ngrejë në këtë roman kultin e bashkësisë në vend të kultit të heroit të përveçëm.

Romanet e Kadaresë me temë nga historia, të shkuarën e kanë kryesisht si një shkas për të sotmen. Nocioni i kështjellës është i pranishëm edhe te “Prilli i thyer” (kulla e ngujimit); te “Krushqit janë të ngrirë”, te “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, te “Piramida”. Në të kundërtën, nocioni i urës gjendet tek “Ura me tri harqe”, “Kush e solli Doruntinën”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Kushëriri i engjëjve”.

Romani “Dimri i madh” (1977) është varianti i ripunuar i veprës “Dimri i vetmisë së madhe”, që u botua më 1973, në të cilin trajtohet tema e konfliktit me sovjetikët. Romani tjetër “Koncert në fund të dimrit”(1987), trajtoin temën e konfliktit me kinezët. Romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1979) përfaqëson veprën më problematike dhe më mospajtuese të Kadaresë me realizmin socialist Thelbi i romanit është alegoria politike antitotalitariste, duke marrë shkas prej mënyrës së funksionimit të ish-Perandorisë Osmane.

Ndërkaq, letërsia e Kadaresë pas vitit 1990 barti të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1992 u vlerësua me “Prix Mondial Cino Del Duca”. Në vitin 2005 fitoi çmimin “Man Booker Prize” i nominuar krahas nobelistëve Günter Grass, Garbiel Garcia Marquez, Kenzaburo Oe etj. Kryetari i jurisë e arsyetoi vendimin për t’i dhënë çmimin Kadaresë me fjalët: “Ismail Kadare është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë: historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqësitë. Ai është një shkrimtar universal me traditë rrëfimi që shkon deri tek Homeri”.

Në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll “Princi i Asturias për Artet” ,çmimi më i rëndësishëm letrar në vendet spanjolle, dhe një nga çmimet letrare më prestigjoze në botë. Në vitin 2010, Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin “Lerici Pea”.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. U bë anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe nga viti 2018 anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Malit të Zi.

Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Me studimin e veprës së Kadaresë janë marrë autorë të huaj në gjuhët amtare gjegjëse si Eric Faye dhe Jean-Paul Champseix në frëngjisht, Piet de Moor në hollandisht, Peter Morgan në anglisht, Bernardo Joffily në portugalisht, Jose Carlos Rodrigo Breto në spanjisht dhe Ece Dillioğlu në turqisht. Veprat e Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të huaj

Ismail Kadare vdiq më 1 Korrik 2024, në Tiranë


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë