Ekonomi

887 mld lekë, Kuvendi miraton buxhetin e vitit 2026

Nga Gazeta ‘SI’ – Me 81 vota pro dhe 16 kundër, Kuvendi i Shqipërisë miratoi pas mesnate buxhetin e vitit 2026, më të madhin në historinë e vendit, 823 miliardë lekë të ardhura dhe 886.7 mld shpenzime.

Gjatë seancës së djeshme u miratuan një sërë ndryshimesh finale, propozime të komisioneve, për të zhvendosur destiancionin e 505 mln lekëve, nga disa institucione në disa të tjera.

Seancat plenare dhe shqyrtimet në komisione kanë sjellë përplase të vazhdueshme midis mazhorancës dhe opozitës, ku kjo e fundit akuzon për një buxhet “të porositur” që i dedikohet privatit dhe jo qytetarëve.

Debati më i madh ka qenë ai për Paqen dhe Paketën Fiskale, ku sipas deputetëve të PD-së, PL-së dhe Mundësisë, është një nismë që lejon pastrimin e parave dhe favorizon bizneset pranë qeverisë. Kur deputetja Jorida Tabaku kërkoi listën e bizneseve që përfitonin falje të gjobave dhe taksave, ministria e Financave refuzoi ta publikojë, për arsye “konfidencialiteti”.

Projektbuxheti 2026

Ministria e Shëndetësisë mbetet përfituesi më i madh i buxhetit, 82.5 mld lekë, por rritja më e fortë e fondeve rezulton ministria e Mbrojtjes. Në kuadër të qëllimit të NATO-s, buxheti i ministrisë së Mbrojtjes në Shqipëri është rritur me 20%, pothuajse 59 mld lekë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është institucioni i dytë me vlerën më të madhe, 77.3 miliardë lekë.

Arsimit i është dedikuar një buxhet prej rreth 65 mld lekësh.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të ketë një buxhet prej 41.7 miliardë lekësh, rreth 5 mld lekë më pak se një vit më parë.

Buxhet i konsiderueshëm prej 35.7 miliardë lekë shkon dhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme ku përfshihen pagat e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.

16.2 miliardë lekë do të shkojnë për Ministrinë e Bujqësisë ku pjesa më e madhe e fondeve të akorduara shkon për mbështetjen e fermerëve, rritjen e prodhimit dhe eksportin.

Ministria e Drejtësisë do të marrë një buxhet prej 14.9 miliardë lekësh; Ministria e Financave do të ketë një buxhet prej 12.5 miliardë lekë, Ministria e Turizmit 7.4 miliardë lekë, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme 3.7 miliardë lekë dhe Ministria e Mjedisit 3.2 miliardë lekë.

Gjatë vitit 2026, pushteti vendor do të përfitojë në total 47.3 miliardë lekë në formën e transfertave, nga të cilat 27.8 miliardë lekë ose 59% është transfertë e pakushtëzuar e përgjithshme e cila shpërndahet përmes formulës, 14 miliardë lekë ose 30% është në formën e transfertës së pakushtëzuar sektoriale për financimin e funksioneve të transferuara në nivel vendor, dhe 5.5 miliardë lekë ose 11 % në formën e transfertës sektoriale për rritjen e pagave.

 Investimet publike të vitit të ardhshëm arrijnë në rreth 1.9 miliardë euro, ndërsa fondi i rindërtimit do të jetë 50 milionë euro. Për 11 projektet koncesionare parashikohen 120 milionë euro, pak më pak se një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë