Lajme

Falimentoi agjencia, 84 turistë sllovakë u bllokuan në Rinas

Një situatë kaotike ka përfshirë aeroportin “Nëne Tereza” në Tiranë, ditën e djeshme për shkak të problemeve me agjencitë turistike shqiptare. Më shumë se 84 pushues sllovakë kanë mbetur të bllokuar në vendin tonë , për shkak se agjencia e udhëtimit me të cilën udhëtonin, “Travel Albania” ka falimentuar.

Në këto kushte, Ministria e Brendshme sllovake ka vendosur të dërgojë tre aeroplanë në Shqipëri për të kthyer në vendin e tyre shtetasit e bllokuar në aeroport.

Agjensia sllovake e lajmeve, “TASR”, shkruan se nuk ka patur asnjë reagim zyrtar nga autoritetet shqiptare, por se transporti i turistëve do të mbulohet nga një kompani sigurimi që vepron edhe në vendin tonë.

“Ministrisë iu ofrua ndihmë nga një kompani sigurimi, e cila do të paguajë koston për transportimin e këtyre pushuesve”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme sllovakr, Petar Lazarov.

Beata Lipšicová, specialiste e PR-it në kompaninë “Uniqua Group Austria”, e cila siguronte edhe kompaninë shqiptare “Travel Albania”, deklaroi se fillimisht u kishte ofruar turistëve  fluturime komerciale, por e kishte të pamundur të merte avionë në mes të sezonit turistik.

“Meqenëse ishte përparësia jonë për të kthyer pushuesit në shtëpi sa më shpejt të ishte e mundur, të mërkurën pasdite kompania arriti të siguronte transportin e tyre nga Tirana në POPRAD (Qarku Prešov në verilindje të Sllovakisë) me disa aeroplanë të flotës së Ministrisë së Brendshme,” tha Lipshicová .

Po të njëjtën ditë, 86 turistë të tjerë po prisnin të niseshin për në Shqipëri, nga aeroporti i POPRAD, por pasi mësuan për falimentimin e kompanisë, arritën të ktheheshin në kohë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë