Art dhe Kulture

80-vjetori i Robert Ndrenikës

Pa të arti shqiptar do të ishte më i paplotë. Me një portret të dashur dhe zërin që di të futet më së miri në lëkurën e çdo karakteri, Robert Ndrenika me rolet e tij të shumta në numër të interpretuar gjatë jetës ka shpalosur shpirtin dhe botën e madhe brenda tij.

Askush s’i harron batutat e tij në teatër apo filma, dy botë që Ndrenika s’do t’i ndante kurrë.

Sot, aktori i madh feston 80-vjetorin e lindjes. Me shfaqjet e shumta të vëna në skenë dhe mesazhet që ka dhënë në rolet e tij, ai sot mban një vend nderi në artin shqiptar.

Teatri Kombëtar, ndërsa i uron ditëlindjen Robert Ndrenikës, e cilëson si një aktor të madh.

“Teatri Kombëtar uron aktorin e madh Robert Ndrenika me rastin e ditëlindjes! Shëndet, mbarësi e jetë të gjatë!”, uron Teatri Kombëtar.

Ministrja e Kulturës përpos talentit veçon te Ndrenika edhe faktin që sjell aq bukur gjuhën shqipe.

“Gëzuar ditëlindjen, Robert Ndrenika!

Faleminderit që ndan me ne talentin, pasionin, mjeshtërinë e aktrimit dhe bukurinë e gjuhës shqipe! Shëndet e jetë!”, e uron ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Filmat dhe shfaqjet teatrale ku ka luajtur Ndrenika janë të panumërta, ndërsa rolet më të spikatura mund të veçohen: Prefekti i filmit “Koncert në vitin 1936”, babai i Florit te “Njerëz dhe fate”, vjehrri i Marigosë te “Përrallë nga e kaluara” e shumë role të tjera në karrierën e tij si aktor.

Jeta dhe veprimtaria

Robert Ndrenika lindi në Tiranë, në 10 janar 1942.

Talenti i tij spikati që në vitet e para të jetës, kur ai kultivonte pasionin e tij për teatrin në Shtëpinë e Pionerit në Tiranë. Pas përfundimit të gjimnazit “Qemal Stafa”, në vitet 1960-1964 nis studimet për aktor në Shkollën e Lartë “Aleksandër Moisiu”.

Nga ky vit, deri më 1970, punoi si aktor në Teatrin “Skampa” të Elbasanit. Në vitet 1970-1974 punon si aktor në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), më pas në Teatrin Kombëtar, deri sa doli në pension.

Për shumë vite punoi si aktor i lirë (pas pensionit). Midis të tjerash, ka interpretuar: “Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu” i Lec Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, “Fytyra e dytë” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, “Shkallët” dhe “Shtëpia me dy porta” të Ruzhdi Pulahës, “Shumë zhurme për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” të Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe “Kopraci” të Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, “Dashuri e tillë” e Kohoutit, “Banja” e Majakovskit, “Arturo Ui” e Brehtit, “Vdekja e një komisioneri” e Millerit, “Vizita e damës plake” e Dyrrenmatit, “Magjia e madhe” dhe “Cilindri” të De Filipos, “Darka e të marrëve” e Veberit, “6 vjet shtatzënë” e Cikliropulosit, “Pulëbardha” e Anton Çehovit, “Histori zooparku” e Ollbit, etj.

Në vitin 1979, Ndrenikës iu akordua titulli “Artist i Merituar” dhe në vitin 1988 titulli “Artist i Popullit”.

Është nderuar me Kupën për Aktorin më të Mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit, më 1994, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe”, të De Filipos dhe në Festivalin e Filmit te vitit 1979, për rolin e Prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”.

Për disa vite, punoi si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe fjalës artistike, në degën e aktrimit, në Institutin e Lartë të Arteve.

Robert Ndrenika ka dy vajza. Ai ka pasur një histori mjaft të bukur dashurie me gruan e tij, Polikseni. Por pasi Polikseni u sëmur dhe u nda nga jeta, Robert Ndrenika e vuajti shumë largimin e saj. Aq sa për katër vite nuk shkeli më në teatër.

Por në prill të vitit 2012 ai fitoi mbi vuajtjen dhe iu rikthye fuqishëm teatrit me rolin e doktor Shuster.

Ai u nderua nga presidenti i asaj kohe, Bamir Topi me titullin “Nder i Kombit” (2012).

Në 2014 ai futet në botën e një personazhi kapriçoz përmes premieres “Djemtë gazmore”, pjesë e shkruar nga shkrimtari amerikan Neil Simon.

Në 2015 u shpall Aktori i Vitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë