Menaxhim

80% e popullsisë në Shqipëri, pa trajtim të ujërave të zeza, Lumenjtë më të ndotur në Europë!

Nga Gazeta ‘SI’ – Rreth 3.5% e popullsisë së Shqipërisë jeton ende pa tualet brenda shtëpisë, shifër kjo më e larta në rajon. Për krahasim, në Europë rekordin e mban Rumania, me mbi 20%. Sipas Eurostat, ky tregues lidhet me varfërinë, privimin material dhe rreziqet për shëndetin e qytetarëve.

Shqipëria është gjithashtu një nga pak vendet evropiane që përjeton mostrajtim të ujërave të zeza, duke prekur rreth 80% të popullsisë, ndërsa mesatarja në BE është 81%.

Cilësia e ujit në lumenjtë shqiptarë mbetet problematike. Niveli i BOD (oksigjen biokimik) arrin 8 mg/L, më i larti në Europë, për shkak të shkarkimeve nga impiantet e trajtimit të ujërave, industria dhe bujqësia. Për krahasim, lumenjtë e pastër kanë BOD nën 1 mg/L, ndërsa lumenjtë mesatarisht të ndotur paraqesin vlera nga 2 deri në 8 mg/L. Ndotja organike e rëndë mund të shkaktojë deoksigjenim të ujit, duke kërcënuar peshqit dhe kafshët pa skelet.

Një tregues pozitiv është Indeksi i Shfrytëzimit të Ujit (WEI+), që mat konsumin e ujit në përqindje të burimeve të rinovueshme. Shqipëria ka një konsum prej rreth 4%, duke u renditur si një nga vendet me stres ujor më të ulët në Europë, ndërsa Qipro dhe Malta kanë nivele shumë më të larta: 71% dhe 34%. Megjithatë, këto vlera mund të ndryshojnë sezonalisht.

Mungesa e ujit është më e zakonshme në Europën Jugore, ku rreth 30% e popullsisë jeton në zona me stres të përhershëm ujor dhe deri në 70% në zona me stres sezonal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë