Pas tre vitesh planesh të rastësishme, për t’i kthyer punëtorët në tavolinat e punës, rikthimi në zyrë ka hyrë në një fazë ‘pendese’.
Sipas një studimi të ri nga Envoy, 80% e drejtuesve pendohen për vendimet fillestare të rikthimit në zyrë, dhe thonë se do t’i kishin bërë planet ndryshe, nëse do të kishin një kuptim më të mirë të asaj, që dëshironin punonjësit e tyre.
“Shumë kompani po kuptojnë, se mund të kishin qenë shumë më të matura në qasjen e tyre, në vend që të merrnin vendime të mëdha, të guximshme, shumë të diskutueshme, bazuar në opinionet e drejtuesve dhe jo në të dhënat e punonjësve,” thotë Larry Gadea, CEO dhe themeluesi i Envoy’s.
U intervistuan më shumë se 1000 drejtues të kompanive amerikane dhe menaxherë, që punojnë personalisht në zyrë, të paktën një ditë në javë.
Disa drejtues u ankuan për sfidën e matjes së suksesit të politikave, që kërkojnë punën në zyrë, ndërsa të tjerë thanë se ishte e vështirë, të bësh investime afatgjata në pasuri të paluajtshme, pa e ditur se si mund të ndihen punonjësit për ardhjen në zyrë.
Kathy Kacher, konsulente për drejtuesit e korporatave, për planet e tyre të kthimit në zyrë, është e befasuar, që përqindja nuk është më e lartë.
“Shumë organizatave, që u përpoqën të detyronin punonjësit të riktheheshin në zyrë, u është dashur të tërhiqnin ose ndryshonin planet, për shkak të punonjësve,” thotë Kacher, presidenti i shërbimeve të Career/Life Alliance Services.
Ndërsa disa drejtues biznesi, e pranojnë punën hibride si një realitet të përhershëm, të tjerë po tërhiqen nga premtimet e mëparshme, për t’i lejuar punonjësit të punojnë nga shtëpia me kohë të plotë ose të pjesshme.
Që nga korriku, 59% e punonjësve me kohë të plotë, janë kthyer 100% në zyrë, ndërsa 29% janë në një marrëveshje hibride dhe 12% punonjë në distancë, sipas të dhënave të reja nga WFH Research.
Zyrat janë ende vetëm gjysmë të mbushura, në krahasim me para pandeminë.
Në të gjithë industritë, korporatat e mëdha duke përfshirë Disney, Starbucks dhe BlackRock, po kërkojnë që punonjësit të kalojnë më shumë kohë në zyrë, me drejtuesit që shpesh përmendin nevojën për më shumë bashkëpunim personal.
Zoom është i fundit për të ndryshuar kursin, duke u thënë punonjësve, se duhet të vijnë të paktën dy herë në javë.
Është një ndryshim i papritur nga politika e mëparshme e kompanisë, e cila i lejoi punonjësit të zgjidhnin midis punës hibride, në zyrë ose plotësisht në distancë.
Kostoja e hapësirës së papërdorur të zyrës, ka qenë një faktor kryesor në vendimet e kompanive, për të ndryshuar qasjen e tyre për rikthimin në zyrë, thotë Kacher.
Edhe gjashtë muaj më parë, kompanitë ishin të gatshme ta përballonin koston, në një treg të ngushtë pune, për të rekrutuar dhe mbajtur talentin.
Por tani, “Disa kompani duan të rikuperojnë këto investime të mëdha,” shpjegon Kacher.
Kompanitë, që kanë mandatuar një kthim të rreptë në zyrë tre ditë në javë, pa kërkuar më parë mendimin e punonjësve, po përjetojnë ankthin më të madh, shton Kacher.
Kush po e fiton ‘luftën’ e rikthimit në zyrë
Kompanitë, që po korrin më shumë sukses, me rikthimin në zyrë, duket se janë ato që po marrin vendime me punonjësit e tyre dhe jo për ta.
Firma globale e kontabilitetit dhe konsulencës Ernst & Young, përballoi disa kritika të punonjësve për njoftimin fillestar për kthimin në zyrë, në qershor 2021, kur firma u tha punonjësve se ata do të duhet të kalonin 40-60% të kohës së tyre në zyrë.
Plani i tyre u vendos në pauzë, deri në fund të vitit, pasi rastet e Covid-19 u rritën edhe një herë në të gjithë SHBA-në, kështu që drejtuesit e EY, e përdorën atë kohë për të pyetur punonjësit për hezitimin e tyre, për të ardhur në zyrë.
Punonjësit nuk ishin të sigurt, se çfarë të bënin në lidhje me kujdesin për kafshët shtëpiake, ose për kujdesin ndaj fëmijëve.
Si përgjigje, EY njoftoi një fond në shkurt 2022, për të rimbursuar deri në 800 dollarë në vit, për shpenzimet e udhëtimit, kujdesin për kafshët shtëpiake dhe kujdesin për fëmijët, për secilin prej mbi 55,000 punonjësve në SHBA.
Fondi, pati një ndikim pozitiv të menjëhershëm, në pjesëmarrjen e punonjësve në zyrë.
Që kur EY shpërndau për herë të parë këtë përfitim, në shkurt 2022, ka parë një rritje prej 150% në frekuentimin e zyrave në të gjithë SHBA-në.
Kacher parashikon, që do të duhen të paktën edhe dy vjet, përpara se kompanitë të kenë sërish një rutinë pune në zyrë, me të cilën punonjësit janë të kënaqur dhe drejtuesit nuk pendohen.
“Disa organizata ende nuk e pranojnë, që njerëzit nuk po rikthehen në zyrë, dhe disa kanë kaluar në fazën e pranimit, ku janë gati të mendojnë zgjidhje të tjera,” thotë ajo.
“Por do të duhet kohë, që të gjithë ne, të arrijmë atje së bashku.
Burimi: CNBC/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



